Lamtumirë mjeshtrit Agim Doçi - ish redaktori i parë i “Bota Sot” në Shqipëri

Opinione

Lamtumirë mjeshtrit Agim Doçi - ish redaktori i parë i “Bota Sot” në Shqipëri

Xhevdet Mazrekaj Nga Xhevdet Mazrekaj Më 24 qershor 2024 Në ora: 12:36
Agim Doçi

Sot është një ditë e trishtë për të gjithë ata që e njohën dhe e vlerësuan Agim Doçin. Më duhet të ndaj me ju lajmin e hidhur se poeti ynë i dashur, Agim Doçi, është ndarë nga jeta në moshën 76-vjeçare, pasi pësoi një hemorragji cerebrale. Në këto momente të vështira, zemra më është e mbushur me kujtime dhe respekt për një njeri të veçantë që dha aq shumë për kulturën tonë.

Agim Doçi ishte redaktori përgjegjës i parë i redaksisë së gazetës "Bota Sot" në Shqipëri, kur hapëm për herë të parë redaksinë në Tiranë. Si themelues i kësaj gazete, kam pasur fatin të punoj ngushtë me një mjeshtër të vërtetë të fjalës, një njeri me pasion të pashuar për poezinë dhe gazetarinë. Bashkëpunimi ynë ishte një periudhë e mbushur me kreativitet, përkushtim dhe arritje të rëndësishme.

Agimi ishte jo vetëm një koleg i shkëlqyer, por edhe një mik i rrallë, që me mençurinë dhe dashurinë e tij për fjalën e bukur, preku zemrat e shumë njerëzve. Vargjet e tij do të mbeten përherë një thesar i çmuar në kulturën tonë, dhe emri i tij do të skalitet në kujtesën tonë kolektive.

Lamtumirë, Agim Doçi. Të qoftë dheu i lehtë ashtu si të lehtë, të bukur, e bëre jetën tonë. Ngushëllime të sinqerta familjes dhe të gjithë atyre që e deshën dhe e çmonin.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat