Është hapur ekspozita “A thua ëndërr ishe ti”, e cila do të bëjë njëherësh hapjen e edicionit të katërt të festivalit ndërkombëtar të operës Ramë Lahaj, ku për herë të dytë arti pamor dhe ai muzikor bëhen një.
Në këtë ekspozitë janë shfaqur kryevepra nga Rasim Merlaku, vepra të artistëve më të mirë të Kosovës, një pjesë e të cilëve nuk janë tashmë në mesin tonë. Inspirimi i titullit të ekspozitës është marrë nga kënga e grupit të njohur Minatori “A thua ëndërr ishe ti”.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama tha se kjo ekspozitë ballafaqon të tashmen me të kaluarën në spektrin e artit pamor dhe muzikor.
Rama: Po ndiejmë energjinë e artistëve që tanimë nuk janë në mesin tonë
“Na ballafaqon me të kaluarën. Si i vogël jam rritur me babanë, i cili ka qenë miq me të gjithë këtu Rexhep Ferrin, me shumë prej artistëve që punimet po prezantohen për të cilët nuk janë me ne, por po ndjejmë energjinë e tyre. Kemi edhe talente koleksionues. Kryeqyteti po mundohet të krijojë platforma të rëndësishme. Vitin e kaluar kemi pasur Manifestën. Ushqehuni me këtë energji të mrekullueshme të këtij koleksioni”, ka thënë Rama.
Kuratorja e ekspozitës, Arta Agani është shprehur se këto tregime fshehin më shumë se një tregim vizualë. Gjithashtu, ajo ka shtuar se dimensioni shtesë është koha, meqenëse regjistron një periudhë e cila nuk është më.
Agani: Kemi gjetur tregime përtej tregimeve vizuale
“Janë tepër të rëndësishme sepse i takon një gjenerate që na ka mësuar se çka është arti vizual. Storja që ne po tentojmë të tregojmë këtu për disa artistë kosovarë së bashku me veprat e tyre. U munduam të gjejmë disa tregime përtej tregimeve vizuale. Ka edhe një dimension shtesë, e ai është i kohës meqenëse regjistron një kohë e cila më nuk është”, tha Agani.
Po ashtu, Rasim Merlaku, i cili ishte tejet i lumtur për pëlqimin e veprave ka ftuar të gjithë që të përjetojnë pikturat.
Merlaku: Piktura është art që e ndjen
“Piktura është diçka që e konsumon dhe e ndjen. Ju ftoj të gjithëve që t’i përjetoni këto piktura”, ka thënë Merlaku.
Ndërsa organizatori i këtij festivali Ramë Lahaj ka përkujtuar një ngjarje që i ka lënë përshtypje pozitive në edicionin e parë të festivalit.
Lahaj: Shijoni dashurinë për pikturën dhe festivalin
“Mendoj që ka shumë për të thënë edhe për pikturën edhe dashurinë për aktin që e ka. Ajo çka më inspiron vitin e parë, kur i kemi parkuar veturat e festivalit, edhe parkingu thotë që edhe për vlerën që po ia shtoni qytetit nuk keni nevojë të paguani. E çka po dua me thanë, është mirësia e këtij populli. Shijojeni”, tha Lahaj.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur për publikun nga data 22 korrik deri më 31 korrik nga ora 12:00 deri 19:00. Ndërsa koncerti i operës mbahet në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë.