“Prizren Fest” vijon me shfaqje, punëtori dhe me konferencën për barazi gjinore

Kultura

“Prizren Fest” vijon me shfaqje, punëtori dhe me konferencën për barazi gjinore

Më: 23 korrik 2024 Në ora: 16:40
Foto ilustrim

Edicioni i tretë i Festivalit Ndërkombëtar të Teatrit në Ambient të hapur “Prizren Fest” ka vazhduar të prezantojë programin artistik, të përbërë nga shfaqjet, punëtoritë dhe me konferencën për barazinë gjinore.

Në natën e dytë të këtij edicioni, sipas njoftimit të festivalit, para publikut në Prizren është paraqitur trupa nga Teatri Shqiptar i Shkupit me shfaqjen e titulluar “ADN”.

“Kjo shfaqje përpos lojës së mrekullueshme të artistëve nga Shkupi, njëkohësisht përmbante porosi universale për rrezikun e vazhdueshëm në shoqëritë e rrethuara me kërcënime ekzistenciale”, thuhet në njoftim.

Shfaqja tjetër në “Prizren Fest” ka qenë ajo nga Teatri “Bekim Fehmiu”, respektivisht “Audienca” e autorit Václav Havel që trajton temat e autoritarizmit, burokracisë dhe censurës kundrejt dinjitetit njerëzor dhe rezistencës qytetare në shoqëritë totalitare.

E këtë më së miri e sollën tek publiku aktorët me interpretimin e tyre brilant”, thuhet në njoftim.

Krahas kësaj, emocione e gjallëri ka pasur edhe në dy sheshet kryesore të qendrës historike të qytetit, në atë të Lidhjes dhe të Shatërvanit.

“Dy produksionet, njëri nga Spanja dhe tjetri nga Maqedonia e veriut, ‘Ekscentrikët’ dhe ‘Teatrosk’, me performimet e tyre në rrugë po i mahnitin qytetarët të cilët janë të shumtë që po argëtohen nga ata”, vijon njoftimi.

Atmosferë e ngrohtë, me lojëra e punime të ndryshme po jetësohet edhe në punëtorinë dramaturgjike pesë ditore, në përkujdesjen e mentores Ayla Kazaz.

“Përplot me ngjyra e buzëqeshje Prizren Fest Kids  po punon për interpretimin e përrallës “Karrota e Shëndoshtë” e cila po bëhet në gjuhën shqipe, turke dhe boshnjake. Çdo gjë po realizohet me duart e vogla të pjesëmarrësve tanë të cilët në fund të punëtorisë do të interpretojnë rolet  e tyre të caktuara”, thuhet në njoftim.

Ndërkaq të martën paradite është mbajtur edhe Konferenca për barazi gjinore, ku aktivistet e aktivistët nga sektorë të ndryshëm kanë diskutuar lidhur me promovimin e të drejtave të njeriut përmes artit dhe adresimin e pabarazive gjinore.

Aty është theksuar se pabarazia gjinore në Kosovë është e shtresuar dhe atë në shumë nivele dhe se nevojitet angazhim i gjithëpërfshirës për ndërtimin e një shoqërie të barabartë, ku gratë dhe burrat mund të jetojnë me dinjitet. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat