12 qershori 1999 - Dita e madhe e lirisë

Opinione

12 qershori 1999 - Dita e madhe e lirisë

Nga: Skënder Kapiti Më: 12 qershor 2024 Në ora: 19:42
Skënder Kapiti

Në historinë tonë kombëtare çdo datë kalendarike ka shënuar në Kosovë një ngjarje të madhe kombëtare, dhe çdo derë shqiptare kosovare ka dhënë dëshmorë për kombin. Më 12 qershor 1999 forcat ushtarake të NATO-s, të udhëhequra nga SHBA-ja, hynë në Kosovë dhe kjo është Dita e Madhe e Lirisë së Kosovës, pasi u dëbuan forcat policoro-ushtarake serbe nga Kosova dhe njëkohësisht mori fund dhe sundimi administrativo-kolonialist i Serbisë mbi Kosovën. Popujt, të cilët lirinë e kanë fituar me sakrifica dhe luftë, festën kombëtare e kanë Ditën e çlirimit. Pra, festa kombëtare e Kosovës është de fakto 12 Qershori 1999, ndërsa 17 Shkurti 2008 është shpallja shumë e vonuar e Deklaratës së Pavarësisë, që është pasojë e gabimit të faktorit politiko-ushtarak të Kosovës.

Shpallja e pavarësisë së Kosovës më 17 Shkurt 2008 ishte faktikisht më së realshmi Njohje Ndërkombëtare e Pavarësisë dhe e Shtetit të Kosovës, që u çlirua dhe u pavarësua më 12 Qershor 1999.

Si Deklaratë Pavarësie apo si prelud i saj shërben edhe Deklarata e Pavarësisë që njihet si e tillë, Deklarata Kushtetuese e ish-delegatëve të Kuvendit të Kosovës me 2 Korrik 1990 për Pavarësi shtetërore dhe territoriale nga Serbia, që ishte sakrifica dhe sfida më e guximshme politike e asaj kohe kundër regjimit ushtarako-policor barbar serb, regjim i cili fshiu edhe Statusin e Kosovës si Krahinë Autonome. Ky akt heroik i deputetëve të Kosovës së asaj kohe ishte sa patriotik së pari aq edhe demokratik dhe vizionar, pasi shpërbërja e ngrehinës Jugosllavi ishte e pashmangshme dhe Statusi i Kosovës si shtet dhe Republikë automatikisht i jepte të drejtën e Pavarësisë Kosovës dhe shkëputjen si nga Serbia së pari, por edhe nga Jugosllavia ashtu siç vepruan Sllovenia, Kroacia e Maqedonia.

Pra, Pavarësia e vitit 2008 ishte vijimësia dhe kurorëzimi i luftës një shekullore të popullit shqiptar të Kosovës kundër kolonizatorit serb, periudhë e cila ka brenda diapazonit kohor saj edhe atë të rezistencën paqësore rugoviane e që kulmoi me Luftën e Lavdishme heroike të UÇK-së, si dhe me ndërhyrjen vendimtare ushtarake të NATO-s të udhëhequr nga SHBA-ja që e çliroi Kosovën më 12 Qershor 1999, luftë e cila pra e vulosi ndarjen përfundimtare të Kosovës nga Serbia, dëbimin përfundimtar dhe dhënien fund të sundimit kolonialist serb mbi Kosovë, pra de fakto kjo është dhe vetë Pavarësia e Kosovës dhe ngjarje më e rëndësishme kombëtare e saj.

Ngjarjet në Shqipërinë e 1997-s

Pikërisht, po atë ditë më 2 Korrik 1990, ndoshta dhe jo rastësisht në Shqipëri ndodhi shpërthimi dhe dyndja e shqiptarëve të Shqipërisë nëpër ambasadat e shteteve evropiane, akt i cili eklipsoi Shpalljen e Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës dhe opinioni botëror e spostoi vëmendjen me atë se çfarë po ndodhte në Shqipëri dhe i la dorë të lirë regjimit serb të përdorte shtypjen dhe persekutimin mbi shqiptarët e Kosovës. Dhe nuk është rastësi as fakti tjetër që në kulmin e represionit serb mbi Kosovë, në Shqipëri ndodhën ngjarjet katastrofike e vitit 1997 dhe ato të vitit 1998 të gati të shpërthimit të një lufte qytetare në Shqipëri, pikërisht në kohën kur në Kosovë regjimi i Millosheviqit kishte 8 vite që bënte gjenocidin dhe pastrimin etnik të heshtur e ”paqësor”, dhe pikërisht në kohën kur në Kosovë po shpërthente pashmangshmërisht Lufta çlirimtare për lirinë dhe pavarësinë përfundimtare të Kosovës nga Serbia. Prej kësaj politike të pastrimit të heshtur etnik të Kosovës pati përfitues të mëdhenj kontrabandë dhe trafikantët e qenieve njerëzore të politikës dhe të pushtetit të atëhershëm në Shqipëri, ashtu sikurse me kontrabandën dhe shkeljen e embargos së karburanteve, pra e marrëdhënieve të errëta me Malin e Zi dhe me Serbinë, ashtu sikurse dhe tërë periudha e regjimit komunist që gjithë “ndihmesa” për Kosovën dhe çështjen e saj ishin disa “kërcënime”e shkrime “bombastike”në gazetën e Partisë Punës Shqipërisë, “Zëri i Popullit”. Patriotizmi i periudhës së enverizmit ishte i burgosur brenda kornizës ideologjike marksist-leniniste, regjimit të internacionalizmit proletar dhe revolucionit internacionalist, regjim që harxhonte miliona dollarë për propagandë ideologjike dhe financime të parave të popullit të varfër të Shqipërisë për grupe dhe organizata botërore marksist-leniniste. Regjimi komunist në Shqipëri që i bëri gjëmën vetë Shqipërisë e si mund ta ndihmonte çështjen kombëtare të Kosovës, kur ai e kishte shpallur armik të tij Perëndimin demokratik evropian dhe SHBA-në, të cilët e çliruan Kosovën më 12 Qershor të vitit 1999?

Indiferentizmi i Tiranës

Këto fakte dhe shumë të tjera si këto ka akoma, po i përmend këtu për të treguar madhështinë e rrallë të luftës dhe rezistencës së pashoqe të popullit martir shqiptar të Kosovës për Liri dhe Pavarësi, luftën gati një shekullore edhe për të bindur Evropën fajtore për padrejtësitë që i kishte bërë edhe ajo Kosovës. Luftë e përpjekje mbinjerëzore të shqiptarëve të Kosovës për Liri e Pavarësi, edhe pse politika e Shtetit shqiptar nuk ka treguar interesimin, përkrahjen dhe vëmendjen e duhur për shqiptarët jashtë Shqipërisë londineze, pse jo në shumë raste e në vazhdimësi politika e Tiranës me indiferentizmin e saj dhe për interesa të ngushta politike, ideologjike dhe pushteti personal edhe i ka bërë dëme të mëdha çështjes kombëtare të shqiptarëve të Kosovës, dhe jo vetëm të Kosovës, por edhe të vetë Shtetit shqiptar, madje.

Me Deklaratë Pavarësie kuptohet sqarimi pse një komb shpall Pavarësinë, ashtu siç bënë amerikanët më 4 Korrik të vitit 1776, dhe më pas meqenëse britanikët nuk e pranuan Pavarësinë, atëherë u zhvillua lufta për Pavarësi. Por, në Kosovë përderisa Lufta çlirimtare e UÇK-së dhe e NATO-s e çliruan Kosovën nga pushtuesi dhe barbarizmi kriminal serb, nuk ishte aspak e nevojshme as të vonohej dhe as të pritej 9 vite që të shpallej formalisht Pavarësia, pasi vetë ndërkombëtarizimi dhe ndërhyrja vendimtare ushtarake e NATO-s e kishte “sqaruar” mirë si Rusinë e atëhershme, ashtu si edhe Serbinë shoviniste dhe miqtë e tjerë të saj se Serbia e kishte humbur sovranitetin mbi Kosovën, pasi me Kosovën Serbia ka qenë në luftë pothuajse 100 vite, se Serbia e kishte humbur edhe betejën paqësore të paraluftës me Kosovën e udhëhequr nga I. Rugova.

Faktori ushtarak dhe politik i Kosovës po edhe i Shqipërisë duhej ta shfrytëzonin këtë shans të artë historik, që u erdhi nga përkrahja e SHBA-së dhe e Evropës demokratike dhe ta shpallnin Pavarësinë e Kosovës menjëherë sapo Kosova u çlirua nga sundimi serb. Faktori ushtarako-politik shqiptar, ashtu siç veproi kompaktësisht në Rambuje, duhej ta shfrytëzonte në maksimum faktin e rrënimit ushtarak, politik e diplomatik të Serbisë, si dhe diskreditimin ndërkombëtar të saj si shtet terrorist, kriminal dhe gjenocidist, dhe se Serbia akoma kishte atëherë në pushtet Milosheviqin, dhe shansi tjetër ishte fakti se në Rusi ishte në pushtet Boris Jelcin, një demokrat që nuk kishte marrëdhënie të mira me regjimin e Millosheviqit.

Politikanët shqiptarë në atë kohë nuk duhej t’i mbërthente euforia, as përçarja politike dhe as synimet e interesat e ngushta personale për pushtet, por duhej ta projektonin strategjinë e menjëhershme për shpalljen e Pavarësisë, pasi kishte potencialet edhe ushtarake, edhe politike edhe diplomatike për ta ndërmarrë këtë veprim. Edhe nëse ndërkombëtarët atëherë nuk do të ishin dakord, por e them me bindje se kjo për ata do të kishte qenë e përkohshme dhe shumë shpejt do ta kishin pranuar edhe ata Shpalljen e Pavarësisë menjëherë pas çlirimit të Kosovës, pasi Serbia e mundur dhe e dobësuar dhe shumë e diskredituar botërisht nuk kishte as besimin dhe as takatin për të kundërshtuar dhe jo më për të lobuar kundër Pavarësisë së Kosovës. Bindja ime se edhe shtetet kryesore perëndimore do ta njihnin Shpalljen e Pavarësisë së Kosovës edhe sikur shqiptarët do ta shpallnin atë më vjen prej asaj se pas shpalljes formale të saj me 17 Shkurt 2008, menjëherë zinxhir dhe në një kohë rekord ajo u njoh nga pjesa më e madhe e shteteve të kombeve demokratike. Këtë mendim unë e kam pasur që atëherë dhe madje ua kam  thënë edhe shumë atyre, që u bënë politikanë dhe pushtetarë karriere pastaj në Kosovën e çliruar  pas 12 Qershorit 1999.

Kosova pas pavarësisë

Kosova për 9 vjet ishte pjesë e administrimit ndërkombëtar, kështu pra, kryesisht për fajet, për paaftësinë dhe për papërgjegjshmërinë dhe për pa strategjinë kombëtare të politikës shqiptare në përgjithësi që nuk diti që ta shfrytëzojë si duhet këtë shans të madh historik , por i dha mundësinë dhe kohën Serbisë që të rikuperohet e të kalojë në ofensivë paqësore por siç a ka historikisht zakon me shpifje, intriga, me fabrikime e falsifikime akuzash kundër luftës dhe sakrificave të mëdha të shqiptarëve të Kosovës me qëllim për të penguar si shpalljen e pavarësisë ashtu dhe duke lobuar e penguar njohjet ndërkombëtare të saj.

Edhe ndërkombëtarët, NATO dhe SHBA, që e çliruan Kosovën gabuan rëndë dhe u vetëmashtruan se duke e vonuar dhe penguar Shpalljen e Pavarësisë së Kosovës sapo u çlirua ajo më 12 Qershor 1999, pasi ata shpresonin se do t’i mbushej mendja Serbisë për ta pranuar më pastaj Pavarësinë e Kosovës se demokratizuar. Por fajin kryesor për këtë gabim e kanë politikanët shqiptarë se ata duhej të ishin më të interesuar për interesin kombëtar shqiptar, për shpalljen në atë moment të Pavarësinë, pasi askush tjetër në botë nuk i njeh mashtrimet, spekulimet, intrigat, shtirjet, gënjeshtrat e serbëve ashtu si dhe krimet dhe barbarizmat e tyre më mirë sesa shqiptarët e Kosovës, që e kanë pësuar nga kolonizatori serb që prej vitit 1912. Vonesat si në kryerjen e veprimeve kombëtare dhe të reformave demokratike edhe sot si në Shqipëri dhe në Kosovë i kanë lënë shqiptarët jashtë dyerve të integrimit evropian akoma, dhe kjo krejtësisht për fajet e politikanëve shqiptarë.

Nëse do ishte shpallur  Pavarësia e Kosovës menjëherë pas clirimit të saj, edhe rrjedha e njohjeve ndërkombëtare dhe ajo e integrimit të Kosovës në organizma ndërkomBëtarë do kishte qenë shumë e shumë më e sukseshme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat