Marina Abramoviç dhe Yoko Ono, të qelqta

Kultura

Marina Abramoviç dhe Yoko Ono, të qelqta

Më: 20 nëntor 2015 Në ora: 18:09

Sot në mbrëmje në Galerinë Kombëtare të Arteve çelet ekspozita ndërkombëtare “SiO2 – Arsyeja e Brishtësisë”. Si një përballje me qelqin kjo ngjarje mbledh 23 artistë nga e gjithë bota, duke sjellë për publikun shqiptar disa nga emrat më të dëgjuar të artit bashkëkohor

Dy gra të fuqishme, guxuese, të lira, kozmopolite, artiste që kanë bërë epokë…takohen në Tiranë.

Artistja performuese me origjinë serbe, Marina Abramoviç dhe japonezja e artit shumë-përmasash, Yoko Ono, të dyja të njohura edhe për dashuritë e tyre të mëdha –Abramoviç me Ulay dhe Ono me John Lenon –janë dy prej artisteve të pranishme me punimet e tyre në ekspozitën ndërkombëtare “SiO2 –Arsyeja e Brishtësisë”, në kuadër të “Onufri XXI”. Entuziaste për idenë, ato kanë thënë menjëherë ‘po’ për të qenë pjesë e këtij projekti, edhe pse jo fizikisht, ku arsyet janë që nga pamundësia financiare për të pasur këtu artiste të përmasave botërore, deri tek angazhimet profesionale.

Krah “Balance proof”, një prej performancave që nuk kaloi pa shkaktuar debat, si i gjithë arti i bërë nga çifti Marina Abramoviç dhe Ulay në vitin 1977, në Muzeun e Arteve dhe Historisë në Gjenevë, ku ata të dy mbajnë një pasqyrë me trupat e zhveshur…82-vjeçarja energjike, Yoko Ono vjen me katër vepra “A key to open a forest”, “A key to open a faded memory”, “Position piece: a hole” dhe “Season of glass”, albumi që nxori pas vdekjes së John Lenon…

Artistë botërorë që i bashkëngjiten ekspozitës me punimet e tyre janë Chris Burden, Tony Cragg, Jan Fabre, Joseph Kosuth, Boris Nieslony, Jaume Plensa, Douglas Quin, Lawrence Weiner, Armando Lulaj, Leonardo Cimolin, Dana Dal Bo, Seamus Farrell, Andrea Morucchio

dhe Nelda Ramos. Gjithsej 23 artistë nga e gjithë bota, ku emrave të njohur u janë bashkëngjitur edhe artistë të rinj si Eros Dibra, Oltsen Gripshi, Shqipe Jonuzi, Sead Kazanxhiu, Ermela Teli

Klodian Deda, Ermal Baboçi dhe Linda Doçi. Ekspozita, e cila çelet sot në mbrëmje, do të qëndrojë e hapur për publikun deri më 3 janar të 2016-ës.

Ka qenë ideja e kuratorëve – bashkëshortët Verena Stenke dhe Andrea Pagnes –të cilët prej muajsh janë kujdesur për të sjellë në jetë këtë koncept të përballjes së artistëve me qelqin, që t’u jepnin një mundësi të rinjve për ta paraqitur artin e tyre në një eveniment ku marrin pjesë emra të rëndësishëm të artit bashkëkohor.

Shumë nga bazat e praktikave të artit bashkëkohor nisen nga hetimi i cilësive të materialeve të ndryshme – në rastin e kësaj ekspozite të qelqit – dhe de-kontekstualizimi i funksionit të tyre të zakonshëm. “Qelqi si material është një zgjedhje simbolike, në këtë rast dhe kuptimplotë, sepse për ne portretizon situatën politike globale sot. Duke u nisur edhe nga ngjarjet e fundit në Paris, koha ku jetojmë, luftërat, qelqi mund t’i portretizojë mirë këto lloj krizash e situatash”, – është shprehur në një intervistë për “Gazetën Shqiptare”, kuratori Andrea Pagnes, duke shtuar se arti duhet të shërbejë për t’i bërë njerëzit të reflektojnë. “Ndaj u morën artistë nga periudha të ndryshme të 40 viteve të fundit, nga shtete të ndryshme, artistë të lidhur me qelqin, në mënyrë sociale dhe artistike”. Pagnes mendon se kjo ekspozitë jep qasjen e tyre mbi konceptin.

Si e Shkronjëzojmë Fjalën K-U-J-D-E-S kur Përballemi me Qelqin? Për kuratorët Stenke dhe Pagnes, një material si qelqi – për potencialin e tij gjuhësor, simbolik dhe metaforik, krahas vetive të tij kompozicionale të brishtësisë, transparencës dhe rezistencës – është më se i përshtatshëm për të treguar se njohja intuitive e artit u shmanget kritereve të korrektësisë dhe se vështirësia e tij – bukuria e tij – duhet të kapet nga një mendim intuitiv, e si rezultat të realizohet si një vizion i thelbit të realitetit. Është pikërisht ky koncept që ekspozita ka për qëllim të komunikojë, ku arti shihet si një mjet për të gjeneruar një reflektim të fuqishëm dhe ndërgjegjësim të mëtejshëm për dimensionet e shumëfishta të kuptimit që janë përtej edhe vetë mendimit njerëzor.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat