Kosova ka shumë servilë të pushteteve

Opinione

Kosova ka shumë servilë të pushteteve

Nga: Faton Mehmeti Më: 18 qershor 2024 Në ora: 17:42
Autori Faton Mehmeti

Menjëherë pas luftës, ata që cilësoheshin si elitë e shoqërisë zhvlerësuan vetën duke u rreshtuar pas liderëve të partive politike. Realisht, pas fjalës "elitë" nënkuptohen qartë politikëbërësit, akademikët, ekonomistët me influencë, si dhe analistët që përcjellin ngjarjet dhe shqyrtojnë arritjet e këtyre elitave. Duke bërë një parantezë të elitës, në retrospektivë të ndërtimit të shtetit po i referohem Platoni.

Platoni shpenzoi shumë kohë duke menduar se si qeveria dhe shoqëria duhet të jenë ideale. Ai ishte mendimtari i parë utopik i kësaj bote. Në librin e tij, "Republika", Platoni identifikon një numër të ndryshimeve që duheshin bërë; sipas tij, ato janë:

a) Ne kemi nevojë për heronj të rinj.

b) Ne kemi nevojë për censurën.

c) Arsimi më i mirë.

d) Fëmijëri më të mirë.

Këto katër elemente përbejnë shtetin ideal; rrjedhimisht, pa këto katër të kuptuar, shteti as nuk është i drejtë, as i pranueshëm për shtresën e ndershme të shoqërisë, aq më pak për elitën e mirëfilltë të saj.

Në një shoqëri normale ku parimet e Aristotelit deri diku respektohen, nuk ka nevojë për heronj. Por në shoqërinë tonë, ku krimi dhe e keqja kanë mbërthyer vendin, heronjtë lindin natyrshëm. Te të qenit hero në Kosovë do të thotë të respektosh familjen, të punosh ndershëm, mos të vjedhësh as shtëpinë as shtetin, të respektosh komshiun dhe të paguash detyrimet ndaj shtetit. Këta janë heronj të mirë, ndërsa heronjtë e këqinj shkaktojnë kriza dhe sjellin shoqërinë në greminë. Heronjtë e këqinj gjithashtu japin joshje për të metat e karakterit.

Prandaj, Platoni donte të jepte Athinës të famshëm të rinj, duke zëvendësuar kulturën e deriatëhershme me njerëz idealisht të urtë dhe të mirë, të cilët ai i quajti Mbrojtësit: modele për zhvillimin e mirë të të gjithëve. Këta njerëz do të dallonin për shërbimin publik që ofronin, modestinë dhe zakonet e thjeshta. Ata nuk pëlqenin të ishin në qendër të vëmendjes dhe kishin një përvojë të gjerë dhe të thellë. Ata do të ishin njerëzit më të nderuar dhe më të admiruar në shoqëri.

Intelektualet, si pjesë e elitës, duhet të jenë zëri i ftohtë kritik dhe ndërtues i dialogut. Megjithatë, duhet të them se ajo që më duket tejet shqetësuese në kategorinë e intelektualëve tanë që mbështesin partitë është mungesa e qëndrimeve kritike ndaj partive që mbështesin. Intelektualet, fatkeqësisht, pranojnë tjetërsimin duke mbajtur rolin që nuk u takon, të caktuar nga liderët në pushtet me shumë lehtësi. Duket sikur frika e humbjes së dashurisë dhe besimit të liderit apo grupit, si dhe frika e humbjes së punës dhe privilegjeve, i bën ata të heshtin ndaj të metave që shohin te lideri apo grupi që ai drejton. Në vend që të prodhojnë ide dhe debate për të mirën e shoqërisë, ata vendosin aftësinë e tyre intelektuale në funksion të sulmeve ndaj kundërshtarit të tyre.

Liderët politikë, të cilët nuk e pranojnë kritikën, ndërtojnë marrëdhëniet me intelektualët në mënyrë vertikale epror–vartës dhe jo në mënyrë horizontale midis të barabartëve. Ata intelektual që nuk iu nënshtrohen liderëve politikë pësojnë nga mekanizmat e shtetit deri tek shpërfillja, marginalizimi, armiqësimi, përjashtimi, demonizimi etj. Derisa të ekzistojë një elitë e mirëfilltë shoqërore, ka shpresë se një ditë do të bëhet mirë; ndryshe, e ardhmja duket e zymtë dhe pa shpresë. Kosova ka mungesë të elitës së mirëfilltë; servilët e pushtetit kurrë s'mund të jenë të tillë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat