Propozimet e zëvendësministrave, Mickoski: Secili meriton një shans

Maqedonia

Propozimet e zëvendësministrave, Mickoski: Secili meriton një shans

Më: 20 korrik 2024 Në ora: 16:42
Hristijan Mickoski

Besoj në zgjidhjet kadrovike dhe secili meriton një shans. Ai që e prish atë shans, menjëherë do të ndërrohet”, thotë kryeministri Hristijan Mickoski për propozim vendimet e zëvendësministrave.

“Ne kemi një marrëveshje koalicioni dhe besoj në partnerët e koalicionit me të cilët kemi një marrëveshje koalicioni parimor, të fortë, besoj në zgjidhjet kadrovike dhe çdo zgjidhje kadrovike meriton një shans. Ai vendim kadrovik që do ta prishë atë shans do të ndërrohet menjëherë, nuk do të presim me vite”, tha Mickoski pas vizitës së sotme në Trubarevë.

Duke iu përgjigjur pyetjes së një gazetari se arsimimi i disa zëvendësministrave të propozuar nuk përputhet me pozitën, Mickoski iu referua të kaluarës dhe shkollimit të shumë kuadrove të BDI-së.

“Nëse aludoni për arsimin, kthehuni 20 vjet prapa dhe shikoni shkollimin e shumë kuadrove që kanë ardhur nga BDI. Nuk dua të çintegroj askënd, nuk dua të zhvlerësoj askënd derisa t’i shohim performancat, derisa të fillojnë të punojnë”, tha Mickoski.

Të mërkurën Qeveria përcaktoi emrat e zëvendësministrave. VLEN mori nëntë zëvendësministra, duke përfshirë mbrojtjen, punët e brendshme, marrëdhëniet ndërmjet komuniteteve, bujqësinë, arsimin, vetëqeverisjen lokale, sportin, transportin dhe kulturën. Dhjetë zëvendësministrat e mbetur janë nga OBRM-PDUKM dhe nga ZNAM.

Zëvendësministrat duhet të zgjidhen në seancë plenare në Kuvend.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat