Ministri i Mbrojtjes, Vlado Misajllovski, i cili kryeson delegacionin e RMV-së gjatë vizitës së punës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i shoqëruar nga shefi i Shtabit të Përgjithshëm, gjeneralmajor Sashko Lafçiski, u takua me Amanda Dori, nënsekretare për politikë të mbrojtjes në Pentagon.
“Nënsekretarja për politikën e mbrojtjes, Amanda Dori, theksoi marrëdhëniet e forta dypalëshe mes dy vendeve, duke shprehur gatishmërinë për thellimin e bashkëpunimit të ndërsjellë. Gjatë takimit, nënsekretarja Dori shprehu kënaqësinë për përkushtimin tonë për modernizimin e Ushtrisë së Maqedonisë dhe gatishmërinë për t’u përballur me sfidat e përbashkëta të mbrojtjes, si anëtare e Aleancës së NATO-s.
Në takim, ministri Misajlovski falënderoi për mbështetjen e SHBA-së në procesin e modernizimit dhe pajisjes dhe tha se mbetemi plotësisht të përkushtuar për bashkëpunim të përbashkët, sipas Udhërrëfyesit për bashkëpunim në mbrojtje, që është shprehje e synimeve tona të përbashkëta të mbrojtjes. Misajlovski theksoi se ndihma dhe mbështetja që marrim nga SHBA-të është e një rëndësie të madhe në drejtim të forcimit të kapaciteteve kombëtare mbrojtëse, modernizimit të Armatës dhe përmbushjes së obligimeve ndërkombëtare”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes.
Pas takimit në Pentagon, theksojnë nga atje, Misajlovski vizitoi Qendrën Përkujtimore “Arlington” në Uashington, ku bëri homazhe për ushtarët e rënë amerikanë dhe vendosi kurorë lulesh te varri i ushtarit të panjohur.