Qershori i lirisë në Kosovë

Opinione

Qershori i lirisë në Kosovë

Nga: Dedë Preqi Më: 11 qershor 2024 Në ora: 12:26
Dedë Preqi

Regjimi i egër serb shkakëtoi më shumë se një shpërthim vullkanik, me një përgjasim të një eksplodimi farcash të panjohura të një populli fisnik dhe liridashës, i cili nuk mund ta duronte gjithë atë padrejtësi dhe mizori mbi kurrizin e vet.

Robëria dhe shtypja e një regjimi fashist ishte pjesa më e rëndë e jetës së popullit shqiptar, që lë gjurmë të pa shlyera në kujtesën e tij, të cilat herë pas herë shpërthejnë nga plagët e pa shëruara, dhe duke kujtuar qëndresën dhe shpresat e zemrave të pa thyera të këtij populli.

Nga këto rrethana, e tanishmja zë një vend të veçantë në rrjedhën e kohës njerëzore, duke i kujtuar ato zemra të forta, që qepeshin nga ndjenjat e ngurta të dhembjes krenare, dhe sot në thirrje të kujtimit të përjetshëm të trimave të lirisë, u thëmi me krenari -lavdi e përjetshme trupava të NATO-s, dhe dëshmorëve të lirisë, që me gjakun e tyre vendoset edhe themeli i pavarësisë së Kosovës.

Nga kjo kohë e tragjedisë njerëzore edhe sot ka mbeturina që kanë lënë shkakëtarët e tillë të këtyre tragjedive, që dashur e pa dashur na tërheqin pas vetës, të cilët po i shalojnë kuajt e tyre të llastuar dhe pa frenjë në zemër të Ballkanit dhe Evropës.

Dhe për ne, nuk është ndonjë befasi e çuditshme, por është dëm i madh për Evropën, e sotme që dikush akoma nuk da ta besonte helmin e kurdisur dhe vuajtjet e këtij populli, që edhe sot ky regjim i njejtë serb, sikur duan të na imponojnë edhe ajrin që e thithim në natyrë.

Sot Kosova e feston një çerekshekulli në liri dhe …pavarësi, megjithatë në këtë vend mungon diçka e mirëfilltë dhe e sinqertë, sepse po pengohet dhe kërcënohet të përfillet realiteti kuptimplotë me faktin që liria e këtij vendi të trajtohet si e shenjtë, poashtu edhe paqja bashkë me lirinë si dy simotra të çmuara, që nuk bëjnë pa njëra-tjetren.

Dhe sot edhe bota po e vërenë se çka po vepron Putini me ushtrinë e vet ruse, për t’a pushtuar Ukrainën sovrane, mbi të cilën po bëhët luftë e pa drejtë dhe mbi popullatën e pa fajshme, ku për shkak të bombardimeve nga ushtria ruse, me miliona njerëz largohen nga vendbanimet e tyre, duke u vendosur në ndonjë vend të sigurtë jashtë vendit të vet.

Dhe pa pritmas fillon edhe një luftë tjetër me prirjen e urrejtjes në mes Izraelit dhe forcave të Hasbullahut në Palestinë, megjithatë ky skenar i ka rrënjët e thella nga e kaluara, dhe Hamazi, si një organizatë e njohur terroriste, sulmon shtetin hebre, duke shkakëtuar një moment delikat dhe shumë prekës, me humbjen e shumë viktimave, ndër ta edhe shumë fëmijë të pafajshëm.

Një luftë e pa drejtë u zhvillue para 25 viteve edhe kundër shqiptarëve të Kosovës, ku ushtria dhe paramilitarët serb të Millosheviqit, me tendencë për ta robëruar dhe kolonizuar këtë vend, shkakëtuan masakra dhe gjenocid ndaj një populli, i cili rezistoi deri në fund, duke derdhur shumë gjak për ta fituar lirinë dhe shtetin e vet të lirë e sovran.

Sa herë që vijnë dhe ndërrohen stinët në Kosovë, pothuaj se kortezhet e njerëzve nuk ndalen, duke bërë homazhe për dhembjen por edhe për krenarinë e më të dashurve të tyre, që e dhanë më të shtrenjtën për këtë tokë, ku shpeshherë ndizet gjaku dhe vështirë që pajtohen zemrat, kur loti i nënave akoma s’terët, duke pritur eshtrat e bijave dhe bijëve të vet, të atyre lulediejve të pa vdekshëm.

NATO, do të ishte dielli më i madh i kësaj bote, që padyshim e përjetojë ky popull për herë të parë në jetën e vet, dhe UçK, ishte rrezja që e shëndriti dhe i dha frymë dhe jetë këtij populli dhe kësaj toke, që ta kthejnë këtë vend në tokën e pasaardhësve të vet, dhe për ta përhapur jetën përsëri.

Dhe peshën e turpit të krimit dhe gjenocidit, përherë duhet ta ndjejë Serbia dhe udhëheqja e saj kriminale, sepse është pasqyrim i destruktivitetit shoqëror, që për demenzion të vetëm kishte dhunën dhe krimin, jetën e ndrydhur e të robëruar.

Dhe sikur njeriu nuk mundet të jetë njeri i lirë pa sakrifica, dhe në kërkim të hapësirës reale dhe të vetë ekzistencës, do duhej të rezistojë dhe gjakoj për lëvizjen dhe jetën e vet të lirë, dhe sa do fatale që do duken humbjet dhe shkatërrimet, askush nuk mund ta mohojë atë që është pjekur brenda zemres së këtij njerëzimi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat