Shqiptari, 83 apo 33 vjet kokë gomar...dari!

Opinione

Shqiptari, 83 apo 33 vjet kokë gomar...dari!

Nga: Xhevat MUSTAFA Më: 12 qershor 2024 Në ora: 14:11
Foto ilustrim

Halli të çon dhe në derë të hasmit...,thotë populli ynë trim e demokraci dashes!- shkruante sot fare shkurt një miku im, emigrant apo azilant politik në Belgjikë, duke iu referuar festës së rremë të 33 vjetorit të sajimit të PS-së apo të ndërrimit për të tretën herë të emrit dhe flamurit... Duke e vazhduar me një zgjerim të lehtë mendimin dhe shqetësimin e tij, vendosa t’i përgjigjem me këtë shkrim konciz. Për shumicën e shqiptarëve të vërtetë, të thjeshtë, të varfër...12 qershori 1991 është më shumë ditë zie se sa feste! Kjo shprehet edhe nga një fakt i përjetueshëm, sa historik, aq edhe aktual! Në shumicën e vendeve të Evropës Perëndimore, sidomos të atyre të mbledhur në BE, që kanë POPUJ dhe standarde shumë më të larta zhvillimi, mirëqenieje, emancipimi qytetar dhe demokratik, shtetesh ligjorë...,janë dhe vijnë në qeveri parti të djathta e të qendrës së djathtë! Ndërsa në Shqipëri prej 80 vitesh, përfshirë edhe 13 vitet e qeverisjes nga PD, që kishte vetëm pushtetin politik se atë ekonomik e kishte rrëmbyer PS qysh para 22 marsit 1992, vazhdon të na i nxijnë jetët dhe Shqipërinë qeveritë gjase të majta, që “nuk kuptojnë” në SHQIP as socializëm zviceran e nordik, as zgjedhje të lira e të ndershme, as rrotacion, as dorëheqje...!?

Pra, vetëkuptohet fare lehtë se koka dhe hallet kanë 83 vjet apo mbi 33 vjet pas 1990-tës, që na kanë lënë në duart e nën këmbët e Enver Hoxhës, Ramiz Alisë, Fatos Nanos, Edi Ramës..., të "vëllezërve serbë, rusë, kinezë..." të tyre e të trashëgimtarëve të tyre, veshur me kostume e të brendshme firmato e herë herë me brekushet e Haxhi Qamilit...!!!??? I angazhuar apo tejzënë me veprimtarit partiake për këtë “ditëlindje apo rilindje” të tretë, Edi Rama, nuk mundi të shkonte as në Prizren për të festuar me “motrat dhe vëllezërit kosovarë” dy ngjarje të tjera madhore e me rëndësi e shtrirje mbarëkombëtare, 25 vjetorin e Çlirimit të Kosovës dhe 146 vjetorin e Lidhjes së Prizrenit. Por, mendja të shtyn të mendosh se “mbetja rob” e Edi Ramës në “Tiranën e partisë së zemrës e të xhepave të panumërt e të pafund”, mund të ketë edhe një arsye tjetër. Ndoshta nga që janë të dyja ngjarje historike qartësisht antiserbe?! Po sikur t'i mbetej hatëri e të zemërohej fort Vuçiçi...??? Si do të justifikohej dhe mbrohej ai...?

Si do t’ia mbushte mendjen se kishte ardhur thjeshtë për qokë e kamera...? Mundet që Edi Rama të justifikohet me kartën se ishte në Prishtinë më 10 qershor 2024 dhe e ka bërë qokën. Dy ditë më herët kryeministri Edi Rama ishte në Prishtinë, me ftesë të kryetarit të LDK- së, Lumir Abdixhiku e mori pjesë në Konferencën Ndërkombëtare "Rugova dhe Perëndimi"! Le ti shmangim takimet dhe jo takimet, fjalimet e tij prej "lideri global", "kumbullat e pjekme e të papjekme" që këputi; nderet që i bënë e nuk i bënë, por ta vështrojmë këtë vizitë të Edi Ramës në Kosovë me sy, mendje e xhepa qytetari të thjeshtë, për të mos thënë fjalën e rëndë, të varfër! Sikur kryeministri 11 vjeçar i Shqipërisë të ndiente e mendonte si qytetar i zakonshëm, me siguri nuk do të kalonte rrugës pa i parë nga dritarja e veturës së tij luksoze apo e xhipit jo më pak të kushtueshëm, tabelat elektronike në pikat e karburanteve të të dy shteteve me çmimet përkatëse. Por nuk jam i sigurt nëse ka ndier keqardhje, turp nga vetja, pendesë...

E pra, çmimet e karburanteve në "Shqipërinë e tij", vend prodhues nafte, janë rreth 50 cent ose 50 lekë më të shtrenjtë se në Kosovë, vend jo prodhues!? Për më tepër, që një pjesë të karburanteve, që i duhen, Kosova e blen jo fort lirë nga Shqipëria Nënë apo motër, që i ka dalë më së shpeshti si "njerkë e keqe"...!? Nëse do të kishte kohë të futej, gjithnjë si qytetar në një supermarket në Prishtinë, a do të ndjente vallë kryeministri Edi Rama befasi, çudi, përgjegjësi...që edhe çmimet e artikujve ushqimorë të konsumit të përditshëm jetik, si uji dhe lëngjet me fruta, buka, qumështi, kosi natyral e me fruta, djathërat dhe gjizërat, gjalpi, mishi, sallamet, mjalti, reçelrat, birrat, verërat, artikujt e higjienës personale e familjare, ato farmaceutike..., domethënë shumëçka, në Kosovë janë rreth 25- 50% më të lira!!!?

Për rastësi, po dje në Gjermani, ku pas 2 ditësh fillon Kampionati Evropian i Futbollit, ku ka meritën të marrë pjesë edhe ekipi ynë kombëtar, çmimi i 1 litri qumësht lopësh gjermane, holandeze, belge... e jo pluhuri serb, ukrainas, moldav, rus...prej shumë vitesh në thesë e magazina e “prodhim për shifrat”, kushtonte 95 cent deri në 1 euro..., ndërsa në Shqipëri sot më 12 qershor po 1 litër qumësht allashqiptarçe kushton 135-150-185...lekë!? Këtë fakt apo të vërtetë mund ta shikojnë me sytë e tyre edhe plot tifozë nga Shqipëria, që ua kanë lejuar të ardhurat, xhepat, kuletat të futen në stadiumet ku do të luaj ekipi ynë me atë italian, spanjoll e kroat...! Po unë si ia lejoj vetes "gabimin trashanik" apo “foshnjarak” të fantazoj apo çoj ndërmend se Edi Rama mund t`ia lejojë vetes apo ta lejojë veten të bjerë aq poshtë sa të shikojë, ndiej, mendojë si qytetar...i thjeshtë???!!!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat