Nis Festivali i Letërsisë në Tiranë

Kultura

Nis Festivali i Letërsisë në Tiranë

Më: 29 tetor 2015 Në ora: 10:34

Festivali Ndërkombëtar i Letërsisë “Deti i Bardhë II” që organizohet në Tiranë në datat 29-31 tetor, sjell pranë lexuesve shqiptarë shkrimtarë nga Austria, Gjermania, Italia, Kosova, Kroacia, Mali i Zi, Maqedonia, Serbia, Shqipëria dhe Zvicra.

21 autorë tregojnë përmes motos së sivjetshme të festivalit “Letërsi në transit” rrugëtimin e tyre letrar dhe reflektojnë me njëri-tjetrin mbi letërsinë dhe artin bashkëkohor në transit, si atë politik e shoqëror, ashtu edhe në procesin e tyre letrar përmes gjuhës.

Një pjesë e shkrimtarëve të ftuar shkruajnë në gjuhën e vendeve pritëse. Shembujt e autorëve shqiptarë që shkruajnë në gjuhët e vendeve ku jetojnë do të diskutohen nga afër me shkrimtarët Ilir Ferra, Arben Dedja dhe Ornela Vorpsi.

Në konferencën për shtyp, mbajtur në ambientet e Ministrisë së Kulturës, Ministrja Kumbaro u shpreh se aktivitete me përmasa ndërkombëtare në fushën e librit nxisin librin si kulturë dhe integrojnë letrat shqipe në arenën ndërkombëtare.

“Ky festival është në vijim të politikave të Ministrisë së Kulturës, duke e vlerësuar librin jo thjesht si mall, por duke i dhënë një rëndësi të veçantë kulturës së leximit. Si institucion politikbërës interesi dhe prioriteti ynë është lexuesi. Libri që konsumohet mes përkthyesit, autorit, shtëpisë botuese është i destinuar të vdesë”, tha Kumbaro.

Risi e këtij edicioni është aktiviteti frymëzuar nga Prishtina, “Tirana lexon”. Belfjore Qose, koordinatore e programit sqaroi ecurinë e kësaj ngjarjeje.

“ Prurje qytetarësh, që duan të jenë pjesëmarrës në maratonën e leximit në datën 29 tetor, e cila do të nisë në orën 8 të mëngjesit deri në orën 17:00. Qëllimi mbetet bërja masive e leximit. Të lexojmë të gjithë me një libër në dorë. Leximet do të mbahen në kafe-libraritë e Tiranës, 7 pika të rëndësishme të frymëmarrjes së kryeqytetit sa i përket leximit. Leximet do të kryhen në pikat Hemineway Bar, Tirana Friend’s Book House, E7E, Ejona, Zenit, Tirana Times dhe Woodstok”, tha ajo.
Në kuadër të festivalit do të mbahet gjithashtu edhe një takim shkrimtarësh që shkruajnë dhe krijojnë në dialektin gegë, një takimi për Stefan Zweig dhe veprën e tij në shqip dhe një punëtori me artistë të rinj nga rajoni.

Festivali synon të kthehet në një auditor të hapur mes të ftuarve dhe publikut shqiptar, i cili sipas organizatorëve në këto 25 vitet e fundit po përjeton një transicion të thellë politik e shoqëror.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat