Pendarovski: Bullgaria mund ta përsërisë veton për integrim

Maqedonia

Pendarovski: Bullgaria mund ta përsërisë veton për integrim

Më: 21 prill 2024 Në ora: 16:22
Stevo Pendarovski

Kandidati për president të Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, që mbështetet nga Lidhja Social-Demokrate, nuk beson se vendi do të mund të anëtarësohet në Bashkimin Evropian deri në vitin 2030, siç deklarojnë shumë përfaqësues të partive tjera politike.

“Me bllokadën bullgare dhe, për fat të keq, me konsensusin e plotë që është ende i vlefshëm dhe me shumë gjasa nuk do të ndryshojë në kuadër të BE-së për pranimin e anëtarëve të rinj me konsensus, kam frikë se nesër Bullgaria mund sërish të përsërisë veton ndaj Maqedonisë së Veriut”, thotë Pendarovski në një intervistë për Radion Evropian e Lirë.

Kandidati për president që mbështetet nga Lidhja Social-Demokrate dhe shumë parti tjera më të vogla dhe organizata joqeveritare, si problem shqetësues për Maqedoninë e Veriut e thekson humbjen e besimit të qytetarëve në pushtetin gjyqësor, vjetërsimin e shumë lëndëve gjyqësore që lanë të lirë mbi 200 ish-zyrtarë të lartë të dyshuar për vepra të ndryshme penale.

“Fatkeqësisht, në vitin e fundit nuk kemi bërë ndonjë përparim në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, dhe këtu mendoj se vlerësimi është absolut, edhe në opinionin e gjerë, edhe në Bruksel, edhe në Shkup, se këtu kemi dështuar më së shumti”, thotë Pendarovski.

Duke folur për ndikimin rus në Maqedoninë e Veriut, Pendarovski thotë ai nuk është në nivelin që ishte në vitin 2018 kur u mbajt referendumi për çështjen e emrit.

“Kjo nuk do të thotë se sot nuk kemi ndikim rus, i cili vjen më së shumti përmes rrjeteve sociale. Vitin e kaluar kemi pasur disa sulme të rënda kibernetike ndaj institucioneve vitale… megjithatë, ende nuk është në nivelin që ishte më 2018 dhe 2019”, thotë Pendarovski.

Ai në zgjedhjet presidenciale që do të mbahen më 24 prill, e në veçanti në rundin e dytë që do të mbahet më 8 maj, pret votat e të gjitha bashkësive etnike që jetojnë në Maqedoninë e Veriut.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat