Pse shqiptarët (s)’janë të bashkuar si duhet?

Opinione

Pse shqiptarët (s)’janë të bashkuar si duhet?

Nga: Esat Mehmeti Më: 14 qershor 2024 Në ora: 12:54
Esat Mehmeti

Paqëndrueshmeria politike është arsyeja e ngecjes së proceseve demokratike në mes të shqiptarëve. Nuk është jeta që i ndan njerëzit, por është inati, urrejtja, xhelozia, egoizmi, është mungesa e respektit ndaj njëri-tjetrit që krijon ndarje.

Në përgjithësi,shoqëria jonë s’ka qenë kurrë kaq e polarizuar sa sot.Jemi të ndarë për shumëçka.Jemi të ndarë e të përçarë edhe për gjëra tejet të parëndësishme. Jemi të ndarë në çështjen e qëndrimit që duhet mbajtur ndaj pushtetit dhe për pushtet. Është fakt që ne shqiptarët jemi të ndarë e të përçarë në shumë aspekte, por prapambetja ekonomike e diktatura e egër në njërën anë dhe tranzicioni i pakontrolluar mirë në anën tjetër kanë lënë vrragë të pashlyera, por lë t’i lëmë mënjanë ato, apo ndoshta na pëlqen të jemi të përçarë, sepse kështu sundojmë lehtësisht dhe pa u trazuar fare.

Shqiptarët, si çdo popull tjetër i botës, i ka të mirat dhe të këqijat e veta. Posedojmë vese pozitive dhe negative, kemi uljet dhe ngritjet historike dhe të përditëshme.Por, shqiptarët si komb nuk janë vetëm të ndarë, të përçarë dhe të armiqësuar njëri me tjetrin, por në të njëjtën kohë jemi edhe të bashkuar, të miqësuar e të solidarizuar mes veti. Kjo do të thotë; se nuk ka ndarje absolute, por as bashkim absolut.Marrëdhëniet ndërshqiptare nuk zhvillohen vetëm në rrafshin bardhë e zi, ato zhvillohen edhe në rrafshin shumëngjyresh dhe shumë dimensional.Kjo do të thotë; së gjithçka është relative, e mira dhe e keqja, e vërteta dhe gënjeshtra, këta ecin paralel dhe janë të pandashme.

Shqiptarët janë të ndarë, por në të njejtën kohë janë edhe të bashkuar

Në çdo popull ekzistojnë dhe veprojnë ideologji të ndryshme. Këtu nuk bën përjashtim as populli ynë. Ideologjitë janë të shumëllojshme, andaj ekziston pluralizmi i ideve, i mendimeve, i pikëpamjeve. Rreshtimi i shqiptarëve në disa ideologji nuk është tragjedi, por një fenomen i natyrshëm.Mirëpo, ferkimet politike, polemikat e ashpëra, ofendimet reciproke, gara e egër për pushtet, lufta klasore e të tjera veprime të panevojshme si këto, dëmtojnë imazhin tonë kombëtar.

Lufta ideologjike ndërmjet individëve, apo partia me parti, është një humbje e madhe kombëtare, andaj mendoj se nuk na bën nder politika shterpë, por na duhet ideologjia me platformë të përbashkët politike dhe strategji kombëtare, me synim e vizion të qartë kombëtar.

Shqiptarët i ndan edhe karrierizmi. Persona e politikanë të caktuar janë të ngarkuar me egoizëm të thellë, e të pangopur me pushtet e për pushtet, sa që janë në gjendje ta dëmtojnë shoqërinë dhe çështjen kombëtare për hirë të ruajtjes së privilegjeve të tyre dhe pozitës politike.Karrierizmi dhe egoizmi i tepruar shkaktojnë dëme të pariparueshme për shoqërinë dhe çështjën tonë kombëtare në përgjithësi.

Ne, shqiptarëve, na ndan edhe mostoleranca, inati, kokëfortësia, urrejtja ndaj njëri-tjetrit. Ne, nga natyra jemi pak si shumë temperament, nxehemi e hidhërohemi shpejt, por ftohemi dhe pajtohemi shumë ngadalë. Shpeshherë s’jemi tolerant ndaj njëri-tjetrit dhe ngulim këmbë edhe atëherë kur nuk kemi të drejt, edhe atëherë kur argumentet dhe faktet nuk janë në anën e tonë.Shpesh duam të ecim përpara me botën e civilizuar, por kokën e kthejmë prapa, duke marrë të kaluarën, qofshin ato edhe gjëra të tejkaluara e të vdekura. Nuk jemi të sinqertë sa duhet me njëri-tjetrin dhe nuk mësojmë sa duhet nga gabimet tona.

Lufta dhe urrejtja midis individëve, partive politike dhe liderëve partiakë, është shkaku kryesor pse sot shqiptarët si komb janë aq të përçarë dhe aq të ndarë! Kjo është plaga më e madhe, pra, ndarja lokaliste, fisnore, klanore dhe krahinore.Këtë plagë e kemi mjerisht trashegim!

Në njërën anë duhet pranuar; se nuk ka popull në botë që politikanët të krijohen brënda natës sikur që ndodhë me ne. Në anën tjetër nuk po lëmë një udhëheqës që ka vizion të qartë politik e kombëtar, e që duhet vlerësuan, por këta i “vrasim” ideologjikish e mandej politikisht dhe i shpallim tradhëtar ! Në të shumtën e rasteve, liderët tanë me një vizion të lartë politik, shpesh llogariten si tradhtar sepse këta“pengojnë” realizimin e projekteve politike e atyre që merren si “shpetimtar “ të kombit.

Sot, të tilla janë bërë edhe forcat politike në gjithë rrafshin kombëtar. Për fatin tonë të keq, këta nuk po lëvizim nga udhëkryqi dhe me gjasë do të hyjmë në një rrugë njëkahshe-qorre.

Shqipëria dhe Kosova kanë dështuar të unifikojnë faktorin politik shqiptar kudo ndodhen, si ; në Maqedoni, Mal të Zi, Luginë të Preshevës e Çamëri.

Mjafton të përcjellim ekranet televizive të skenave politike, qoftë në kuvend apo deklarata mediatike të disa nga”politikanët”, këta, përveç që japin imazhin e keq, këta janë edhe tepër të neveritshëm.Politikanët tanë,duke mos arritur të merren vesh mes veti, shpesh edhe dalin të humbur. Megjithatë, shqiptarët historikisht kanë pasur mungesë të liderëve që shohin pak më larg, andaj vendi i tyre i preferuar apo streha e fundit ka qenë udhëkryqi, shpesh edhe duke i nëpërkëmbur vlerat kombëtare.Kosova dhe Serbia vazhdojnë të jenë temë diskutimi në instancat ndërkombëtare, duke mbetur në qendër të vëmendjes së diplomacisë globale,ndërsa “miqtë “tanë ndërkombëtarë na “duan shumë”, na hypin dhe na shalojnë sa herë që ata duan, apo duke na thënë “ktheje ti kurrizin që unë të ve çmimin”, shpesh të ndihmuar edhe nga politika zyrtare e Shqipërisë. Andaj, më mirë të hubesh me dinjitet, se sa të fitosh me pazare.Problemet nuk kalojnë duke ulur kokën, por duhet të përballesh me to.Duhet një reflektim më i plotë, një qasje tjetër politike.Shpesh thuhet se i ka kaluar koha patriotizmit, jo, duhet formuar e ruajtur identitetin tonë. Të shkundim pluhurin nga harresa jonë.

Shqiptaret duhet të bashkohen

Shqiptarët duhet ta luftojnë lokalizmin krahinor dhe atë fisnor.Duhet ta kundërshtojnë politikën parcialiste që zhvillojnë disa parti në Shqipëri, Kosovë, në Maqedoni, Luginë të Preshevës, Malësi e Ulqin. Sepse politika parcialiste është politikë ndarëse dhe thellësisht antikombëtare.Të gjitha politikat dhe teoritë të tjera çojnë në ndarje të trojeve etnike shqiptare.

Shqiptarët i ndajnë shumë gjëra, por mbi të gjitha na bashkon gjaku dhe gjuha. Na bashkojnë rrenjët, etnogjeneza e përbashkët.Na bashkon Flamuri Kombëtar. Na bashkon atdheu i përbashket- emri shqiptar.Na bashkojnë gjenet e njëjta dhe formimi ideologjik e shpirtëror.Na bashkon besa dhe burrëria, na bashkon arti dhe kultura e lashtë.

Besa dhe burrëria e veçojnë kombin tonë nga kombët të tjera.Këto janë karakteristikat dalluese të karakterit të shqiptarit.

Andaj, përveç gjakut e gjuhës, besës e burrërisë, artit e kulturës, shqiptarët mbi të gjitha i bashkon atdheu i tyrë i shenjtë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat