Në kujtim të Bardhyl Ajetit: Misteri i laptopit të humbur në redaksinë e Prishtinës dhe kërkesa për drejtësi, 19 vite pas vdekjes së tij

Opinione

Në kujtim të Bardhyl Ajetit: Misteri i laptopit të humbur në redaksinë e Prishtinës dhe kërkesa për drejtësi, 19 vite pas vdekjes së tij

Xhevdet Mazrekaj Nga Xhevdet Mazrekaj Më 25 qershor 2024 Në ora: 15:14
Bardhyl Ajeti

Sot, në 19-vjetorin e vdekjes tragjike të Bardhyl Ajetit, një gazetar të shquar dhe koleg të gazetës "Bota Sot", ndjej një përgjegjësi të thellë për të ndarë me ju një përkujtim dhe një çështje ende të pazgjidhur që më rëndon mendjen.

Bardhyli u vra në një atentat terrorist më 3 qershor 2005, dhe pas disa ditësh në gjendje kome, ndërroi jetë më 25 qershor. Si themelues dhe botues i "Bota Sot", duke punuar nga Zvicra, kujtimet e mia me Bardhylin janë të mbushura me biseda telefonike dhe shkëmbime mendimesh që kishin një rëndësi të veçantë.

Një nga këto biseda, e cila ndodhi pak kohë para atentatit dhe që lidhet me një incident të brendshëm në redaksinë tonë në Prishtinë, ku laptopi i Bardhylit u raportua se ishte vjedhur nga B.M., një kollegë tjetër në redaksi. Kjo ngjarje krijoi një atmosferë të tensionuar, pasi Bardhyli ndihej i kërcënuar nga mundësia e zbulimit të informacioneve të ndjeshme që mbante në atë laptop. Për të shmangur përplasje të mëtejshme dhe për të ruajtur imazhin e redaksisë, përpiqesha të ndërhyja për të qetësuar situatën.

Pas vdekjes së Bardhylit, nën hetimin e EULEX-it, mësova se kompjuteri i tij ishte marrë për hetim, por saktësia mbi fatin e laptopit mbetet e paqartë. Nuk di me siguri nëse EULEX ka marrë vetëm kompjuterin stacionar apo edhe laptopin e Bardhylit, dhe ku ndodhet tani laptopi i tij.

Këto pyetje mbeten të pazgjidhura dhe janë pjesë e një kujtimi të ndërlikuar për një njeri që luftoi me zell për të vërtetën dhe drejtësinë. Përkujtimi ynë për Bardhylin nuk është vetëm një reflektim mbi jetën e tij të jashtëzakonshme, por edhe një përkujtesë për drejtësinë që ai meriton dhe që ende kërkohet.

Bardhyli do të mbahet mend si një zë i guximshëm në botën e gazetarisë, një luftëtar që nuk pranoi kurrë të tërhiqej para sfidave. Në këtë përvjetor, ndërsa kujtojmë sakrificën e tij, le të përkujtojmë dhe vlerat për të cilat ai luftoi deri në frymën e fundit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat