Tani, pas 8 muajve luftë arabo-izraelite në Palestinë, nuk ekziston më asnjë dilemë, se masakrat dhe gjenocidi që po bën regjimi izraelit ndaj popullit palestinez në Gaza, i udhëhequr nga kryeministri B. Netanjahu, i cili nga Afrika e Jugut është akuzuar për gjenocid dhe krime kundër njerëzimit, i dyshuar për krime lufte nga Gjykata Ndërkombëtare Penale me seli në Hagë, e cila ka kërkuar urdhër-arrest për Netanjahun dhe liderin e Hamasit, i ka tejkaluar krimet e A. Hitlerit gjatë Luftës së Dytë Botërore (LDB) si dhe tmerret e holokaustit ndaj jevrejve, si për nga masa e krimeve, po ashtu dhe për nga lloji i ekzekutimit, siç tregojnë çdo ditë pamjet trishtuese të vrasjeve brutale të fëmijëve, grave, burrave, pastaj bombardimi i spitaleve, shkollave dhe kampeve me plotë palestinezë.
Pranë të gjitha dëshmive nga tereni i luftës, si dhe nga numri prej 36.400 palestinezëve të vrarë, dhe 79.900 të tjerë të plagosur, që nga tetori i vitit të kaluar, me një fjalë, ku po ndodhë zhdukja e një populli nga faqja e dheut para syve të gjithë botës, mbase pranë insistimit të vazhdueshëm dhe këmbëngulës të Afrikës së Jugut, që Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë, krimet e Izraelit në Gaza të Palestinës t’i shpallë akte të gjenocidit, ajo dhe disa gjykata tjera ndërkombëtare hezitojnë të nxjerrin një vendim të tillë, duke u mjaftuar vetëm me disa urdhra ndaj Izraelit, që t’i mbrojë civilët, ose t’i ndërpres menjëherë sulmet, siç ishte kërkesa që mos ta bombardojë qytetin Rafah, ku janë të strehuar pa ujë dhe pa bukë mbi një milion e 400 mijë palestinezë.
Po ashtu, duhet theksuar faktin, se shumë popuj në botë po vazhdojnë me protestat e tyre kundër krimeve të Izraelit ndaj palestinezëve, filluar me protestat në SHBA, Kanadë, Britani të Madhe, në shumë vende skandinave, në Francë, Itali, Spanjë, etj., mjerisht përveç në Kosovë dhe Shqipëri, popuj të cilët po e tregojnë solidarizimin e madh njerëzor me popullin palestinez, derisa qeveritë e vendeve të tyre, në anën tjetër, vazhdojnë me përkrahjen e Izraelit, duke i dërguar armë moderne, për çfarë shumë media i kanë akuzuar udhëheqësit e vetë për pjesëmarrje indirekte në krimet e Izraelit kundër popullit palestinez.
Mbase, me këtë rast duhet theksuar çështjen e heshtjes së shqiptarëve, pa dallim se ku jetojnë, ndaj krimeve dhe gjenocidit që regjimi izraelit po e kryen ndaj popullit autokton palestinezë në Gaza qe 8 muaj, duke mos reaguar fare me asgjë për tmerret e mëdha që po përjeton një popull i vogël në Palestinë, i okupuar që nga viti 1948 e deri më sot, pa e thënë asnjë fjalë, në mos në përkrahje solidarizimi, atëherë për hir të anës njerëzore dhe humane, kur ne shqiptarët, hiç më larg se 25 vite gjendeshim në ferrin e okupimit serb, në të cilin ferr gjendet sot populli palestinez.
Për heshtjen tonë ka shumë arsyetime, e që në aspektin politik-strategjik edhe mund të jenë të arsyeshme, por jo të shkelen me një heshtje absurde ndjenjat e solidaritetit dhe humanizmit shqiptar me një popull, që askush më mirë se shqiptarët e Kosovës nuk mund t’iu besojë, se çfarë tragjedie e madhe kombëtare po iu ndodhë, vetëm pse janë arabë myslimanë, e jo hebrenj..!?
Palestinezët e zhvendosur mbledhin ujë në një lagje në Khan Younis, në jug të Gazës, e cila është shkatërruar nga sulmet ajrore izraelite.