OVL e UÇK e Pejës nis fushatën kundër LDK-së

Opinione

OVL e UÇK e Pejës nis fushatën kundër LDK-së

Idriz Zeqiraj Nga Idriz Zeqiraj Më 25 qershor 2024 Në ora: 17:10
Foto ilustrim

Shoqata e OVL të UÇK-së, në Pejë, me bujë e pompë, shpëndau një -Fletë rrufe- enveriste, në adresë të qytetarit të parë, kryetarit të komunës, Gazmend Muhaxheri. Siç thonë nga kryesia e saj "e shpërblyem" ish- të burgosurin politik, ish-luftëtarin e orëve të para me dekoratën e "Mosmirënjohjes", me motivacionin e "injorimit të luftëtarëve të lirisë"!

-Fletë rrufeja- e Shoqatës të OVL të UÇK-s në Pejë, ka zgjedhur për ta shenjestruar veprimtarin e dëshmuar përtej tri dekadave , fituesin e tri palë zgjedhjeve komunale, Gazmend Muhaxherin, duke nismuar edhe hapjen e fushatës zgjedhore të PAN-it kunndër LDK-së. Kur mori drejtimin e komunës të Pejës, 11 vjet më parë, -Peja lule e Dukagjinit-, ishte kthyer në ferra e rezervat të krimit vrastar, hajnor, me vjelje haraçi masiv, uzurpime të pronave shtetërore e shoqërore dhe pisllëqe të tjera. Pra, e gjeti hallakamë e katrahurë, sa "për të mos e njohur qeni të zotin"!

Kuadri i LDK-së, Gazmend Muhaxheri, qysh në fushatën parazgjedhore denoncoi gjendjen fatale, përgjakjen e Pejës me fshatra dhe u zotua se do ta ndryshojë atë. Për shpalosjen e së vërtetës nga Muhaxheri, pushtetarët pararendës e akuzuan për "shpifje e denigrim"! Por, drejtësia konfirmoi se Ai bëri detyrën, e tha të vërtetën sipërore, duke fituar në të gjitha shkallëzimet gjykatore. Kryetar Muhaxheri, nipi i atdhetarit markant, Profesor Imer Muhaxherit, me guximin qytetar dhe intelektual, sfidoi cubat mujshorë kanunorë, me bandat e tyre. Megjithatë, drejtësia e kapur nga pushtetarët e shantazhuar, i heshti gjetjet e shkeljeve flagrante numerike!?

I Pari i komunës është kryetar i të gjithë qytetarëve, pa dallim partie, etnie, race. Ai ka një zyre, një seli, një adresë për vete dhe stafin e tij komunal. Dhe, qytetarët individual e gruporë, përfshi këtu edhe Shoqatat dhe institucionet brenda territorit komunal, paraqesin kërkesat financiare, së bashku me arsyetimin përdorues të mjeteve përkatëse, duke ofruar edhe dëshmitë e shpenzimeve. Kjo vlen edhe për ftesat festive e përkujtimore dhe çfarëdo bashkëpunimi tjetër. Por, nëse nuk i ofrohet bashkëpunim, pra, mosnjohje të titullarit, në rastin konkret të Kryetarit të komunës, pse ai i përket një subjekti tjetër politik, LDK-së, faji nuk është i kryetarit. Nëse një Shoqatë dyzohet, ndahet, faji assesi nuk është i kryetarit. Dhe, këtë problem duhet ta zgjidhë vetë Shoqata, sepse buxheti komunal nuk është lopë, për t`u mjelur dy apo tri herë në ditë.

Kryetar Muhaxheri është dëshmuar në realizimin e premtimeve të dhëna anëtarësisë partiake, elektoratit dhe popullit. Andaj është dhe mbetet fitimtar nga zgjedhjet në zgjedhje. Por, halli i OVL të UÇK-së në Pejë është gjetkë. Ethet për zgjedhjet e pritshme, qofshin lokale apo qendrore, janë shqetësuese për ata. Sepse, fushatës së tyre i mungon kauza dhe kundërshtari politik luftohet pa etikë, pa parime dhe pa moral, thjeshtë, sipas motos Makiaveliste: "Shpif, shpif, se diçka mbetet!"

 Nga akuzat e renditura në -Fletë rrufenë- e tipit kinezo-enverist, kryetari Muhaxheri anatemohet se "ka injoruar e fyer luftëtarët e lirisë; ka kremtuar ditën e çlirimit pa veteranët; nuk ka subvencionuar OVL-në as për lule për dëshmorët;  e tjera". Nga kjo rezulton se OVL e Pejës, është palë e bisht e OVL të UÇK-së -qënder, e cila që nga themelimi është shquar për përçarje të popullit dhe veprime destruktive, mujshore e anarkiste, në shkeljen e ligjeve të shtetit. Krerët qendrorë e lokalë dhe militantët e saj, kanë qenë objekt i penalizimit për krime të ndryshme individuale dhe grupore.  

Kjo është arsyeja pse Veteranët e FARK-ut janë distancuar nga OVL e UÇK-së dhe nuk kanë asnjë bashkëpunim. Arsyet janë thellësisht parimore: FARK-istët veteranë luftën për Atdhe nuk e konsiderojnë si sakrificë, por si detyrë mbi detyrat tjera, pra, obligim qytetar e shtetëror. Andaj nuk kërkojnë asnjë privilegj për luftën e bërë, sepse ajo ishte dhe mbetet detyrë parësore e tyre, madje përjetësisht.

Në një bisedë publike, heroi i mbijetuar i Luftës të Kosharës, Kolonel Anton Quni, i pyetur për fëmijtë e tij, rrëfen: "Edhe pse kisha mundësi për të ndërhyrë në punësimin e tyre, nuk e bëra. Dhe, ashtu si shumë të rinj të pa punë të Kosovës, morën rrugën e hidhur të kurbetit". Është paradoks në vete se i pari i komandantëve të Kosharës, Kolonel Rrustem Berisha, me disa komandantë të tij, drejtues dhe luftëtarë të suksesshëm dhe trima, nuk janë ngritur në gradën ushtarake meritore që u takon! Edhe pse është pranuar nga personalitete ushtarake, jashtë këtij formacioni luftarak, se "-Lufta e Kosharës-, legjitimoi Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës". 

Përkundrazi, e ashtuquajtura OVL e UÇK-së ka dëshmuar krejt të kundërtën. Për pak muaj angazhim në luftë, duan ta rjepin, zhvatin, madje përjetësisht, shtetin e varfër dhe të brishtë të Kosovës. Kujtoni Procesin gjyqësor "Tokat" dhe qindra raste privatizimesh, tenderimesh, uzurpimesh, plaçkitjesh, të bëra, pacipërisht e kriminalisht, në emër të luftës. Sikur nuk u mjaftuan me privilegjet e atyre që ishin pjesë e luftës dhe katërfishuan numrin, me "Veteranë" të rrejshëm, duke shtuar kuotën e zhvatëse të buxhetit të shtetit dhe privilegjet ligjore që rrjedhin nga emërtesa -Veteran. Kjo ka ndikuar edhe në cilësinë e dobët të arsimit, me pranime paushalle, jashtë çdo kriteri, gjë që reflektohet edhe në paaftësinë në punësim.

Drejtuesit e OVL të UÇK sherbëtorë të PAN-it kriminal

OVL e UÇK-së ka qenë në krye të protestave, sa të turpshme, aq edhe kriminale, kundër drejtësisë vendore dhe ndërkombëtare, por kurrë nuk ka protestuar për shumë qindra vrasje politike, të shqiptarëve të pafajshëm, duke ia shtuar jetimët Kosovës; as për makro-hajnitë zyrtare, siç është pagesa e shumë mijëra "veteranëve" të rrejshëm. 

Ministri i Financave, Hekuran Murati, i tmerruar nga zhvatja zyrtare e miliona eurove, nga "Veteranët" e rrejshëm, zemërplasur shpërtheu se "më lirë do të na kushtonte pagesa e luftëtarëve mercenarë". Dhe, kishte të drejtë. Pikërisht, falsifikatorët P AN-istë, me OVL-në e tyre, reaguan egërsisht dhe turpërisht. Emigrantët nga Australia, Amerika, Evropa, të cilët kurrë nuk e kaluan Urën e Zogut, të Milotit gjatë luftës, sot gëzojnë pensionin e "Veteranit"!!! Skajshëm turpëruese për Parlamentin, Qeverinë, partitë politike, shoqërinë civile, popullin heshtak të Kosovës!

Populli i Kosovës respekton veteranët e vërtetë. Por, tani që është katërfishuar numri i veteranëve të rremë, është i shokuar. Andaj, fajëson edhe veteranët e vërtetë, të cilët heshtin marrëzishëm për këtë hajni tmerruese zyrtare. Heshtja e partive të PAN-it, edhe mund të kuptohet, sepse janë shumëzues gjeometrik të listave emërore të "veteranëve" të rrejshëm, kuadrot partiakë kanë përfituar nga shitja e "Dëshmive të Veteranit", duke begatuar edhe klientelën elektorale. 

Por, habitë heshtja e LDK-së dhe LVV, të cilat -i kanë duart e pastra-, ngaqë kanë qenë të përjashtuara nga përbërja e "Komisionit për Vlerësimin e Figurës të Veteranit". Por, hidhet dyshimi i frikës nga humbja e votës të "Veteranëve" të rremë. Për çudë, po dyshojmë edhe në trimërinë e Albinit, sepse e gjithë kjo mund të zgjidhet brenda javës, për të mos thënë brenda ditës. Hiqni dorë nga gjykatat burokratike e korruptive, sepse përmasa kohore do të zgjaste deri në "kalendat greke"!

Skandalët dhe mëkatët të Shoqatës të OVL të UÇK-së, që nga themelimi e deri me sot, janë aq të shumta, sa kanë dëmtuar jo vetëm vetën e tyre, por edhe Kosovën. Ajo që duhej të ishte në -ballë të odës-, tani ka tendenca për ta - hedhur ke dera. Dhe, faji është i Veteranëve, sepse po i shërbejnë politikës. Krerët e kësaj Shoqate, njëri pas tjetrit, ishin fodullë, përçarës të popullit, hajna të shtetit, falsifikatorë të listave të "Veteranëve". 

Kryemarrëzia e kësaj Shoqate ka qenë dhe mbetet kërkesa absurde, për të mos thënë idioteske, futja e Veteranëve, në tufëzim, në pagën minimale, ende pa seleksionuar, spastruar listat  nga "Veteranët" fiktivë, të rrejshëm! Pra, me dyfishuar ose trefishuar hajninë zyrtare! 

Hajnia e shtetit, është armiqësi ndaj shtetit. Rrjedhimisht, ata që thirrën në luftën, por kanë dëmtuar, vjedhur shtetin pas luftës, janë armiq të egër të shtetit. Perandori i Etiopisë, mik i Titos të -Botës së Tretë", (të pa angazhuar), për abuzime hajnore të pasurive shtetërore, drejtësia, gjykata vendore e vari në Shtatoren e tij, në mes të kryeqytetit të vendit. Lë të shpresojmë që një ditë Drejtësia ta bëjë detyrën e vet edhe në Kosovën tonë, rrast të përtokur dhe të poshtëruar nga bijtë e saj bastardë, mujshorë, hajna e kriminelë.

Skandali më i dëmshëm, madje deri në tradhti, i drejtuesësve të OVL të UÇK-së, është bërja bisht i partive të PAN-it, në protestat e dhunshme të mars-prillit 2004, të cilat i projektoi Beogradi dhe i zbatoi Prishtina, respektivisht, argatët e Serbisë. Rrjedhojat: djemtë shqiptarë të vrarë; shqiptarët e turpëruar pse vranë disa pleq e plaka serbe, duke djegur edhe shtëpitë e kishat e tyre; shqiptarët u koritën dhe u fikën, sepse u detyruan të paguajnë për kalljet e tyre idioteske e rrugaçërore. 

Banditët, kuadro të partive të PAN-it, që u prinë protestave vandaliste, u arrestuan, mbajtën pak muaj burg dhe u liruan me ujdi, dakoordim të komandantëve pushtetarë me Serbinë! Serbia, në bashkëpunim me argatët e saj në Kosovë, realizuan, suksesshëm skenarin e përgaditur në Beograd. Pasojat politike: decentralizimi i pushtetit lokal - bashkësi e komunë serbe; bindja e ndërkombëtarëve se duhet bërë ndryshime, për të mundësuar jetën normale të serbëve në Kosovë. Kulmore, themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë, që vazhdon të jetë "Shpatë e Demokleut" në qafën e shqiptarëve!

Shoqata e OVL të UÇK-së ka manifestuar rrugaçëri të egër me shantazhimin e qeverive. Duke abuzuar me emblemën e UÇK-së, është vënë në shërbim të ndonjë partie politike, konkretisht, të PDK-së. Kjo parti-bandë, donte ta rrëzonte kryeministrin Mustafa, edhe pse ishte i suksesshëm. Dhe, nderseu, nxiti Veteranët, për të përfituar pensionet ngutshëm, "përndryshe do ta kallim Prishtinën, Kosovën",- kërcënuan ata rrugaçërisht! Kryeministri Mustafa, si karrierist që ishte, i dha urdhër Gjeneral Agim Çekut, t`ia dorëzojë listat e seleksionuara të Veteranëve me afat një javor. Gjenerali, në pamundësi për ta bërë seleksionimin e listave, u mjaftua me marrjen e firmave aprovuese të komandantëve përgaditës dhe dorëzues të listave në fjalë. Dhe sot kemi, nga 52.250 Veteranë, prej tyre 40 mijë janë të rrejshëm! 

Dhe, kjo, veç të tjerëve, OVL e UÇK-së ka fajësi direkte. Ata që kanë luftuar njëmendësisht, kurrë nuk bëjnë veprime armiqësore kundër shtetit të tyre. Kosova vazhdon ta vuajë shantazhimin e pushtetarëve tanë, të cilëve OVL-ja u ka shërbyer verbërisht dje dhe vazhdon edhe sot. Edhe pangopësisë zhvatëse hajnore zyrtare, të disa "biçim" komandantëve, kurrë nuk duhet besuar në patriotizmin e tyre. Lakmia e shfrenuar, e zhveshë njeriun nga dinjiteti. "Kur qethën ogiçët, i shohim se çfarë zhuganash janë", - thoshte akademik Mark Krasniqi. Mesazhi është i qartë.

Dita e Çlirimit të Kosovës ka ndodhur kur ka hyrë tanku i parë i NATO-paktit në territorin e Kosovës. Dhe, kjo ditë është -12 Qershori 1999-. Zhagitja e shpalljes të kësaj date festë zyrtare, ditë pushimi, është bërë për interesa politike. Komandantët sihirxhinj të luftës, nga Rogner-i i Tiranës, të cilët, për fatin e keq të Kosovës, u katapultuan, dhunshëm e përgjakshëm, në krye të pushtetit në Kosovë. Ata kërkonin një datim, që lidhet me ndonjë kontribut të tyre për çlirimin e Atdheut-Kosovë. Por, realisht, mungonte.

Populli e kishte përjetuar -12 Qershorin- si datë çlirimi, njëherësh edhe e kishte caktuar dhe emërtuar si të tillë. Mërgata e Kosovës, e cila është larg interesave personale politike, qysh pas çlirimit ka filluar ta festojë si datë çlirimi -12 Qershorin-. Së fundi, këtë datë e konfirmoi edhe Kryeministri aktual. Megjithatë, negativiteti mujshor e anakist i krerëve të Shoqatës të OVL të UÇK-së, në koordinim me partië-banda të PAN-it, vazhdon të manifestohet vrazhdësisht dhe shpërfillshëm, përballë realitetit historik. Qëllimi është qartësisht i lexueshëm: Protagonizmi i komandantëve lokal e qendror para opinionit shqiptar, gjithnjë në përpjekjet, e dështuara e kriminale, për ta përvetësuar luftën e pabërë, të cilën, realisht, e bëri formacioni ushtarak FARK, i themeluar nga Dr. Ibrahim Rugova dhe partia-Lëvizje e Tij, LDK-ja. Tashmë, kjo është dëshmuar katërcipërisht dhe propaganda lehaqene e kundërshtarëve politikë, nuk ka arritur ta demantojë e mohojë as për së afërmi.

Është koha të korrigjohen datimet festive, -paushalle e koti-, si Dita e Kushtetutës, Dita e Evropës -9 Maji- dhe ndonjë tjetër, që nuk përfaqësojnë asgjë për popullin e Kosovës. Dhe, të ligjësohet -12 Qershori-, si datë e vetme e çlirimit për tërë Kosovën. Shtrirja e festave çliruese të komunave të Kosovës, nga 10 deri më 20 qershor 1999, është një mashtrim, gënjeshtër dhe falsifikim i horrakëve PAN-istë, thjeshtë, për protagonizëm. Atë që nuk arritën ta fitojnë në luftë, duan ta kompensojnë me tubime festive e fjalime bombastike në paqe, duke humbur ditë pune dhe shumë mijëra orë-mësimi të fëmijëve shkollarë. 

Kreu i organizatës ilegale kriminale SHIK, Kadri Veseli, vite më parë, ka qenë mburrur se "kemi marrë thasë me dokumente sekrete nga Beogradi"! Dhe, kjo u dëshmua katërcipërisht, me të vetmin ndryshim: Në vend të thasëve, dokumentet sekrete i solli Beogradi në paketa! Për çudë, dosjet sekrete të Gjykatës Speciale të Kosovës, me seli në Hagë, Serbia ia besoi, pikërisht, Shoqatës OVL të UÇK-së, në Prishtinë! Qëllimi dihet: Shpërndarja e dosjeve sekrete të Hagës në Kosovë, me qëllim të nxitjes të gjakderdhjes brenda-shqiptare dhe pisllëqe të tjera të bollshme. Dhe, vërtet, si pasojë e dosjeve denoncuese, të paktën, dy vrasje kanë ndodhur në Kosovë. Dhe, ka të ngjarë se do të këtë edhe vrasje të tjera, ndonëse Kosova është përgjakur ngeshëm dhe me lista emërore shenjestruese.   

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat