Të përkrahet koncepti reformues i Profesor Doktor Jehona Lushaku në shkollat e Prishtinës!

Opinione

Të përkrahet koncepti reformues i Profesor Doktor Jehona Lushaku në shkollat e Prishtinës!

Nga: Ismail Muçiqi Më: 17 qershor 2024 Në ora: 13:04
Autori Ismail Muçiqi

Iniciativa dhe koncepti i reformës, idetë dhe projektet e Profesoreshës dhe Drejtoreshës së Arsimit të Komunës së Prishtinës, Jehona Lushaku Sadriu, janë shpresa e madhe për reformimin e punës në shkollat tona. Më në fund lindi shpresa se në Sistemin e Arsimit të Republikës së Kosovës ka personalitete të njohura me vlerë shkencore dhe me ide organizative për ta ndryshuar punën në shkollat e Republikës së Kosovës. Sistemi i Arsimit me vite ka humbur hapin me trendet e zhvillimit të shkencës dhe teknologjisë krahasuar me Shtetet e Ballkanit dhe ato të Bashkimit Evropian. Pothuajse të gjitha qeveritë e pasluftës dhe ministrat që udhëhoqën Arsimin nuk arritën të ndryshojnë gjendjen në aspektin pozitiv, si në aspektin e kurrikulës dhe programit shkencor. Arsimi në Kosovë ka përjetuar rënje vazhdimisht, duke humbur cilësinë dhe njohuritë e nxënësve dhe studentëve ndaj trendeve të kohës.

Është e dhimbshme që nuk ka pasur asnjëherë një plan strategjik afatshkurtër dhe afatgjatë për zhvillimin e Arsimit, Edukimit, Shkencës dhe Teknologjisë si prioritet kombëtar dhe shtetëror. Drejtoresha e Arsimit të Komunës së Prishtinës, Profesoresha Doktoresha Jehona Lushaku, pas një pune të gjatë studimore, ka paraqitur një projekt reformues për organizimin e mësimdhënies dhe punës në shkollat e komunës. Ky koncept reformues është mirëpritur nga nxënësit dhe prindërit, duke sjellë një ndryshim nga rutina e vjetër dhe duke rritur cilësinë në shkollat e Prishtinës.

Projekti i zonjës Lushaku është prezantuar para një muaji para nxënësve, prindërve dhe autoriteteve arsimore në Prishtinë. Ky elaborat është shumë stimulues për nxënësit, që do të qëndrojnë më shumë orë në shkollë dhe do të përfshihen në mësim praktik dhe teori, siç bëjnë shtetet e zhvilluara të Botës Perëndimore. Nxënësit nuk do të kenë mësim vetëm disa orë, por do të qëndrojnë në shkollë për të gjithë ditën dhe do të ofrohet edhe ushqim për ta. Kjo do të reduktojë angazhimin e prindërve për transportin e fëmijëve.

Është koha që personalitetet e mirëfillta të shkencës të japin kontributin e tyre për reformimin e Arsimit dhe Edukimit, duke ndihmuar në ndryshimin e këtij sektori që ka vuajtur nga mungesa e ideve inovative dhe shkencore. Ne shpresojmë që kritikët dhe kundërshtarët nuk do ta pengojnë këtë iniciativë të rëndësishme për zhvillimin e Arsimit në Kosovë, sepse ky është një imperativ i kohës. Zonja Lushaku, e arsimuar në kolegjet më prestigjioze të Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë në Perëndim, është një shembull i qartë i njerëzve të aftë dhe të përgatitur që mund të ndikojnë në ndryshime thelbësore për vendin tonë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat