Shefi i Qeverisë shqiptare, Edi Rama, ka propozuar një President gjithëkombëtar dhe një politikë kombëtare të sigurisë.
Këto dy propozime, Rama i ka bërë gjatë fjalimit në Kuvendin e Kosovës, për nder të Dhjetëvjetorit të Pavarësisë së Kosovës.
“Kosova dhe Shqipëria do të kenë një politikë të jashtme e jo veç ambasada dhe përfaqësi diplomatike të njëjta po pse jo një president simbol të unitetit kombëtarë dhe një politikë kombëtare të sigurisë, brenda dekadës së ardhshme”, ka thënë Rama duke lënë të kuptohet se kjo do të ndodhë para 20 vjetorit të pavarësisë.
E ka pranuar se një ide e tillë nuk është e realizueshme tash po ka thënë se edhe dicka që ëndërrohet mund të realizohet.
“Mbase ky parafytyrim sot mund të mos jetë i qëllueshëm në rrafshin e racionales, por historia na këshillon se çka është e drejtë të ëndërrohet nuk është e pamundur të realizohet”, ka shtuar ai.
Ai ka këshilluar Kosovën dhe Serbinë të vazhdojnë dialogun për fqinjësi të mirë dhe të bëhen pjesë e BE’së si dy Shtete të pavarura.