VLEN prezanton projektin “Kalojmë në veprim”

Maqedonia

VLEN prezanton projektin “Kalojmë në veprim”

Më: 21 qershor 2024 Në ora: 15:18
Foto ilustrim

VLEN do të jetë garanci e përshpejtimit evropian, do të luftojë kundër krimit dhe korrupsionit, zhvillimit ekonomik, ndërkaq fokus të veçantë do të ketë edhe në çështjen e decentralizimit, gjegjësisht investimit nëpër komuna. Këtë mes tjerash e thanë kandidatët për pozitat e larta të ekzekutivit të ardhshëm. Me moton “Kalojmë në veprim”, kandidatët për ministra dhe liderët e koalicionit VLEN, shpalosën disa nga pikat e programit qeveritar. Izet Mexhiti, tha se VLEN është përfaqësuesi legjitim i shqiptarëve në vend.

“Gjatë gjithë kohës na kanë akuzuar se nuk kemi legjitimitet. Unë sot, para jush po e përsëris VLEN është fitues i zgjedhjeve në kampin politik shqiptar. VLEN është faktori i ri politik i cili me legjitimitet, dinjitet dhe përgjegjësi përfaqëson shqiptarët. VLEN është struktura e re politike e cila do të jetë bartëse e tranzicionit të suksesshëm institucional”, tha Izet Mexhiti, koalicioni VLEN.

Arben Taravari i shpalosi shtyllat kryesore të programit të qeverisë së ardhshme, në të cilën është i propozuar si ministër i Shëndetësisë.

“Pika e parë është përshpejtimi i integrimit evropian për të cilin Koalicioni VLEN është garanci në Qeveri në partneritet me BE-në dhe SHBA-të. Pika e dytë është lufta e pakompromistë kundër krimit dhe korrupsionit për të cilën do të flasim më detajisht në 100 ditët e parë të qeverisjes sonë. Pika apo shtylla e tretë është zhvillimi ekonomik i vendit dhe ngritja e standardit jetësor të qytetarëve. Dhe pika e katërt është zhvillim i barabartë, rajonal dhe fuqizimi i komunës si njësi bazë e demokracisë. Këtu mendoj për decentralizimin”, theksoi Arben Taravari, koalicioni VLEN.

Nga ana tjetër, Bilall Kasami, i cili do të do të përfaqësohet me dy ministra në qeverinë e ardhshme, tha se qeveria e re do të fokusohet edhe në zhvillimin e komunave.

“Falë regjimit të kaluar, Maqedonia e Veriut njihet si shteti më i centralizuar në Evropë, por VLEN si pjesë e qeverisë së re do të zbatojë pikat e programit të saj, ndër të cilat është decentralizimi i plotë lokal. Ne do të zbatojmë praktikën evropiane të decentralizimit që do të thotë më shumë buxhet dhe më shumë fuqi vendimmarrëse për komunat tona”, u shpreh Bilall Kasami, koalicioni VLEN.

Bekim Sali nga Alternativa tha se kanë qenë të kujdesshëm që të ruajnë përfaqësimin e shqiptarëve në ekzekutiv.

“Kemi qenë të fokusuar në institucione që kanë të bëjnë me zbatimin e programit tonë politik, duke synuar të punojmë seriozisht e me përkushtim në procesin e integrimit të vendit në Bashkimin Evropian, por edhe duke mundësuar politika ekonomike, shëndetësore, sociale e mjedisore, me të cilat besojmë se do ta ngremë dukshëm cilësinë e jetës së qytetarëve tanë”, shtoi Bekim Sali, koalicioni VLEN.

Në Qeverinë e re koalicioni VLEN do të ketë 6 ministri, dy zëvendëskryeministra dhe 7 zëvendësministra. Gjithashtu do të ketë edhe sekretarë shtetërorë në dikasteret që drejtohen nga kuadrot e tyre dhe rreth 400 drejtorë dhe udhëheqës institucionesh. Si rezultat i marrëveshjes me OBRM-PDUKM-në, Afrim Gashi nga VLEN u bë kryetar i Kuvendit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat