Një moment tronditës ka ndodhur gjatë një koncerti në teatrin e famshëm Irodio, ku këngëtarja legjendare greke Marinella humbi ndjenjat teksa po performonte në skenë. Incidenti ndodhi gjatë këngës së saj të tretë, kur ajo papritmas u ndje e pafuqishme dhe humbi ekuilibrin, duke rënë në skenë përpara publikut të habitur.
Pas kësaj, këngëtarja u dërgua menjëherë në spitalin Hygeia për të kryer analiza të hollësishme. Sipas raportimeve fillestare të mjekëve, dyshohet se ajo ka pësuar një goditje celebrale, dhe gjendja e saj po monitorohet nga afër.
Pamjet tronditëse të ngjarjes janë shpërndarë gjerësisht në rrjetet sociale, ku shihet Marinella duke kënduar këngën e saj të famshme “Fjalët janë të panevojshme”, përpara se të humbte fuqinë dhe të binte në skenë.
Marinella, emri i vërtetë i së cilës është Kyriaki Papadopoulou, ka lindur në maj të vitit 1938 dhe është një nga figurat më të rëndësishme të muzikës greke. Me një karrierë të gjatë prej gati 68 vitesh, ajo ka lënë një trashëgimi të jashtëzakonshme në muzikën greke, duke publikuar dhjetëra albume që kanë arritur sukses të madh komercial.
Ajo është e njohur për zërin e saj të fuqishëm dhe timbrin unik, si dhe për aftësinë e saj të jashtëzakonshme për të emocionuar publikun me interpretimet e saj në skenë. Marinella ka fituar vendin e saj si një nga artistet më të mëdha të Greqisë.
Pas incidentit, koncerti është anuluar, ndërsa fansat dhe dashamirët e saj presin me padurim përditësime për gjendjen shëndetësore të artistes legjendare.