Koalicioni në Qeveri, VLEN nëpërmjet një kumtese dërguar në media ka deklaruar se VLEN-i është uniteti i shqiptarëve dhe se janë të përkushtuar në realizimin e pikave programore, të cilat u përgjigjen nevojave të shqiptarëve.
“Koalicioni VLEN thekson unitetin dhe përkushtimin e qartë ndaj parimeve, vlerave, ideologjisë dhe angazhimeve të përbashkëta programore. Ashtu siç kemi ndarë me opinionin, ne jemi të përkushtuar që VLEN të rritet dhe të zhvillohet në një lëvizje politike, që do t’u përgjigjet nevojave të shqiptarëve me hapa të mirëpërcaktuar strategjike”, thuhet në kumtesë.
Thonë se partia në opozitë, BDI është duke shpifur kur flet për parimet e Marrëveshjes së Ohrit.
“Në këto kohë të ndryshimeve politike tektonike, në të cilat BDI dhe satelitët e saj në opozitë për çdo ditë shpifin, trillojnë dhe përgatisin një mjedis për të kontestuar përfitimet e Marrëveshjes së Ohrit për hir të mbrojtjes së krimit, është thelbësore që ne të bashkohemi edhe më fuqishëm dhe të punojmë së bashku për t’iu përgjigjur nevojave të qytetarëve, veçanërisht të shqiptarëve. VLEN-i është ndërtuar mbi parimet e drejtësisë, transparencës dhe përkushtimit për sigurimin e standardit më të lartë jetësor të qytetarëve. Qëndrueshmëria jonë politike është forca jonë më e madhe dhe garanton që qytetarët mund të mbështeten tek ne për një qeverisje të drejtë dhe efektive”, thuhet më tej në kumtesë.
Më tej thonë:
“Synimi ynë është të krijojmë një lëvizje politike që jo vetëm identifikon dhe adreson problemet e përditshme të shqiptarëve, por edhe ofron zgjidhje konkrete dhe të zbatueshme për vendosjen e fundamenteve për një të ardhme të sigurtë. Ne besojmë se me hapa të mirëpërcaktuar dhe veprime të vendosura, mund të sjellim ndryshimet e nevojshme dhe të ndërtojmë një të ardhme më të mirë për të gjithë. Qytetarët të nderuar, pas formimit të Trupit Koordinues Politik të VLEN-it vijon edhe formimi i Komisionit të koalicionit për çështjet e zgjedhjeve, emërimeve dhe mbikëqyrjes së zbatimit të politikave, i cili do të jetë filtri i fundit i të gjitha vendimeve kadrovike për zbatimin e përcaktimeve programore me të vetmin qëllim, rritjen e efikasitetit në implementimin e politikave. VLEN-i mbetet i përkushtuar ndaj misionit të tij për të mbrojtur dhe promovuar interesat e qytetarëve dhe për të siguruar një qeverisje të ndershme dhe të përgjegjshme.
Bashkë, ne do të vazhdojmë të eci përpara me kurajë dhe vendosmëri.
VLEN-i është uniteti i shqiptarëve!”, përfundojnë nga VLEN-i.