E megjithatë duhet mbështetur fort Albin Kurtin!

Opinione

E megjithatë duhet mbështetur fort Albin Kurtin!

Prof. Dr. Enver Bytyçi Nga Prof. Dr. Enver Bytyçi Më 24 qershor 2024 Në ora: 18:04
Albin Kurti

Ambasadori Walker ka bërë thirrje disa herë që shqiptarët në Kosovë ta mbështesin kryeministrin Albin Kurti. Unë besoj fort te personaliteti i ambasadorit dhe avokatit të Kosovës në botë e sidomos në Perendimin e saj. Albin Kurti duhet mbështetur pa kushte, pa dallime ideologjike, pa dilema, pa u matur aspak! Madje me vendosmëri dhe me përkushtim! Sot Kosovës i duhen njerëz si Albin Kurti! Veçmas për t’u përballur me Serbinë!

Ata që përpiqen ta denigrojnë kryeministrin me disa gabime të tijat në këto kohë kur vendoset fati i shtetësisë së Kosovës, bëjnë gabim. Mund ta kritikojnë patjetër atë, por denigrimi e bën seëcilin qesharak përballë qytetarëve të vendit. Disa e quajnë populist. Ndonjë i thotë se “spiun i Serbisë”. Po spiunët e Serbisë nuk ia nxjerrin djersët e ftohta presidetit të saj! Disa të tjerë e emërtojnë “majtist ekstrem”! Edhe unë e pranoj se Kurti është i majtë e do të doja të ishte i djathtë. Dhe në fakt në veprat e tij shoh një lloj djathtizmi te ai. Ai respekton familjen dhe ka dëshmuar se e do atdheun, dy tipare këto të sovranistëve djathtistë.

Albin Kurti nuk krijon alibi. Nuk përdor trikun për t’i mashtruar shqiptarët. Psh nuk shpik terma të tillë si “korrigjimi I kufijve”, shpikje që vetëm në Beograd mund të gjenden. Albin Kurti është i drejtpërdrejtë. Lexohet. Edhe kur gabon! Prandaj ai është i duhuri dhe dhe më i dobishmi në mesin e të dobishmëve në kohën që kalon Kosova. Ai i ka dhënë tashmë provat! Nuk i ka fituar të gjitha sfidat, por shumicën qëllimeve të tij i ka reëalizuar me sukses.

Tha se do të ndërrojë targat! E realizoi! U përplas me aleatët e sidomos me opozitën në vend. Por e fitoi sfidën e targave me Beogradin. I vendosur dhe pa dilema në qëndrimet e veprimet e tij. Tha se do të venbdosë reciprocitet për dokumentet e targat me Serbinë dhe e bëri, pavarësisht trysnisë dhe refuzimit të aleatëve perendimorë. Tha se do të celebrojë kryetarët e komunave në veri të vendit dhe nuk u mbraps, pavarësisht presionit të jashtëzakonshëm që erdhi nga të gjitha anët, përfshirë dhe Tiranën zyrtare. Sot koha i dha atij të drejtë. Vërtetë në ato katër komuna nuk është gjithçka siç do të duhej të ishte, por ato tashmë administrohen nga institucionet e Kosovës.

Albin Kurti nuk manipulohet. Ai nuk kompleksohet. Aq më pak të merret peng. Sepse nuk është i korruptuar, nuk pranon asgjë të dikujt tjetër ta fusë në xhepin e vet. Ka liderë që betohen se “nuk i kanë futur duart në hepat e të tjerëve” dhe ndërkohë me 3000 euro pasuri ndërtojnë vila gjigande. Albin Kurti nuk është prej tyre. Prandaj ai nuk ka frikë se del i përgjuar nga shërbimet e huaja si në rastin e “Pronto”-s, “Metamorfozës” apo përgjimeve të tjera. Nuk i del emri askund.

Kur nisi zbatimi i vendimit për përdorimin e euros si monedhë zyrtare, të gjithë iu sulën Albin Kurtit si “ekstremist”, që “kërkon sherr me Serbinë”! Por sot ai vendim është plotësisht i zbatueshëm. Kur vendosi përdorimin e dokumenteve dhe targave RKS, kur celebroi kryetarët e komunave në veri, të gjithë i thanë “Ti po krijon konflikt në rajon”! I thanë se “asgjë nuk mund të vendoset njëanshëm e jashtë dialogut”! Por ai i shpërfilli të gjitha këto në emër të shtetit ligjor të së drejtës. Pra kryeministri Kurti nuk pati dilema, nëse Kosova duhet të respektohet ose jo si shtet, dilema, të cilat I ushqyen Borrell, Lajçak, Stano e shumë burokratë të Brukselit, deri te Escobar e Grennell, gjithmonë me kërkesë e për llogari të Serbisë. Kurti e kuptoi se ku qëndron hileja serbe dhe e lobistëve të Beogradit në BE e SHBA dhe nuk iu nënshtrua kërcënimeve!

Edhe kryeministri i Shqipërisë e akuzoi Kurtin se “po destabilizon Ballkanin”! Por fundi dëshmoi të kundërtën. Forcimi i pavarësisë së Kosovës forcon edhe stabilitetin ballkanik. Koncepti se Ballkani stabilizohet e jeton në paqe pa Kosovën ishte koncept i atyre që luftuan për ndarjen e saj ose atyre që promovuan Open Balkan. Albin Kurti nuk pranoi kurthe të tilla dhe koha i dha plotësisht të drejtë.

E di se edhe Kurti ka gabimet e tij. Fama dhe autoriteti, presitigji që ka krijuar në mbrojtje të Kosovës e shtetësisë së saj i kanë dhënë atij një frymë autoritare. Analistët e Kosovës e kritikojnë shpesh për përpjekje për kontroll institucional dhe partiak. Por Kosova sot ka nevojë të forcojë shtetësinë e saj. Nëse ajo vazhdon të zhvillojë zgjedhje të ndershme e të lira, nëse vijon edhe më tej të respektohet pavarësia dhe balanca e pushteteve, pra nëse demokracia funksionon mirë e më mirë se në çdo vend tjetër të rajonit, kjo do ta bëjë Kosovën edhe më të konsoliduar dhe më të qëndrueshme.

Përballë Serbisë duhet një Kosovë demokratike dhe duhen gjithashtu liderë me vizion, me koncept demkratik të së drejtës, të pakorruptuar, të vërtetë dhe të vendosur në mbrojtje të lirisë dhe integritetit territorial të saj. Këtë ka bërë Albin Kurti për katër vite në pushtet. Prandaj ai duhet mbështetur fort!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat