Ambasadori Hill vazhdon ta mbështesë Serbinë, a ka gisht lobi serb?

Opinione

Ambasadori Hill vazhdon ta mbështesë Serbinë, a ka gisht lobi serb?

Nga: Faton Mehmeti Më: 14 qershor 2024 Në ora: 10:11
Autori Faton Mehmeti

Në vazhdën e deklaratave të tij skandaloze për një ambasador amerikan, e që janë në kundërshtim me frymën amerikane, ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Beograd, Christopher Hill, pasi kishte bërë deklarata në favor të Serbisë dhe Vuçiqit, duke lavdëruar atë për fleksibilitet në negociata dhe, rrjedhimisht, duke akuzuar Kosovën për mungesën e marrëveshjeve, tani ka bërë një deklaratë të papërgjegjshme. Respektivisht, Hill bëri skandal të radhës duke deklaruar për mediat serbe se aktualisht Serbia është më afër NATO-s se Kosova.

Ngase, sipas Hill Serbisë nuk do t’i kërkohet njohja de jure e pavarësisë së Kosovës për t’u bërë anëtare e Bashkimit Evropian pasi sipas tij evropianët po kërkojnë vetëm normalizim.

Deklarata të tilla vetëm sa frymëzojnë Serbinë në rrugën e saj destruktive, luftë nxitëses për rajonin. Pyetja e parë logjike për secilin njeri do të ishte, çfarë e shtyn z.Hill të bëj deklarata të tilla, përse gjithë kjo anësi e tij në favor të Serbisë.

Hapur shihet se anon kah Serbia, hipotetikisht z.Hill mund të jetë i sponzorizuar nga lobi serb ose e ka bindje personale e sigurt është se nuk përfaqëson politikën, qëndrimin amerikan ndaj Serbisë, Kosovës dhe rajonit. Mirëpo, diplomatët nuk janë për të shfaqur bindjet e tyre personale, ata duhet të përmbahen rregullave të përfaqësimit të politikës së shtetit.

E habitshme se si presidenti Biden ka lejuar deri tani z.Hill të shfaq qëndrime të tilla pa u ndëshkuar apo qortuar. Kosova duhet të ketë qëndrim zyrtar për ambasadorin Hill, mos të kalojnë deklaratat e tija pa reagim, e pakta do të jetë notë proteste për qëndrimet e tija anti Kosovë, rrjedhimisht trimëruese për Serbinë e Vuçiqin për gjakderdhje të reja në Ballkan.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat