Asgjë e re nga Fronti i Lindjes në “Botën serbe”!

Opinione

Asgjë e re nga Fronti i Lindjes në “Botën serbe”!

Prof. Dr. Enver Bytyçi Nga Prof. Dr. Enver Bytyçi Më 11 qershor 2024 Në ora: 08:02
Terroristët serbë në Banjskë, 24 shtator 2023

Të dielën u zhvillua parada e asaj që quhet “Bota serbe”! Ceremonia e kësaj parade u zhvillua në Beograd. Në të morën pjesë deputetët dhe zyrtarë të lartë të Serbisë, Republikës Srpska, si dhe ata të Listës Srpska të Kosovës. U përfaqësuan në këtë asamble paradë edhe përfaqësuesit e Kishës Ortodokse të Serbisë, si dhe anëtarët e akademive të Shkencave të Beogradit dhe Banja Lukës. U konstitua një organ jo legjitim, por që paraqet rrezik për paqen dhe stabilitetin e rajonit të Ballkanit Perëndimor. U miratua dhe një dokument, të cilin parlamenti i Republikës Srbska do ta miratohet në korrik, d.m.th në kohën kur nga këta serbë u krye para 25 vitesh Masakra e Srebrenicës.

Manifestimi i 8 qershorit ishte një lloj demonstrimi force kundër Perëndimit, kundër popujve dhe shteteve të tjera të rajonit e sidomos kundër Kosovës, shqiptarëve, si dhe kundër boshnjakëve dhe Bosnjë-Hercegovinës. Ai manifestim i ngjante mitingut të madh të Milosheviçit në Fushë-Kosovë të 28 qershorit 1989, me rastin e 600 vjetorit të Betejës së Fushë-Kosovës. I ngjan gjithashtu të gjitha fushatave destabilizuese në kërkim të Serbisë së Madhe. I ngjan memorandumeve të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Serbisë për asgjësimin e elementit shqiptar në Ballkan e sidomos në trevat e ish-Jugosllavisë. Por ka një qasje edhe si ato të memorandumeve të Sinodit të Kishës Ortodokse të Serbisë.

Në Beograd u bënë të shtunën të gjithë bashkë; - Politikanë e liderë politikë, akademikë dhe anëtarë të akademisë së shkencave, profesorë dhe studentë, kryepeshkpoi i KOS-it dhe peshkopë të shumtë, deputetë, ministra e shumë diplomatë të Serbisë, për të dëshmuar, siç thanë ata, solidaritetin pan-serb në luftën kundër popujve të tjerë jo-serbë të Ballkanit Perëndimor. Pra u bënë bashkë të gjitha elitat serbe në Ballkan me qëllim që të mobilizohen për mbrojtjen e asaj që Aleksandër Vulin e quan “Bota serbe”! E njëjta praktikë është zhvilluar së paku që nga viti 1889, kur Mbreti i Serbisë, tentoi të zhvillonte një miting në Kosovë me rastin e 500 vjetorit të Betejës së Fushë-Kosovës. Por asokohe Sulltan Hamiti II nuk pranoi që në territorin osman (Kosovë) të shpalleshin programet e Serbisë së Madhe. Pati kundërshti edhe nga Fuqitë Evropiane.

Pra, prej 135 vitesh asgjë nuk ka ndryshuar në Serbi. As në mentalitetin e saj, as në praktikat që ajo përdor për të destabilizuar rajonin e Ballkanit dhe ripushtuar territoret shqiptare e më gjerë. Asgjë të re nuk pati gjithashtu të shtunën në manifestimin ultranacionalist të serbëve në Beograd. Kërcënime ndaj jo-serbëve në rajon, pra përpjekje të dukshme për destabilizim. E njëjta retorikë: - Me tezën e “persekutimit të serbëve” që jetojnë në Kosovë, në Mal të Zi dhe në shtetin e Bosnjë-Hercegovinës. Të kujtojnë Milosheviçin e 28 qershorit 1989, kur u thoshte serbëve në Kosovë se “Nga sot askush nuk do të guxojë t’ju dhunojë e persekutojë më ju”! Dhe pas kësaj dihet se çfarë ndodhi – Jugosllavia u shpërbë – Serbia u mobilizua për luftë kundër të gjitha republikave dhe kundër Kosovës – Në fund krijimi i 7 shteteve që dolën pikërisht nga shpërbërja e Jugosllavisë.

Po tani çfarë do të ndodhë? E sigurt është se të gjithë politikanët serbë në Serbi, në Republikën Srpska dhe në Kosovë duan të strehohen nën çatinë e nacionalizmit ultrashovinist. Milorad Dodik, Aleksandër Vulin, kryeministri i ri i Serbisë, ministri Ivica Daçiq e disa të tjerë janë më entuziastë për këtë, sepse i besojnë Botës ruse të Vladimir Putin dhe Aleksandër Dugin në Moskë.  Dodik sapo u kthye nga Petersburgu, ku takoi presidentin Putin. Nuk ishte rastësi vizita e tij dhe takimi me Putin pas përpjekjeve të fundit për shpalljen e Republikës së Pavarur Srpska dhe në prag të këtij takimi të madh nacionalist të së shtunës në Beograd. Të gjithë këta ishin shumë optimistë për atë që po ndodhte dhe janë gati që të ndezin sërishmi një konflikt tjetër në Ballkan në emër të Serbisë së Madhe.

Por, presidenti Vuçiq ishte i dyzuar. Ndërsa fliste për Botën serbe, thoshte se respekton DAYTO-n dhe vendimet e tij për krijimin dhe funksionimin e shtetit të Bosnjë-Hercegovinë. Foli për unitet, për kohët e vështira që e presin Serbinë, por u angazhua për “paqe”! Pra, vetëm Vuçiq shfaqi dualitetin e vet, me të cilin ka operuar gjatë një dekade. Dhe me këto dy fytyra e kanë besuar perëndimorët. Mendon se do ta besojnë sërishmi. A do t’ia dalë? Nuk besoj! Sepse janë bashkëpunëtorët e tij në qeverisje po e dekonspirojnë atë vazhdimisht. Sepse është Kisha Ortodokse dhe Akademia serbe që vendosin për rrugën që do ndiqet. Ai pushtetin e tij e mbron me nacionalizmin e këtyre aktorëve në Serbi. 

Dhe në thelb është i detyruar të veprojë sipas programeve kishtare dhe akademike të përkrahura nga shumica dërmuese e politikanëve serbë, pra për “Botën serbe” edhe me mjete ushtarake. Për pasojë nuk ka ndodhur të shtunën diçka e paparashikuar! Gjithçka që u bë pardje në Beograd, është skenar i praktikuar nga Serbia për më shumë se një shekull! Asgjë e re nga Fronti i Lindjes së “Botës serbe”!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat