Çfarë do të ndodhë tash me vulën e Berishës?

Opinione

Çfarë do të ndodhë tash me vulën e Berishës?

Nga: Sherif Ramabaja Më: 25 qershor 2024 Në ora: 12:15
Sherif Ramabaja

Ishte një luftë mes titanëve: Me vulë, e pa vulë. Pa vulë, e me vulë. Pikërisht po për këtë vulë, u desh të organizohej edhe pushtimi i kështjellës.

Për fat të keq anglezët e vërtetuan edhe njëherë non gratën. As amerikanët nuk po heqin dorë. Thirrja: Shqiptarë të të gjitha vendeve bashkohuni, mori dhenë. Takimi të mbahet para shtëpisë së bardhë me moton: Liri për Berishën.

Zgjidhje tjetër nuk mbetet. Pa Berishën s´ka opozitë. Pa opozitë s´ka demokraci. Pa Berishën s´ka PD. Pa Berishën s´ka Shqipëri.

Në momentet vendimtare për atdheun, Luli nuk i dorëzonte as kështjellën, e as vulën. Berisha u desh të organizonte revolucionin, të rebelohej, t´i tregoi dhëmbët dhe agresivitetin derisa iu desh ta pushtonte  kështjellën.

 Për këtë u organizua festë kombëtare, megjithatë Luli e kishte fshehur vulën. Berisha hyri në histori si, pushtuesi pa trofe. Megjithatë, revolucioni vazhdoi rrugën.

 U organizuan seanca gjyqësore. Kishim partinë me vulë, e atë pa vulë. Por tash (rast i veçantë) e kemi Partinë Demokratike me dy liderë, njëri non grata, e tjetri pa vulë.

 Bashkëpunëtorët e dy liderëve kanë rënë në hall, cilit t´i bashkohen, atij me vulë, apo atij pa vulë. Të mjerët vrapojnë, sa andej e sa këndej. Sa te njëri, sa te tjetri. Vendi po vuan për opozitën.

 Berisha si burrat njëherë ishte tërhequr nga politika dhe i kishte dorëzuar të gjitha mandatet: si kryetar shteti, si kryeministër, si mjek i diktatorit Enver Hoxha, si deputet, si krye - bashkiak i Tropojës, si kryetar i PD, si enverist, si demokrat, si komunist, si organizator për rrëzimin e diktaturës, si personalitet për pranimin e Shqipërisë në Konferencën Islamike, si personalitet për pranimin e Shqipërisë në NATO etj.

 Pas gjithë këtyre vuajtjeve për atdhe, mendonte që tash e tutje ta përjetonte kënaqësinë e jetës.

Shpejt u zhgënjye, e vërejti ankthin e jetës. E provoi me peshkim, nuk i shkonte. E provoi me udhëtime, ndiente zbrazëti. Mendoi të shkruante memoare, nuk lexojnë gjë shqiptarët, mendoi. Të punonte si mjek vullnetar në Tropojë, nuk ia merrte mendja. Unë jam i lindur për politikë, mendoi. Shqipëria ka nevojë për mua. Nëse unë si dal zot atdheut, kush do t´i dal.

  Iu shfaq engjëlli përpara. O Sali Berisha, malësori i Tropojës, shpëtimtari i Shqipërisë, shpresa e kombit, sa ishe i ri shkoje me kuaj, dhi, derra e gomar, i ushqeje, i kalëroje, i përqafoje, e pije qumështin e tyre, sikur të ishte i Zanave të Malit. I përjetove bukuritë natyrore të Tropojës dhe i more njohuritë e para mbi jetën. U bëre mjek i zemrës, ia zgjatje jetën Enver Hoxhës dhe kujdeseshe për shëndetin e popullit tënd...

I ushtrove funksionet më të rëndësishme shtetërore, kurse në momentet kur më së shumti atdheu kishte nevojë për ty, u tërhoqe. Këtë nuk ta falim. Kërkojmë që të ngrihesh dhe t´i dalësh zot vendit.

 Përvishu punës dhe prij revolucionit. Ne do na kesh gjithnjë pas. Ti do të jesh prijësi dhe shpëtimtari i shqiptarëve. Mosha nuk loz rol as te ti, as te Biden e as te Trump, megjithëse te Biden jemi skeptik, po qëndron shpesh si një mumie e ngrirë.

Berisha nga kjo bisedë i hapi sytë, nuk dinte a ishte fjete, në ëndërr, apo vërtet e përjetonte një dialog të tillë. Sidoqoftë ishte kureshtar dhe filloi t´i kthehej fuqia.

I lindi ideja ta vazhdonte revolucionin dhe tash e tutje me të gjitha mjetet do ta sfidoi Kristaqin.

 Punën ia ngadalësuan SHBA me non grata, kurse SPAK ia kufizoi lëvizjen.

 Heroit i kanë mbetur vetëm dy rrugë: ta udhëheq revolucionin për shpëtimin e popullit shqiptar nga diktatura socialiste, ose t´ia vejë flakën Shqipërisë, sikurse më 1997./Mars – Rover (Satirë)

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat