Taravari: Integrimi evropian i vendit do të përshpejtohet, garanci për këtë është VLEN

Maqedonia

Taravari: Integrimi evropian i vendit do të përshpejtohet, garanci për këtë është VLEN

Më: 21 qershor 2024 Në ora: 13:54
Arben Taravari

Krerët e koalicionit “VLEN” së bashku me kuadrot e nominuara për të qenë pjesë e Qeverisë së re, gjegjësisht ministra, sot kanë mbajtur konferencë për shtyp në Shkup.

VLEN njoftoi pikat programore të këtij koalicioni në qeverinë e re të titulluar “Kalojmë në veprim”.

Me këtë rast, Arben Taravari, njëri nga liderët e “VLEN-it”, bëri të ditur se koncepti i qeverisë në ardhje do të bazohet në katër shtylla.

“Ajo do të përqendrohet në katër shtylla: 1. Përshpejtim të integrimit evropian për çka Koalicioni VLEN është garanci në Qeverinë në ardhje në partneritet me BE-në dhe SHBA-të; 2.Luftë e pa kompromis kundër krimit dhe korrupsionit që do të fillojë menjëherë në 100 ditëshin e parë; 3. Zhvillimi ekonomik i vendit dhe ngritja e standadrit të qytetarëve, dhe 4. Zhvillim i barabartë i të tetë rajoneve në shtet, ku në fokus do të jetë komuna, pra decentralizimi i pushtetit lokal”, tha Taravari.

Kjo qeveri patjetër është garantuese e rrugës evropiane të vendit, shtoi më tej Taravari dhe theksoi se “ndryshimet kushtetuese do ndodhin, po ashtu edhe termi 20% do të largohet nga Kushtetuta”.

Taravari tha se për të ndodhur ndryshimet kushtetuese, do të varet edhe nga pala maqedonase, por beson se do të “gjendet një zgjidhje brenda mandatit mes Shkupit dhe Sofjes”.

Ai, shtojnë nga atje, premtoi se partneriteti me SHBA-të do të vazhdojë dhe se Maqedonia do të jetë vend prodhues e jo konsumues i sigurisë si anëtare e plotfuqishme e NATO-s.

Përpos kësaj, sa i takon pozicionit të tij në Qeverinë e cila pritet të mandatohet dhe të fillojë me punë nga dita e hënë e javës së ardhshme, si ministër i Shëndetësisë, nënvizoi se do të përqendrohet në disa çështje:

“1. Zgjidhjen e problemit me kompresorët në sallat e operacionit në Qendrën Klinike “Nënë Tereza” në Shkup;

2. Shkarkimin e drejtorëve ekonomikë në çdo institucion publik shëndetësor. Për ata që kanë mandat katërvjeçar do të kërkohet nga Kuvendi të ndryshohet ligji;

3.Digjitalizimi i shëndetësisë ku do të përfshihet i gjithë sistemi shëndetësor publik dhe privat;

4. Rifillimin e punimeve për përfundimin e Spitalit të Kërçovës, dhe 5. Bashkimin e Qendrave Klinike nga viti i ardhshëm”, deklaroi Taravari.

Sa i takon sistemit të lartë arsimor, Taravari shtoi se UT-ja duhet të depolitizohet, si dhe të ndahet një buxhet më i lartë për këtë universitet dhe universitetet tjera, dhe prashikimin e një buxheti për UT-në për herë të parë për kërkime shkencore

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat