Qytetarët duhet ta mbrojnë vetveten nga pushtetarët e fuqishëm duke e fuqizuar edhe vetveten

Opinione

Qytetarët duhet ta mbrojnë vetveten nga pushtetarët e fuqishëm duke e fuqizuar edhe vetveten

Nga: Ejup Berisha Më: 10 qershor 2024 Në ora: 14:00
Autori Ejup Berisha

Kufizimi i forcës së stërhershme të pushtetarëve duhet të jetë imperativ kryesor për qytetarët, sepse kjo sot paraqet garancë për ruajtjen e subjektivitetit, autoritetit, lirisë dhe pavarsisë së tyre. Nga veprimet e pamatura dhe të këqija të pushtetarëve gjithmonë vuajnë qytetarët e rastësishëm apo njerëzit e pafajshëm. Këta nuk kanë forcën e duhur për të kundërshtuar forcën e pushtetarëve, të cilët, pas një kohe të caktuar në pushtet, akumulojnë shumë fuqi dhe kanë tendencë të rrisin atë. Pra, pushtetarët, sapo të arrijnë fuqi, nuk janë më asnjëherë të interesuar të kufizojnë forcën e tyre fizike, por tendenca e tyre është të rrisin atë gjithmonë e më shumë.

Në shtetet gjithmonë ka disproporcion midis fuqisë së madhe të pushtetarëve dhe pafuqisë së theksuar dhe të dukshme të qytetarëve. Pushtetarët gjithmonë sulmojnë fuqinë e pakët të qytetarëve për të qeverisur ose sunduar më lehtë dhe pa shumë mund qytetarët. Këta të dobët e mundësojnë pushtetarëve të qetësisë dhe të rritur më tepër fuqinë e tyre. Megjithatë, me këtë rast, vuajnë më së shumti vetë qytetarët. Fuqia e madhe nuk njeh kufizime dhe nuk i nënshtrohet asnjë ligji përveç ligjit të forcës. Ndonjëherë thuhet se zjarri më me efikasitet shuhet me zjarr. Kjo në rastin e forcës nënkupton se forca kufizohet më së miri me forcën. Kjo do të thotë se forcën e pushtetarëve duhet kufizuar, pasi rritja e pakufizuar e saj paraqet rrezik të vazhdueshëm për qytetarët e pafuqishëm. Rreziqet më të mëdha për qytetarët nga fuqia e stërhershme e pushtetarëve janë nënshtrimi. Kjo i bën ata të varur nga vullneti dhe jovullneti i pushtetarëve.

Kur qytetarët janë të varur nga dikush, ata nuk janë vetvetja, sepse humbin subjektivitetin, pavarsinë dhe lirinë e tyre. Ndërsa kur dikush është i varur nga vullneti i dikujt tjetër, ai nuk është më vetja. Pra, qytetarët e varur nuk janë më ndonjë faktor që mund të vendosin për vetveten e tyre. Prandaj, nga e kaluara, qytetarët duhet të mësojnë se nuk duhet të lejojnë pushtetarët të fuqizohen pa masë, sepse në këtë mënyrë e rrezikojnë vetveten.

Kjo duhet të shërbejë si mësim për qytetarët, duke e kufizuar pushtetin ose forcën e pushtetarëve, ata e rrisin pavarsinë dhe autoritetin e tyre dhe me këtë edhe aftësinë për të mbrojtur veten nga pushtetarët. Kjo çasje, pra, u ndihmon qytetarëve të mbrohen nga sulmet e vazhdueshme të pushtetit. Duke e bërë këtë veprim, qytetarët jo vetëm që mbrojnë veten, por edhe i detyrojnë pushtetarët të kenë kujdes ndaj tyre. Prandaj, përvoja jonë e deritashme me ish-pushtetarët komunistë dhe me pushtetarët e deritashëm neokomunistë na mëson se nuk duhet të lejojmë rritjen tepër të madhe të pushtetit të pushtetarëve, sepse kjo na rrezikon shumë ne si qytetarë dhe vë në pikëpyetje edhe ekzistencën tonë si njerëz.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat