Loja me zgjedhje të parakohshme dhe lufta për vota, ishte brenga kryesore e partive politike në Kosovë..!

Opinione

Loja me zgjedhje të parakohshme dhe lufta për vota, ishte brenga kryesore e partive politike në Kosovë..!

Nga: Rexhep Elezaj Më: 22 qershor 2024 Në ora: 15:24
Rexhep Elezaj

Se, loja dhe dredhitë e fundit politike për (mos)mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme në Kosovë, që nga takimi Kurti-Krasniqi, e deri tek kokëfortësia e kreut të LDK-së, L. Abdixhiku, se ai nuk e pranon mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme pa dhënë dorëheqje kryeministri Albin Kurti, shikuar nga këndi i një vrojtuesi neutral, rezulton se e gjithë kjo zhurmë synim kryesor kishte çuarjen deri në fund të mandatit të qeverisë në pushtet, meqë asnjërës nga partitë garuese nuk i përshtatej shkuarja në zgjedhje në muajin qershor ose tetor të këtij viti, ngase sondazhet e huaja asnjërën parti nuk i qitnin me përqindjen e dëshiruar të tyre.

Mirëpo, ajo që binte në sy, ishte “kërcënimi” i hapur i kryeministrit Kurti ndaj opozitës, se ai dhe partia e tij ishin të gatshme të shkonin në zgjedhje të parakohshme, duke qenë i vetëdijshëm se partitë opozitare, përveç PDK-së, nuk ishin të përgatitura sa duhet që të shkonin në zgjedhje të parakohshme, sepse nuk e kishin siguruar përkrahjen e synuar në teren për të hyrë në zgjedhje, sidomos LDK-ja, e cila ende gjendej në betejë për rritjen e votave në popull dhe diasporë, gjë të cilën e tregonte qartë angazhimi i kreut të saj me tërë potencialin partiak, që të sigurojë sa më shumë vota në tërë Kosovën, përmes planit “Rruga e re”, duke u prezantuar para votueseve si subjekt i reformuar dhe si alternativa më e mirë për ta udhëheq Kosovën.

Ndërsa, kur është fjala për AAK-në dhe NISMA-në, koalicioni i tyre parazgjedhor tregon për frikën e tyre, se e kanë mjaft vështirë ta kalojnë pragun zgjedhor, ani se votuesit tradicional të këtyre dy partizave mund t’iu qëndrojnë besnik në zgjedhjet e ardhshme, kurdo që ato të mbahen.

Ajo që në fillim ishte enigmë, se pse PDK-ja e pranoi takimin me kryeministrin Kurti, u kuptua shpejtë se ishte një hap i saj për të dalë nga “status-quoja” politike, si dhe për ta zënë vendin e dytë pas zgjedhjeve, mundësisht si partner i koalicionit me VV-jen, e cila është e sigurt se do të dalë prapë partia me numrin më të madh të votave, diku me 36 për qind sipas sondazhit të fundit të organizatës amerikane, Instituti Demokratik Ndërkombëtar-NDI, madje duke e siguruar me kohë partnerin e ardhëm qeverisës, PDK-në, meqë këto dy parti vijnë nga i njëjti shtrat politiko-ideologjik.

Po ashtu, sipas informatave të mediave, doli që Kurti-Krasniqi dështuan për ta shpërndarë Kuvendin, meqë shumë deputet të LVV-je kishin refuzuar që të votojnë për një gjë të tillë, pra për rrëzim të vetvetes, gjë që bëri të dështonte plani Kurti-Krasniqi, duke i akuzuar dy partitë tjera opozitare, se nuk ishin të gatshme të shkojnë në zgjedhje të parakohshme. Me një fjalë, u bë e qartë se shkuarja në zgjedhje të parakohshme më së shumti i konvenonte partisë në pushtet, LVV-je, sepse ajo nuk ishte e gatshme që ta merrte mbi vete përgjegjësinë politike dhe kombëtare për ta formuar “Zajednicën” serbe, veçse duke bërë koalicion me PDK-në, ta ndajë atë me atë parti, krerët e së cilës në vitin 2013 e kishin nënshkruar në Bruksel marrëveshjen me palën serbe për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat