Spiunët në lokomotivën e tyre personale lëvizin nëpër kohë!

Opinione

Spiunët në lokomotivën e tyre personale lëvizin nëpër kohë!

Nga: Hamdi Rafuna Më: 20 qershor 2024 Në ora: 16:25
Foto ilustrim

Kur mbeturinat përzgjedhin të spiunojnë atdheun dhe shtetin e vet, kuptohet se ata janë të brumosur me motive të ulëta turpi dhe njëherit karakterizohen si spiun të përkryer nëpër të gjitha kohërat.

Nëse një qytetar i një shteti spiunon shtetin e vet, për t’mirën e një fuqie të huaj, kjo zakonisht vlerësohet si një tradhëti kombëtare dhe shtetërore. Në shumë vende të botës, dënimi për spiunazh në kohë lufte është, me vdekje ose me burgim të përjetshëm, sepse të gjitha spiunazhet kryhet për të fituar një avantazh politik, ushtarak ose ekonomik. Spiunët, këta persona që përcjellin sekretet dhe informatat e shtetit t’vetë, drejt një shteti tjetër për potenciale armiqësore, në këto vitet e fundit janë avancuar, falë ndihmës së kompanive të ndryshme private të Intelegjencës Artificiale, të cilat ndërsehen dhe paguhen edhe nga shtetet e ndryshme hegjemoniste.

Sot, në këtë moçal të turbullt gërshetohen shumë forma të veprimeve kriptografike, steganografisë, kutisë postare t’ fshehur, përgjimeve, mbikëqyrjes dhe ato t’kurthit të  mjaltit!

Shumë vende edhe pse rregullisht spiunojnë njëra tjerën, ato mohojnë këto veprimtari të dënueshme, përderisa nuk zbulohen.

Është me rëndësi të ceket turpi i kurthit të mjaltit, sepse këtu u mbyllet goja shumë figurave politikike  (anglisht- honeypot ose honey trapping)! Kjo taktikë joshëse është e përshtatshme për personat me influencë politike të cilët mbase  ngulen në ndonjë marrëdhënieve romantike! Këto kurthe përdoren për të bërë presion, shantazhe në lidhje me politikën, biznese ose aktivitetet tjera kriminale. Një shembull klasi i kësaj metode, është marrja e provave fotografike të zbulimit të marrëdhënieve të tilla, për të cilat “të ndershmit”  ndihen të lumtur nëse arrijnë të paguajnë ose informojnë armikun për diçka në llogari të mos publikimit të kësaj faqjeje të zezë, pasiqë u është nxënë bishti me derë!  Ndoshta për këto fakte në fjalë, njerëzit tanë “t’mirë për pushtuesin e djeshëm” heshtin edhe sot për të kaluarën e tyre në rolet e ndryshme në ish sistemin e pushtuesit!

Dihet në përgjithësi, se shumica e veprimtarive të spiunëve, stimulohen materialisht por në Kosovën e para luftës, pjesa më e madhe ishte  e motivuar edhe nga ideologjia dhe politika e kohës komuniste. Mjafton të kthehemi në kohën e viteve 1980- 1990, atëherë kur shqiptarët në rolin e gjykatësit, prokurorit dhe punëtorit të sigurimit shtetëror (udbës) ishin përdhunuesit më të mëdhenjë ndaj të burgosurve politik! Edhe tani kur jemi në liri, si shtet i pa varur, është e pa mundur të gjejsh një shqiptar të atyre profileve sadiste, i cili të paktën të bëhej sa do pak i guximshëm që të kërkoj falje! Edhe policët shqiptarë në detyrë nuk gjetën kohë të përulen përpara vrasjeve të shumta të vëllezërve t’vetë!

Sa e kujtojnë policët bashkëpunëtorë të ish sistemit, rrethimin dhe vrasjen e Tahir Mehës, rrethimin dhe vrasjen e Rexhep Malës, Nuhi Berishës, rrethimin dhe vrasjen e Afrimi Zhitisë, Fahri Fazliut si dhe Familjen Emblematike të Adem Jasharit. Në këto aksione kriminale të shtetit policor u dekoruan shumë policë shqiptarë! Kam bindjen se një pjesë e madhe e tyre jetojnë lirinë e sotme, njëherit ndjehen komod për të kaluarën, por ndjehen edhe patriotë të mëdhenjë, përderisa mendojnë se është harruar e kaluara e turpshme të tyre. Një e vërtetë e pa mohuar për shumicën në numër nga të gjithë ata që u muarën me këto punë “të ndershme për regjimin” është lakmia personale, shpërblimet financiare drejtë një inspirimi të vazhdueshëm. Edhe pas përfundimit të luftës, forca të errëta ndaj shtetit të Kosovës, (vepruan në emër të UMNIKU-t) shpallën konkurs për shqipëfolës që të regjistrohen si dëshmitarë dhe persona të mbrojtur, nëse ishin edhe kundër UÇK-së! 

Atëherë cilët janë spiunët më  të suksesshëm nëpër kohë? Unë kam bindjen se, janë të gjithë ata persona që bëjnë aktivitete të llojit në fjalë si pasojë e vartësisë  psikologjike nga komanduesi i cili në vazhdimësi ua lyen rrotët e lokomotivës lëvizëse.

Një shpërblim i matur financiar mbi këto veprime përforcon vartësinë  dhe krijon një “sëmundje kronike” të pa kufizuar për misione të tjera spiunimi!

Dihet se për ish pushtuesit ishte normale që të mirren me plane afatgjata ndaj pjatalëpirësve të vendit tonë, duke fillua nga kryeplaku i fshatit, udhëheqësi i komunës, drejtori i shkollës dhe besimtari fetar i fshatit apo qytetit! Kjo përzgjedhje nuk ishte  e rastësishme sepse kështu përmbyllej rrethi për veprim nga poshtë lartë, kurse veprimet e ish politikës nga lartë poshtë, vetëm sa ua rrehnin krahun këtyre shtresave  të përzgjedhura. Kjo strategji e stërholluar e kishte efektin e vetë në mbarëvajtjen e procesit të politikës hegjemoniste serbosllave. Fatëkeqësish edhe sot gjinden mbeturina të kombit të cilat me ëndje  kullosin nëpër livadhet e Serbosllavisë!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat