VOA/ Maqedoni e Veriut, qeveria e re fillon punën

Maqedonia

VOA/ Maqedoni e Veriut, qeveria e re fillon punën

Më: 24 qershor 2024 Në ora: 19:00
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickovski dhe ish-kryeministrin në qeverinë teknike, Talat Xhaferi

Qeveria e re e Maqedonisë së Veriut filloi sot detyrën pas miratimit të mbrëmshëm në parlament, ku 77 ligjvënës votuan pro dhe 22 ishin kundër.

Kryeministri Hristijan Mickovski e bëri betimin duke përdorur emrin kushtetues “Maqedonia e Veriut”, por ai ngul këmbë që këtë referencë ta përdor vetëm në takimet dhe konferencat jashtë vendit, një gjë që është e papranueshme për Greqinë fqinje. Kabineti qeveritar i zotit Mickovski zotohet për ulje të taksave, ngritjen e pagave dhe pensioneve dhe investime të shpejta nga jashtë.

Kryeministri i ri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickovski e filloi sot detyrën pas një takimi me tashmë ish-kryeministrin e qeverisë teknike, Talat Xhaferi.

Kabineti i zotit Mickovski u votua mbrëmë nga 77 ligjvënës në parlament; 22 ishin kundër, ndërsa deputetët e Frontit Evropian të drejtuar nga Bashkimi Demokratik për Integrim u larguan nga seanca para se të votohej qeveria.

Drejtuesi i VMRO-DPMNE-së nacionaliste, Mickovski do të përballet me mjaft sfida, sipas ekspertëve, sidomos në rrugën e integrimit evropian të vendit, sepse ai nuk iu bindet kërkesave të partnerëve evropianë për ndryshimin e kushtetutës dhe përfshirjen në të të pakicës bullgare, teksa emrin Maqedonia e Veriut synon ta përdorë vetëm jashtë vendit.

Megjithatë, ai e bëri mbrëmë betimin me emrin kushtetues të shtetit.

Por ai e cilëson referencën ‘Maqedoni e Veriut’ si të turpshme dhe thotë se “do të angazhohet për ta rregulluar këtë padrejtësi”, sipas tij.

Kjo qasje e drejtuesve të rinjë shtetërorë në Shkup shton shqetësimin tek qeveria greke. Ministri i saj i jashtëm Giorgios Gerapetritis thotë se mospërdorimi i emrit kushtetues paraqet shkelje të rëndë të Marrëveshjes së Prespës:

“Duhet të kuptojmë se ligji ndërkombëtar paraqet themelin e paqes botërore dhe të sigurisë dhe nuk është një proces i thjeshtë i zgjedhjes së asaj që të pëlqen”, tha ministri grek duke shtuar se integrimi në BE pa zbatuar ligjet e Bllokut dhe marrëveshjet ndërkombëtare është i papranueshëm dhe i paimagjinueshëm.

Hristijan Mickovski, ndërkohë gjatë fjalimit të mbrëmshëm në parlament shumë shkurt u ndal tek çështja e integrimit të vendit në BE, duke e konfirmuar synimin për anëtarësim. Ai vazhdon ta quajë ‘diktat bullgar’ kërkesën për futjen e pakicës bullgare në kushtetutë.

Nga ana tjetër, kryeministri maqedonas me ambicje paralajmëron investime të huaja qindra milionëshe, uljen e taksave dhe ngritjen e pagave dhe të pensioneve.

Paralajmërimi i qeverisë së re për heqjen e asaj që njihet si ‘balancues’, që paraqet një mjet për ruajtjen e përfaqësimit në bazë të përqindjes së komuniteteve gjatë punësimit në administratën shtetërore shikohet si shkelje e Marrëveshjes së Ohrit nga partitë opozitare të 'Frontit Evropian', sepse kjo do të dëmtonte, sipas tyre, në veçanti shqiptarët. Por partitë shqiptare në qeveri vlerësojnë se Marrëveshja e Ohrit është bërë pjesë e ligjeve dhe kushtetutës dhe se kjo qeveri do të jetë transparente dhe do të punojë për të mirën e të gjithëve.

Partitë e koalicionit 'Vlen' do të kenë gjashtë ministra në kabinetin prej 24 anëtarësh. Ata filluan po sot detyrën me zotimin për realizimin e ndryshimeve të premtuara në fushatë.

Arben Taravari është Ministër i Shëndetësisë, Izet Mexhiti i Ambientit Jetësor dhe zëvendës-kryeministër, Besar Durmishi ministër i Ekonomisë dhe Punës, Orhan Murtezani, për Integrimet Evropiane, Fatmir Limani, Ministër për të Rinjtë dhe Demografinë dhe Arben Fetai, Ministër i Qeverisjes dhe Politikave të Mira./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat