Eksponatet e artefaktet në një objekt të pamjaftueshëm në Mitrovicë

Mitrovica

Eksponatet e artefaktet në një objekt të pamjaftueshëm në Mitrovicë

Më: 17 qershor 2024 Në ora: 23:40

E kaluara e një vendi ka shumë rëndësi, kur ruhet në vendet e duhura, siç janë muzetë në këtë rast. Për këtë arsye, opozita në komunën e Mitrovicës së Jugut ka reaguar ndaj mos mbajtjes së premtimeve nga ana e kryetarit Bedri Hamza, për ndërtimin e muzeut të këtij qyteti.

Eksponatet dhe artefaktet janë të ekspozuar në një objekt të vjetër që nuk ka hapësirë të mjaftueshme. Zyrtarët komunalë thonë se do të bëjnë zgjidhje vitin që vjen.

Objekti i ish-armatës është edhe Muzeu i Mitrovicës, por që nuk i plotëson kushtet dhe ka mungesë hapësirë.

Duke e parë këtë gjendje, dhe duke e parë se këtu operojnë edhe disa institucione tjera, kreu i komunës së Mitrovicës, Bedri Hamza, kishte premtuar ndërtimin e një muzeu, por që nuk ka ndodhur ende. Për këtë ka reaguar edhe opozita e kësaj komune, duke thënë se kjo komunë ka trashëgimi të pasur me artefakte, por, qeverisja aktuale nuk krijoi mundësi që këto eksponate të ruhen në objektin e posaçëm.

“Ne kemi ardhur në tri vitet e qeverisës së tij, dhe ai premtim siq po duket, është vetëm premtim i parealizuar. Dhe Gjendja faktike e objektit ku është muzeu, e ku janë edhe dy institucione tjera, dhe për pasoje ka shumë eksponate të tjera që s’po mund të ekspozohen për shkak të mungesës së hapësirës”, tha Muhamet Hoti, asamblist i LDK-së në Mitrovicë.

“Kryetari ka premtuar se do ta ndërtojë një muze së bashku me një bibliotekë prej fillimit, kështu që ato kanë qenë vetëm premtime, dhe kemi pritur shumë, sepse edhe pse jemi kundërshtarë politikë ato nuk u realizuan. Në rend të parë të krijohet siguria që të mos vidhen as dëmtohen, e pastaj të krijohen kushtet dhe rrethanat infrustrukturore që të ekspozohen sepse është trashëgimia jonë”, tha Armend Begu, asamblist i LVV-së në Mitrovicë.

Janë edhe mbi 2800 eksponate të tjera të cilat nuk po mund të ekspozohen në këtë muze, për shkak të mungesës së hapësirës

Zyrtarë të Drejtorisë për Kulturë, thonë se kanë marrë një iniciativë që ky objekt të jetë pronë e muzeut të qytetit. Për këtë kanë filluar edhe me grumbullimin e shumë dokumenteve, dhe me një kërkesë që do të hidhet në asamble për votim, të merret vendim që institucionet të cilat janë në atë objekt do ta lirojnë hapësirën.

“E kemi parë shumë të nevojshme që Muzeu i Qytetit, duhet ta ketë hapësirën e vetë që do të jetë hapësirë e mjaftueshme për vendosjen e eksponateve dhe zhvillimin e aktiviteteve të cilat po ndodhin çdo ditë në atë hapësirë. Ne në vitin 2025 kemi paraparë që të investojmë e ta rinovojmë komplet të hapësirës së muzeut, dhe në fund do ta kemi një muze të kompletuar dhe do të ketë hapësira të mjaftueshme për ato eksponate të cilat momentalisht nuk janë të vendosura”, tha për RTK, Fahri Jashari, drejtor i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Mitrovicë.

Muzeu i qytetit të Mitrovicës është themeluar në vitin 1952 dhe ka mbi 1,000 artefakte të ndryshme arkeologjike të cilat u përkasin periudhave të ndryshme historike, që nga periudha e qytetërimit ilir.

Në kuadër të tij ndodhen edhe mbi 800 eksponate etnologjike, që përfaqësojnë diversitetin lokal, ndërsa disponon edhe materiale dhe dokumente historike, koleksione gjeologjike dhe numizmatike.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat