Bashkimi Demokratik për Integrim përmes një komunikate për media ka reaguar ndaj koalicionit VLEN.
Nga Bdi thonë se VLEN me shpifje po mundohen të mbulojnë servilitetin e tyre, pasi si humbës dhe pa legjitimitet u bashkuan në qeverisje me OBRM-PDUKM-në.
“Koalicioni humbës i partive shqiptare në vend se të përgjigjen për tradhëtinë, gënjeshtrat e përditshme, dështimet katastrofale, servilitetin dhe paaftësinë e tyre, vazhdojnë paturpësisht me komunikata shpifëse dhe të pabazuara për të mbuluar tradhëtinë më të madhe ndaj kombit shqiptar në historinë e këtij vendi. Bashkimi Demokratik për Integrim dëshiron të informojë opinionin publik për të vërtetën rreth këtyre partive që kanë humbur zgjedhjet dhe tani veprojnë si vasalë dhe shërbëtorë të interesave të të tjerëve për ta poshtërsuar kombin shqiptar. BDI ka qenë gjithmonë në mbrojtje të interesave të shqiptarëve dhe ka promovuar vlera të larta morale dhe etike në politikë. Në dallim nga ne, drejtuesit e këtyre partive janë sinonim i korrupsionit dhe tradhëtisë. Që të gjithë kanë qenë partnerë tanë të koalicionit ose pjesë e jona, nga i pari, deri te i fundit. Faktet janë të qarta dhe dëshmojnë qartë për abuzimet e tyre të shumta me pushtetin: Izet Mexhiti: Njihet për korripsion masiv dhe marrjen e apartamenteve në çdo ndërtesë ilegale në Çair, ndërtimet dhe uzurpimet joligjore si dhe për emërimin e familjarëve të tij në poste drejtuese të institucioneve shtetërore. Kjo tregon qartë se si nepotizmi dhe korrupsioni kanë mbizotëruar në politikat e tij. Arben Taravari: Skemat e korrupsionit gjatë kohës së tij si kryetar i Gostivarit janë të njohura për të gjithë, por edhe si ministër, përfshirë listën pozitive të ilaçeve, aparaturat dhe pajisjet, parkingjet e planifikuara, si dhe çdo tender tjetër në shëndetësi, përfshirë edhe shtëpitë e “dhuruara” në Shkup e Gostivar. Ai ka manipuluar dhe përvetësuar fonde publike për interesa personale, duke shkatërruar besimin e qytetarëve të Gostivarit dhe shëndetësinë në vend. Bilall Kasami: Çdo gjë që ai prek, e ngjit me korrupsion. Projektet pa buxhet, pagat që nuk i ka dhënë, punët pa projekte dhe pa leje, reketimi i bizneseve në Tetovë, janë vetëm disa nga aferat e tij që dëshmojnë për korrupsionin e tij të shfrenuar”, thuhet në komunikatë.
“BDI mbetet e përkushtuar për të luftuar kundër çdo forme të korrupsionit dhe për të mbrojtur interesat e qytetarëve me transparencë dhe integritet”, përfundojnë nga BDI.