Ideologjitë e djeshme dhe të sotme politike: Ish-Gjermani Lindore – Shqipëri

Opinione

Ideologjitë e djeshme dhe të sotme politike: Ish-Gjermani Lindore – Shqipëri

Nga: Sherif Ramabaja Më: 21 qershor 2024 Në ora: 15:42
Sherif Ramabaja

Këto ditë në Lajpcig (ish Gjermania Lindore) këngëtari me renome botërore Rod Stewart e shfaqi një koncert nga raportuari të tij muzikor. Ai ishte me paramendimin se të gjithë gjermanët, pa marr parasysh se ku jetojnë, e dënojnë agresionin e Rusisë dhe të Putinit në Ukrainë, prandaj gjatë koncertit çirret: „Fuck Putin“ dhe ishte befasuar: publiku e kishin fishkëlluar dhe me ovacione e kishin kundërshtuar bindjen e tij.

Këngëtari Rod Stewart ndoshta ishte befasuar nga një reagim i tillë, po ai nuk kishte llogaritur se ndodhet në ish Gjermaninë Lindore, ku mbretëron tërësisht një mentalitet tjetër gjerman, në krahasim me pjesën tjetër perëndimore gjermane.

Pra edhe pse kanë kaluar mbi 30 vite nga bashkimi i Gjermanive 1989, kemi një divergjencë mjaft të theksuar mes të njëjtit popull, i cili kishte jetuar afër 50 vite në rrethana dhe sisteme të ndryshme. Prandaj gjurmët e sistemit sovjetik te popullata e ish Gjermanisë Lindore janë ende prezentë dhe të ngulitura thellë në mentalitetin e kësaj pjese të popullsisë.

Po të kujtohet vitin 1989, vit i bashkimit të dy Gjermanive, ishte një rast i veçantë historik që ngjallte shpresë edhe te popujt tjerë, por sidomos edhe te shqiptarët, i trimëronte dhe u jepte energji që të luftojnë për kauzën e tyre çlirimtare. Mjerisht me kalimin e kohës po vërehet se gjurmët sovjetike, Leniniste e staliniste kanë mbetur të thella dhe nuk do të jetë lehtë të eliminohen.

Në këtë pjesë, ish Gjermaninë Lindore, partitë e ekstremit të majtë (me ideologji komuniste) dominojnë edhe sot siç është „Die Linke“ dhe Sahra Wgenknecht sot me partinë e saj BSW, kurse tash është duke dominuar edhe partia e ekstremit të djathtë AFD, e cila qëndron dhe përkrahet (financohet) edhe nga vetë Putini. Në Gjermani kjo parti është nën vëzhgimin e kushtetutshmërisë dhe cilësohet si parti me ide naziste. Putini në njërën anë flet për denazifikimin e Ukrainës (absurditet dhe propagandë), kurse në realitet e përkrahë një parti naziste në Gjermani. Është e kuptueshme se Putinit me propagandën e tij i intereson të nxisë përçarje brena Gjermanisë dhe të krijoi sa më shumë kaos në përmasa ndërkombëtare.

Siç shihet dallimet brenda popullit gjerman (me dy mentalitete të tilla) kuptohet që janë një sfidë edhe për vetë shtetin gjerman dhe institucionet e tij. Çështja kryesore mbetet se si ti eliminoi këto dallime, kur dihet se duhet angazhim, kohë, mund dhe energji për ta arritur një unifikim të plotë.

Si shfaqet një dallim i tillë në raportet Kosovë - Shqipëri ?

Shqiptarët në të dy anët e kufirit fatkeqësisht që nga viti 1912 jetojnë të ndarë, kurse pas Luftës së Dytë Botërore, përpos të ndarë, jetonin në sisteme të njëjta ideologjike. Derisa shqiptarët e Kosovës jetonin të shtypur, të përndjekur dhe i ekspozoheshin diskriminimit nacional në të gjitha fushat, ata i kishin disa favore në krahasim me vëllezërit e tyre në Shqipëri, të cilit ishin të privuar nga të gjitha të drejtat njerëzore.

Ish diktatori Tito, për ta ruajtur reputacionin e tij në perëndim, (në sy të botës) mundohej të krijonte përshtypjen që shqiptarët po i trajtonte njësoj sikurse edhe të tjerët. Në realitet shqiptarët së paku mund të udhëtonin, jo të gjithë, nëpër botë, në krahasim me ata në Shqipëri, të cilët trajtoheshin e jetonin si skllevër nga ideologjia staliniste e diktatorit Enver Hoxha.

Për këto fenomene mund të kryhen studime, të organizohen simpoziume shkencore etj. për tu vërtetuar se shqiptarët e Kosovës më lehtë e zhveshën ideologjinë komuniste, në krahasim me shqiptarët e shtetit amë, te të cilët ende edhe sot në masë po i vuajnë gjurmët e ideologjisë enveristo – staliniste, të ngulitura në trurin e shumicës së tyre (shpëlarja e trurit).

Kjo mund të vërehet edhe te një pjesë e shqiptarëve të Kosovës, Maqedonisë, Kosovës Lindore etj. të cilët e kishin përqafuar ideologjinë enveriste, në shenjë soladirizimi me vëllezërët e tyre në Shqipëri, por edhe nga bindja propagandistike se në këtë mënyrë, po luftonin në çlirimin e Kosovës dhe pjesëve të tjera nën okupim.

Të tillët ishin të rekrutuar në Lëvizjen Popullore të Kosovës, Marksistët – Leninistët e Kosovës, LNÇSH të Jugosllavisë etj. të cilët më vonë janë shkrirë  edhe nëpër partitë e tjera, LDK e sidomos në Partinë Demokratike etj. të cilët sot janë shpirtërisht të lidhur me Partinë Socialiste të Shqipërisë. Për Lëvizjen Popullore, Marksistët Leninistët, enveristët etj udhëheqësit e ish PP, sot Partia Socialiste, janë figura markante që sipas tyre identifikohen me kombin dhe të ardhmen e tij. Kjo vërehet edhe te figurat më të reja të kësaj ideologjie siç ishte Fatos Nanon i cili kriminelit Milosheviq i thoshte se kryeqyteti i shqiptarëve të Kosovës është Beogradi. Kurse rrugën e tij, duke ua kaluar të gjithëve, sot po e ndjek Edi Rama. Çfardo që bëjnë ata, sipas marksistëve dhe leninistëve, Lëvizjes Popullore etj. e bëjnë për të mirën e shqiptarëve. Po të analizohet ideologjia e këtyre grupeve, do ta vërejmë se nuk dallojnë fare nga ideologjia i ish gjermano – lindorëve as sot. Kjo ideologji, për fat të keq, është e ngjashme edhe me ideologjinë sovjetike dhe serbe, por kur është pyetje çështja e vetëvendosjes së popujve, grupet shqiptare (Marksistët – Leninistët, Lëvizja Popullore et.) kanë tjera pikëpamje. 

Sipas këtyre grupeve ish presidenti Rugova trajtohet si tradhtar i popullit. Këtë mendim e kishin dje, po nuk e kanë ndryshuar as sot për Rugovën. Kur ish presidenti Rugova u kidnapua nga Millosheviqi dhe u dërgua në Beograd, Thaçi (mendoi se i erdh momenti) deklaroi se tash e tutje Rugova është i vdekur për te. Këtë ideologji leniniste – enveriste, e kanë dëshmuar me veprimet, deklaratat, shkrimet dhe në fjalimet e tyre. Rugovën nuk kanë nevojë ta mbrojnë fare shqiptarët, ai tashmë është një personalitet dhe figurë botërore.

Ndërmjetësuesi Hollbruk thoshte „Po mos tishte Rugova, Kosova ndoshta sot nuk do të ekzistonte fare“.

Për fat të mirë kjo ideologji, marksiste leniniste në Kosovë është zvogëluar, po gjithnjë e nxjerr kokën në momente të veçanta duke u manifestuar me propagandë për të nxitur përçarje: siç është rasti më i ri kur elementet e UDB, që ideologjikisht përputhen me marksist - leninistët, deklarojnë se bashkëpunëtor të UDB ishin edhe figurat më të shquara shqiptare siç ishin: Jusuf Buxhovi, Rexhep Qosja, Agim Vinca etj. Ky nuk është një element i ri, po veprimtari tipike e tyre e ushtruar me shekuj.

Një ideologji enveriste, staliniste nëse në Kosovë ka pësuar tkurrje në Shqipëri për fat të keq nuk vërehet ashtu. Kjo po dëshmohet me sundimin e Ramës, i cili si në politikën e brendshme, po edhe në atë të jashtme, shumë pak dallon nga diktatori Hoxha. Janë ndërruar vetëm format, duke iu përshtatur momentit dhe kohës.

Ku vendoset Albin Kurti në këtë vorbull ?

Albin Kurti në fillimin e angazhimeve të tij politike, sipas perëndimorëve, cilësohej si i krahut të majt ekstrem. Një vlerësim i tillë ishte për brengosje, po me kalimin e kohës, ai ka punuar në përmirësimin e profilit të tij politik. Ai dhe partia e tij sot kanë raporte të mira me partitë socialdemokrate në perëndim dmth. Ka arritur që t´iu largohej partive të majta ekstremiste, të cilat identifikohen si komuniste, staliniste, leniniste, me tendenca diktatoriale etj. Megjithëse Kurti nga rivalët, opozita e Kosovës etj. Cilësohet si komunist, nga Grenell edhe fashist.

Llogaritet se po të ishte Kurti një enverist me Edi Ramën do të gjenin gjuhë të përbashkët dhe do të kishin raporte të shkëlqyeshme, si në ndarjen e detyrave, po ashtu edhe në ndarjen e pushtetit dhe rolit rajonal. Albin Kurti kohë të gjatë po ashtu është kritikuar, për paqartësinë e tij ndaj ish figurës së presidentit  Rugova, megjithëse vitet e fundit reagimi i tij ndaj personalitetit të Rugovës ishte pozitiv. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat