Puna e Qeverisë në largim, nën hijen e korrupsionit

Maqedonia

Puna e Qeverisë në largim, nën hijen e korrupsionit

Më: 22 qershor 2024 Në ora: 15:11
Qeveria

Në vitin 2020 si kryeministër qeverisjen e nisi Zoran Zaevi, dy vjet më vonë e vazhdoi Dimitar Kovaçveski, ndërkaq në 100 ditët e fundit, pavarësisht se duhej të ishte Naser Ziberi, e mbylli Talat Xhaferi.

Këta janë personat të cilët në katër vitet e fundit kanë udhëhequr me zyrën më të pushtetshme në shtet, të ndjekur nga hija e dështimit në luftën korrupsionit dhe zhgënjimit të qytetarëve në reformat gjyqësore.

Qytetarët, por edhe faktori ndërkombëtar, gjatë kësaj periudhe në vazhdimësi alarmuan se drejtësia e premtuar nuk po realizohet, ndërkaq funksionarët e korruptuar po lirohen. Në vend të luftës së mirëfilltë kundër korrupsionit, sidomos të nivelit të lartë, Qeveria dhe shumica parlamentare, duke keqpërdorur flamurin evropian, në mënyrë jotransparente, të shpejtë dhe pa konsultim, miratoi ndryshimet e Kodit Penal, me të cilat shpëtuan ish zyrtarët e VMRO-DPMNE-së, të cilët duhej të përballeshin me ligjin. Prej disa lëndëve shpëtoi ish kryeministri i arratisur në Hungari, Nikolla Gruevski, ndërkaq shpëtoi edhe Sasho Mijallkov, i cili rrezikonte të dënohej me mbi dy dekada burg.

Përfitime patën edhe dhjetëra funksionarë të tjerë, në mesin e të cilëve edhe dy ish sekretarë të Qeverisë.

Megjithatë, qytetarët në vend vazhdojnë mosbesimin ndaj gjyqësorit që sipas anketës së IRI-t, 90% e tyre e shohin korrupsionin si problemin serioz, ndërkaq më të korruptuar i shohin politikanët dhe gjyqtarët. Dhe për këtë, ka kontribuar edhe ndërhyrja e politikanëve, ku gjatë këtij mandati shumë fëmijë dhe të afërm të tyre u bënë gjykatës dhe prokurorë. Si të mos mjaftonte kjo, politika futi duart në këshillin gjyqësor dhe supreme, me presione për të mbrojtur njerëzit e saj në këtë pushtet.

Rasti që ngriti pluhur ishte edhe ai i Drin Ahmetit, nipi i kryetarit të BDI-së, i cili pa asnjë qindarkë ishte bërë pronar i 39% të aksioneve milionëshe të Q.T. Soravia. Drejtësi dhe përgjegjësi nuk pati as për dy tragjedinë, Spitalit Modular dhe autobusit në Bullgari, i cili ka kaluar kufirin pa licencë.

Për Monstrën, Alfan, Kumanovën dhe disa raste për të cilat në opinion ka dyshime për montim, nuk u zbatua hetim ndërkombëtar, ashtu siç BDI ka premtuar ndër vite. BDI, ndërkohë u ribrendua në parti të gjelbër, e cila fokusin e agjendës politike e vendosi për ambientin jetësor dhe pasojat nga ngrohja globale.

Por, kjo nuk zgjati shumë pasi Rusia filloi pushtimin e Ukrainës dhe me këtë, BDI e ndryshoi agjendën në politikën e jashtme, madje edhe në fushatën e fundit zgjedhore doli me sloganin “Po Evropës, Jo Rusisë”.

Periudhën që lamë pas, pati një sërë skandalesh në shëndetësi, i cili mes tjerash ishte dhe ai i Onkologjisë, ku zyrtarët shëndetësorë kanë manipuluar me ilaçet e të sëmurëve me kancer. Qytetarët u përballën edhe me mungesën e insulinës, për çka disa herë u protestua. Protesta u mbajtën edhe për mungesën e ilaçit trikafta, ku një pacient, vdiq duke pritur ilaçin.

Në planin arsimor, nxënësit u përballën me mungesë të librave dhe kushte joadekuate për mësim. Situata ishte alarmante edhe në nivelin e lartë. Përveç universitetit Kiril dhe Metodi, i cili ishte në fund të listës, asnjëri prej universiteteve tjera të vendit nuk u gjet në listën e universiteteve më të mira në botë.

Në aspektin infrastrukturor, bujë më të madhe bëri nënshkrimi i marrëveshjes me Bektel dhe Enka, për ndërtimin e korridorit 8 dhe 10D, e cila, pavarësisht se peshon 1,3 miliardë euro, u fsheh nga opinioni, nën arsyetimin se është sekret biznesi. Në ndërkohë, vazhdon pritja maratonike e qytetarëve për rrugën Shkup Bllacë, e cila premtohet me dekada.

Gjatë periudhës së kaluar, vendi kaloi disa kriza të cilat ndikuan në mirëqenien ekonomike të qytetarëve. Fillimisht ishte pandemia, ndërkaq më pas kriza energjetike e cila rriti çmimin e energjisë elektrike dhe produkteve tjera ushqimore. Kjo, ishte hall mbi kokën e qytetarëve, por këtë nuk e ndjen funksionarët të cilët ua rritën rrogat vetes për 78%.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat