Çerek shekull lirie

Opinione

Çerek shekull lirie

Nga: Faik Miftari Më: 12 qershor 2024 Në ora: 17:57
Autori Faik Miftari

Me 12 qershor 2024 mbushen 25 vite, çerek shekull, kur trupat e KFOR-it hynë në Kosovë, pas bombardimeve të vazhdueshme 77 ditore të Aleancës Veri-atlantike të NATO-së në misionin e tyre të ashtuquajtur humanitar për ndalimin e spastrimit etnik të shqiptarëve të Kosovës nga pushteti ushtarak, policor e shtetëror serb.

Në historinë e mijëvjeçarit të dytë të Kosovës, ushtrinë serbe dhe pushtetin shtetëror serb mbi Kosovën e shporrën, për herë të parë Perandoria Osmane në vitin 1389, për herë të dytë Perandoria Austro-hungareze në vitin 1915, për herë të tretë Gjermania në vitin 1941, dhe për herë të katërt, të fundit dhashë Zoti, Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vitin 1999.

25 vite pas, në ditën e 12 qershorit, më bien ndërmend kujtimet e hidhura të periudhës më të vështirë të luftës në Kosovës, prej 24 marsit e gjer më 12 qershor 1999, me ç’ rast si njëri nga pjesëtarët e shumtë të popullit shqiptar, përjetuam ”live” tmerrin dhe terrorin e ushtruar të paparë të pushtetit serb në Kosovë. Me të vërtetë këto 77 ditë të përjetuara në ankth, më sillen vërdallë në kokë, çdoherë kur afrohet 12 qershori, dita e çlirimit të Kosovës si dhe dita më e rëndësishme në historinë më të re të Kosovës. Shpeshherë mendohem, vallë a thua do të ishte më mirë të isha larguar në atë kohë nga Kosova, se sa që mbeta i ngujuar dhe në ankthin e pritjes së vdekjes çdo ditë. Tani, pas çerek shekulli të kaluar, me të vërtet kam qenë “budalla” që qëndrova dhe përjetova presionin e paparë psikologjik të luftës në Kosovë. Më mirë do të ishte të isha në njërën prej kampeve të refugjatëve në Shqipëri, Maqedoni, Mali i Zi, apo me pushkë në dorë në radhët e UÇK-së diku në mal, se sa qëndrova i ngujuar, i mbyllur dhe në ankth të vdekjes në qytetin e Prizrenit në Kosovë.

Çast më i vështirë gjatë gjithë kohës së bombardimeve të NATO-së gjatë 77 ditëve pareshtur në Kosovë, ka qenë dita kur ushtria dhe policia serbe kryen bastisjen e shtëpive për t’i mbledhur neve shqiptar dhe për të na dërguar me forcë në hapjen e istikameve në afërsi të kufirit kosovaro-shqiptar. Vetëm një Zot i madh më shpëtoi për të mos bijë në duart e tyre, pasi që së bashku me nipat e mi isha strehuar në një vend prapa shtëpisë, edhe pse u afruan bukur shumë, policët serb nuk na diktuan në vendin e strehuar.

13 qershor 1999, do të mbetet ditë e shënuar me shkronja të arta në historinë më të re të qytetit të Prizrenit, kur trupat e KFOR-it gjerman hynë dhe çliruan Prizrenin, ka qenë ditë që vetëm mund të përjetohet e assesi nuk mund të përshkruhet, duke parë gjithë atë erupsion të gëzimit të qytetarëve prizrenas pas plot 77 ditësh të ngujimit dhe të pritjes në frikë dhe ankth të lirisë. Gjatë jetës sime janë 3 ngjarje që kanë mbetur në kujtesë dhe kanë lënë mbresa të përhershme, e para, dita kur kam kryer shërbimin ushtarak në ish armatën jugosllave, e dyta, dita kur kam diplomuar në fakultet, e treta, dita kur kam përjetuar çlirimin e qytetit tim të Prizrenit, dhe të Kosovës në përgjithësi.

13 qershori 1999, për babain tim, tani të ndjerë, ishte gëzimi dhe çasti dytë i përjetimit të çlirimit të qytetit të Prizrenit nga ushtria gjermane, për herë të parë ka qenë viti 1941 kur Qazim Bllaca së bashku me trupat gjermane erdhën nga drejtimi i Ferizajt dhe çliruan Prizrenin nga ushtria serbe e cila sapo kishte nisur me djeg qytetin, ndërsa për herë të dytë ishte përjetimi i tij në moshë të shtyrë të çlirimit të Prizrenit me 13 qershor 1999 përsëri nga ushtria gjermane. Si sot më kujtohen shpesh fjalët e babait tim, për ngjarjen e rrëfyer në fillim të vitit 1944 në Prizren. Atë ditë, në qendër të qytetit, në Shatërvan të Prizrenit para masës së tubuar të popullatës së qytetit, u drejtua me një fjalim koloneli Shmit-huber i cili përveç tjerash tha: “dëgjoni këto fjalët e mi, qytetarë të Prizrenit, të dini gjersa të jetë prezentë këtu këmba e gjermanit, këtu do të jetë Shqipëria, atë ditë që këmba e gjermanit largohet nga këtu, do të rikthehet prapë Serbia (Jugosllavia)”. Me të vërtetë edhe ashtu ndodhi, nuk kaluan as 6 muaj në nëntor të vitit 1944 përsëri u rikthye Serbia(Jugosllavia) në Kosovë.

Shqiptarët në përgjithësi, e ne të Kosovës në veçanti përherë jemi falënderues për aleatët në krye me SHBA-të për kontributin e tyre ushtarak për çlirimin e Kosovës dhe sjelljen e lirisë në Kosovë që po e gëzojmë, e cila tani u bë një çerek shekull, në misionin e tyre të ashtuquajtur humanitar që ndërmorën për shpëtimin e popullit shqiptar të Kosovës nga pushtuesi dhe okupatori serb.

Çerek shekulli pas edhe pse Kosova po frymon e lirë, shtetësia e saj akoma nuk ka përfunduar sipas drejtës ndërkombëtare, pasi që Republika e Kosovës nuk është pranuar akoma si shtet anëtare e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, anëtare e Bashkimit Evropian, anëtare e Aleancës Veri-atlantike të NATO-së, si dhe organizatat tjera ndërkombëtare. Çerek shekulli pas, edhe pse në Kosovë akoma janë prezent forcat ushtarake të KFOR-it, Republika e Kosovës duhet çdo vit të ndajë sa më shumë mjete financiare nga buxheti i saj për fuqizimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Policisë e Kosovës, e sidomos në armatimin sa më të sofistikuar, që të jetë e gatshme të mbrohej nga sulmi eventual nga Serbia.

marrë parasysh politikën aktuale të Serbisë në Ballkan, karshi shtetit të Bosnjës e Hercegovinës si dhe mos pranimit dhe mos njohjes së Republikës së Kosovës, të cilën Serbia haptas e proklamoi në Deklaratën për mbrojtjen e drejtave kombëtare dhe politike të popullit serb, në tubimin e organizuar nën sloganin ”Një popull, një kuvend-Serbia dhe Sërpska” në të cilin dokument është futur edhe Kosova si ”pjesë e patjetërsueshme e Serbisë” me ç’ rast Kuvendi gjithë serb “mbështet përpjekjet e Republikës së Serbisë për ruajtjen e integritetit territorial dhe sovranitetit, të garantuar me ligjin ndërkombëtar, Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara”. Rreziku permanent gjithnjë ekziston nga Serbia, duke marr parasysh se Serbia me të madhe është duke u armatosur, dhe si e tillë gjithnjë do të paraqet rrezik për Kosovën, duke shfrytëzuar ndërrimin eventual të raporteve gjeopolitike në Ballkan dhe në botë, për të depërtuar në Republikën e Kosovës.

Kosova duhet të përgatitet dhe të forcohet ushtarakisht maksimalisht që është e mundur, për të mbrojtur veten nga depërtimi eventual ushtarak i Serbisë, pasi që një kërcënim i tillë është i mundshëm dhe real vetëm nga Serbia, për dallim nga shtetet tjera me të cilët kufizohet Kosova, Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut, me të cilët Kosova ka raporte fqinjësore të mira, dhe nuk paraqesin kurrfarë kërcënimi eventual për Republikën e Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat