Kuvendi i Maqedonisë në test historik për Marrëveshjen me Greqinë

Maqedonia

Kuvendi i Maqedonisë në test historik për Marrëveshjen me Greqinë

Më: 15 tetor 2018 Në ora: 12:32
Kuvendi i Maqedonisë

Kuvendi i Maqedonisë të hënën nis debatin për miratimin e ndryshimeve kushtetuese të domosdoshme për zbatimin e marrëveshjes me Greqinë për emrin e ri të shtetit, Maqedonia Veriore.

Procedura parlamentare vjen pas referendumit që u mbajt më 30 shtator, në të cilin nuk u kalua pragu prej 50 për qind pavarësisht se mbi 90 për qind e atyre që votuan mbështetën marrëveshjen me Greqinë, që ishte arritur më 17 qershor në Prespë.

Referendumi ishte këshillues andaj edhe procedura e zbatimit të marrëveshjes ka kaluar në Kuvend, por të miratohen që ndryshimet duhet të votohen nga dy të tretat apo 80 vota në Kuvend, të cilët shumica parlamentare nuk i ka për momentin.

Për kalimin e tyre nevojitet të paktën mbështetja e dhjetë deputetëve të VMRO-së opozitare. Nga kjo parti thonë se nuk do të mbështesin propozimin e qeverisë për ndryshimin e kushtetutës pasi marrëveshjen për emrin e vlerëson si “kapitulluese për identitetin, gjuhën, kulturën dhe veçoritë tjera të kombit maqedonas”.

VMRO-ja nuk ka marrë pjesë edhe në referendum, të cilin e quan të dështuar dhe si porosi të qartë për pushtetin se populli nuk pranon ndërrimin e emrit të shtetit.

“Grupi parlamentar është deklaruar sikur edhe organet e VMRO DPMNE-s se do të respektojnë vullnetin e mbi 1 milion e 200 mijë qytetarëve, të cilët nuk e mbështetën marrëveshjen kapitulluese, dhe si e tillë bazuar në kushtetutën dhe ligjet në fuqi nuk guxon të nxis pasojë ndaj rendit juridik, siç është ndryshimi i Kushtetutës. Zaev disa herë ka gënjyer se nuk do të ndryshojë asnjëherë Kushtetutën, që në fakt me këtë marrëveshje tentoi ta bëjë duke ndryshuar jo vetëm emrin e shtetit, por edhe gjuhën, identitetin e kulturës maqedonase”, ka deklaruar Naum Stoilkovski nga VMRO DPMNE-ja.

Por, nga qeveria thonë se marrëveshja me Greqinë është më e mira e mundshme dhe se pa zbatimin e saj nuk mund të ketë integrim të vendit as në NATO e as në Bashkimin Evropian, andaj kryeministri Zoran Zaev para seancës ka bërë edhe një thirrje për mbështetjen e ndryshimeve kushtetuese.

“Është shumë e thjeshtë të themi “JO”, por në anën tjetër e dimë se marrëveshje tjetër nuk është e mundur të arrihet. Nëse jemi për të siguruar të ardhme për gjeneratat e tanishme dhe ato që do të vijnë, ne duhet të sillemi me përgjegjësi dhe duhet të mbështesim këto ndryshime pa të cilat nuk është e mundur as NATO-ja e as Bashkimi Evropian”, ka deklaruar kryeministri Zaev.

Partitë shqiptare gjithashtu janë të ndara në qëndrime. Derisa BDI-ja mbështet ndryshimet kushtetuese, Aleanca për Shqiptarët dhe një pjesë e Lëvizjes Besa që së bashku kanë katër deputet, ndryshimet kushtetuese i kanë kushtëzuar me zgjidhjen e çështjeve shqiptare që kanë të bëjnë me rregullimin e gjuhës shqipe dhe vendosjen e shqiptarëve në preambulë si popull shtetformues

Në rast të mosmiratimit të ndryshimeve kushtetuese me cilat parashihet ndryshimi i preambulës dhe heqja e emrit Maqedoni dhe e mbiemrit maqedonas nga të gjitha nenet e kushtetutës, atëherë zgjedhjet e parakohshme parlamentare do të jenë të pashmangshme.

Zgjedhjet si mundësi janë paralajmëruar edhe nga kryeministri Zaev dhe madje si datë për mbajtjen e tyre ka përmendur 25 nëntorin, por mbajtja e tyre mund të shtyhet edhe për në dhjetor pasi varet nga procedurat parlamentare për ndryshimet kushtetuese.

Ndryshimet kushtetuese ndërkohë mbështeten nga komuniteti ndërkombëtare, i cili kishte mbështetur edhe referendumin si mundësi të vetme për integrimin euroatlantike. Edhe Greqia ka bërë të ditur se pa zbatimin e marrëveshjes, ajo nuk do të heq veton për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO dhe çeljen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian./rel

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat