Nëse doni të dini se cilët shtete nuk e kanë aspak prioritet të pushuarit gjatë vitit, pavarësisht festave zyrtare apo pushimeve që merren sipas Kodit të Punës, atëherë ky është momenti për ta zbuluar bashkë!
Raporti i fundit i Expedia (kompani amerikane që kontrollon shifrat e udhëtimeve, pasagjerët, çmimet) tregon se në cilat vende punonjësit heqin dorë nga pushimet vjetore, madje edhe nga ditët e papërdoruara që i kanë fituar sipas ligjeve.
Studimi zbuloi se njerëzit në Japoni bëjnë më pak pushime. Një punëtor japonez merr 13 ditë pushim çdo vit, por bën vetëm pesë ditë. Në Korenë e Jugut janë të përcaktuara 19 ditë pushime në vit, por njerëzit bëjnë vetëm shtatë.
Amerikanët, të cilët kanë vetëm 12 ditë pushim çdo vit, marrin 10 të tilla, ndërsa meksikanët marrin 14 ditë pushime, por bëjnë vetëm 10 ditë pushime.
Nga ana tjetër europianët i shohin pushimet e gjata si të detyrueshme. Studimi zbuloi se shumica e punonjësve në Europë marrin nga 25 deri në 30 ditë pushim çdo vit. Punëtorët francezë dhe spanjollë janë ata që marrin 30 ditë të plota çdo vit, ndërsa gjermanët marrin 28 ditë pushime. Punëtorët në Mbretërinë e Bashkuar, Norvegji, Suedi dhe Danimarkë bëjnë gjithashtu 25 ditë pushime, ndërsa brazilianët bëjnë 30 ditë të plota pushime vjetore.
“Është e qartë se të rriturit që punojnë në SHBA mund të përfitojnë nga adoptimi i disa prej strategjive të pushimeve nga vendet e tjera,” shton raporti.
"Ne mund të mos jemi në gjendje të kontrollojmë sa ditë pushimi marrim, por hulumtimi shtron pyetjen: Çfarë mund të mësohet nga vendet e tjera që do t'i ndihmojë vendet ku punonjësit pushojnë më pak që të heqin dorë nga ky zakon i tmerrshëm për të mos përdorur kohën e lirë që kanë," thotë ekspertja Melanie Fish.
Është e qartë se këto vende kanë shumë për të ndryshuar në këtë drejtim, sigurisht nëse të pushuarit kthehet në prioritet për mirëqenien personale dhe jo vetëm.