Kodi i sjelljes së deputetëve imponon rregullore të re të Kuvendit!

Opinione

Kodi i sjelljes së deputetëve imponon rregullore të re të Kuvendit!

Nga: Ismail Muçiqi Më: 20 qershor 2024 Në ora: 12:38
Ismail Muçiqi

Instituti i Kosovës për Drejtësi doli me një raport të detajuar të sjelljës dhe etikës të Deputetëve të Parlamentit të Kosovës. Jemi dëshmitarë se punën dhe mirëvajtjen e Kuvendit të Republikës së Kosovës po e përcjellin në vazhdimësi problemet më të ndryshme duke filluar nga sjellja e kodit të etikës të Deputetëve deri tek papërgjegjësia totale ndaj obligimeve që kanë Deputetët ndaj Institucionit më të lartë të Shtetit dhe ndaj votës së qytetarëve. Në vazhdimësi puna në organet e Kuvendit, në komisione Parlamentare dhe në séanca është përcjellë nga përdorimi i gjuhës jo Parlamentare (gjuhë seksiste, raciste, mizogjene, dhe gjuhës homofobie).

Opinioni është i gërrditur nga mungesa e kulturës dhe edukatës të një numri të deputetëve të cilët në vazhdimësi ja kanë zbehur imazhin Kuvendit të Kosovës. Pothuajse në të gjitha legjislaturat deputetët janë përplasur në mënyrën më jo demokratike ndërmjet grupeve Parlamentare për qka ka pasur edhe raste të përplasjes fizike ndërmjet tyre dhe me kabinetin Qeveritar. Nuk mund ta kalojmë sindromin e papjekurisë politike nga lideri partiak deri tek deputeti i Parlamentit. Mjerisht në vazhdimësi në listat e partive politike për Deputetë kanë hyrë individët të cilët nuk kanë as edukatë elementare e as nivel arsimorë e mos të flasim për pjekuri politike të cilët e kanë degraduar autoritetin e Parlamentit. Kjo tregon se skena politike në Kosovë e cila i bene institucionet e shtetit është larg realitetit të kohës. Në Parlament janë bërë deputet individë të caktuar të cilët janë pjesë e klaneve partiake të grupeve të interesit të cilat e kanë monopolin financiarë dhe fuqinë e vendosjes përmes shërbimeve partiake.

Koha po tregon se shoqëria kosovare ka probleme të ngritjes të vetëdijës për të ndërtuar një shtet demokratik ku cmohet dija, vlera dhe rezultatet e punës në të gjitha sferat. Në këtë drejtim kemi defekte të cilat po e mbajnë peng progresin duke e keqpërdorur lirinë dhe vlerat e demokracisë për interesat personale. Andaj ka ardhur koha që Parlamenti i Kosovës ta hartojë rregulloren për kodin e sjelljes të Deputetëve duke i përcaktuar detyrat, obligimet dhe përgjegjësitë konkrete të Deputetëve duke i përcaktuar në mënyrë konkrete edhe masat dhe sanksionet ndaj të gjithë atyre që e shkelin kodin e sjelljes.

Eshtë e pafalshme që Deputeti i Parlamentit të Kosovës i cili thirret në emër të votës së popullit t'i realizojë të gjitha benefitet për interesat personale e në anën tjetër të sillet në mënyrë të papërgjegjëshme ndaj rregullores dhe ligjeve që kanë dalur nga Kushtetuta e Republikës për ta ndërtuar shtetin duke i respektuar obligimet ndaj votës së elektoratit. Ka ardhur koha që elektorati në Kosovë të mendojë mirë se kujt do ti japë votën kurdo që do të mbahen zgjedhjet. Mbesim me shpresë se më nuk do të ndodh që Deputetët paradite të qëndrojnë në bankat e Gjyktave të akuzuar për vepra të ndryshme e pasdite në Institucionet të flasin në emër të Institucioneve të shtetit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat