Vuçiq i ankohet Ndihmës Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së për Kosovën

Lajme

Vuçiq i ankohet Ndihmës Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së për Kosovën

Më: 18 qershor 2024 Në ora: 12:45
Miroslav Jença dhe Aleksandar Vuçiq

Ndihmës Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së për Evropën, Azinë Qendrore dhe Amerikën, Miroslav Jença sot në Beograd e ka takuar edhe presidentin serb Aleksandar Vuçiqi, i cili ka shfrytëzuar edhe këtë rast të bërë propagandë kundër Kosovës, “duke u ankuar për situatën në Kosovë” dhe duke “shprehur shqetësimin e tij për vazhdimin e veprimeve të njëanshme të Prishtinës”.

Vuçiq ka shkruar në profilin e tij në Instagram se në takim “është diskutuar hapur për rolin e UNMIK-ut në stabilizimin e kushteve dhe ruajtjen e paqes në rajon, por edhe në nivel global”.

“E njoftova në detaje bashkëbiseduesin e respektuar për situatën në Kosovë dhe shpreha shqetësimin tim për vazhdimin e lëvizjeve të njëanshme të Prishtinës, të cilat synojnë të bëjnë presion të vazhdueshëm mbi popullatën serbe, me shkelje të rëndë të të gjitha të drejtave që paraqesin themelin dhe vlerat e vetë Kombeve të Bashkuara. Në këtë drejtim, posaçërisht theksova nevojën për formimin urgjent të Asociacionit të komunave serbe dhe përmbushjen e përpiktë të obligimeve nga Marrëveshja e Brukselit, të cilën Prishtina i është shmangur për më shumë se dhjetë vjet”, ka pretenduar Vuçiq.

Ai edhe kësaj here ka përmendur “rëndësinë kritike të respektimit të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së” dhe rolin kyç të UNMIK-ut në përputhje me mandatin që i është besuar këtij misioni me qëllim të ruajtjes së paqes, por edhe “mbrojtjes së të drejtave të serbëve dhe joshqiptarëve në Kosovë”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat