Krerët shtetëror dhe partiak në vend kanë dënuar atentatin ndaj ish-presidentit amerikan Donald Trump, i cili teksa po mbante një fjalim, u qëllua me armë zjarri, gjë që i shkaktoi plagë në vesh. “Dhuna politike nuk ka vend në demokraci”. Kështu ka shkruar në rrjetet sociale, presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Silanovska-Davkova.
Ndërkohë, Kryeministri Hristijan Mickoski dënoi atentatin, ndërsa i uroi presidentit Trump dhe qytetarëve të lënduar shërim të shpejtë.
HRISTIJAN MICKOSKI,KRYEMINISTËR I MAQEDONISË SË VERIUT
“Në këto momente trishtimi, tronditjeje dhe shqetësimi të popullit amerikan, si kryetar i qeverisë, shpreh dënimin më të lartë për tentativën qyqare për të vrarë presidentin Donald Trump. Lutjet tona janë me Presidentin Trump, familjen e tij dhe popullin amerikan”.
Përpjekja për atentat kundrejt kandidatit për President, Trump, është një sulm ndaj demokracisë dhe është e dënueshme nga të gjithë ne që besojmë në vlerat e pluralizmit demokratik. Kështu është shprehur kreu i kuvendit, Afrim Gashi.
AFRIM GASHI,KRYETAR I KUVENDIT
“Ish Presidentit Trump i dëshiroj rimëkëmbje të shpejtë, duke qenë i sigurt se SHBA-ja ka fuqi të bollshme që ta tejkalojë këtë incident për të vazhduar të jetë flamur i demokracisë në botë”.
Atentatin ndaj Trampit, e ka dënuar edhe kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, i cili tha se dhuna, e çdo natyre dhe forme, është e papranueshme.
ALI AHMETI,KRYETAR I BASHKIMIT DEMOKRATIK PËR INTEGRIM
“Çdo zhvillim në SHBA e ndjejmë dhe e përjetojmë bashkë sepse populli amerikan për kombin tonë është mbështetësi më i madh dhe simbol i lirisë, demokracisë, pavarësisë dhe barazisë”.
Në këto kohë të vështira, i dërgoj urimet e sinqerta për një shërim të shpejtë ish-Presidentit të Shteteve të Bashkuara, Trump. Ngushëllime familjeve dhe viktimave të tjera. Kështu theksoi kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe.
VENKO FILIPÇE,KRYETAR I LSDM-SË
“Dënoj çdo përpjekje për dhunë, akte të tilla dhune nuk kanë vend në një shoqëri të qytetëruar dhe përfaqësojnë një sulm serioz ndaj vlerave demokratike dhe shtetit të së drejtës”.
Arben Taravari nga VLEN thotë se është kundër dhunës në çfarë do lloj forme, dhe ai e dënon këtë rast siç e quan, kriminal, por Taravari mendon se me kaq nuk mjafton.
ARBEN TARAVARI,VLEN
“Është koha që secili shtet në botë, të marrë në konsideratë seriozisht ndryshimet e mëdha që po ndodhin në shoqërinë tonë para se të jetë vonë”.
Ndërkaq, Kryetari i Alternativës, Zeqirija Ibrahimi ka shkruar se goditja ndaj ish presidentit Donald Trump është një goditje ndaj demokracisë, dhe ka uruar që kjo pamje të mos përsëritet më.