Kultivues i frymës së introduktit ekspresiv

Kultura

Kultivues i frymës së introduktit ekspresiv

Nga: Prof. Dr. Hivzi Muharremi Më: 15 korrik 2024 Në ora: 20:28
Pamje nga ekspozita

Ekspozita e 26 me rradhë e piktorit, profesorit Haxhi Kastrati, para pak ditësh u hap në Galerinë e Arteve në qytetin e Vlorës.

Piktori akdemik, Haxhi Kastrati para dashamirëve të artit Vlonjan prezantohet me vepra artistike kryesisht të realizuara në tri vitet e fundit të krijimtarisë së tij të bujshme dhe të pandalshme gjatë jetësimit artistik. Punimet e ekspozuara të piktorit Kastrati kryesisht i takojnë ciklit të veprave “Gjurmët e kohës”, ku edhe ekspozita emërtohet me këtë nocion titulimi të krijimtarisë së tij trevjeqare punuar enkas-kryesisht për këtë event, për dashamirët e artit Vlonjan, për të cilët autori është shumë i njohur dhe gëzon respekt të vecantë. Veprat “Kronikë në gurë”,  “Mes tokës dhe qiellit”, “Imazhe nga jeta”, “Takimi i Shqipeve”, “Zanat e malit”, “Zogjtë e liris”, “Gjurmët”, “Takimi”, “Nata e zjarreve” janë tablo që në mënyrë vijimore shpërfaqin opusin krijues të piktorit. Pra, vetë titulli i ekspozitës “Gjurmët e kohës” është një sintezë, gërshetim i cikleve nga fazat më paraprake të opusit krijues.

Është një nga artistet me vlera të vecanta dhe me një krijimtari shumë të begatë, i cili me përkushtim të madh i është qasur pikturës që nga nisma e krijimtarisë e deri me sot. Ku në kontinuitet- pa ndërprerje punon në studion e vet, në një ambient të jashtzakonshëm, me motive dhe imazhe i rrethuar rrëzë Alpeve shqiptare, përkatësisht dukagjinase. Dash e pa dash piktori është mishëruar me këto pamje të imazheve artistike. Andaj, opusi krijues i tij është si një sintezë i këtyre motiveve që janë trajtuar dhe trajtohën në periudha të ndryshme kohore e historike që ka përjetuar dhe kaluar popullata shqiptare.

Tablotë e ekspozuara kryesisht janë të realizuara në frymën e shprehjës ekspresivo-fantastike e abstrakte me primesa të frymës surreale. Këto forma burojnë nga begatia natyrore të peizazheve, të trevave dukagjinase, nga Bjeshkët e Nemuna-Alpet shqiptare që janë të pasura me forma të ndryshme nga flora e fauna. Ngjyrat e autorit kryesisht janë të marruna nga natyra si dhe kostumografia e veshjeve nga periudha ilire e deri me sot. Pra, autori është kultivues i frymës së introduktit ekspresionist që nga faza më e hershme e deri me sot i mbetet besnik këtij stili artistik             

Deri në realizimin e veprave nga cikli i fundit “Gjurmët e kohës”, autori, është dashur t’i prek shumë karakteristika të izmave të artit modern, duke filluar nga ekspresionizmi, fovizmi, surrealizmi... e deri të abstrakcioni gjeometrik që përfundon me punimet e realizuara nga cikli “Gjurmët e kohës”. Ky cikël. Padyshim, që do jetë një imperativ në shpirtin ekzaltues të Kastratit për depërtim të mëtutjeshëm në synimet e tia drejtë pleksjes së frymës abstrakte.

Këto vepra nga cikli i fundit janë, në nivel të duhur të shkarkuar nga elementet e shumta kompozicionale, janë më ekspresive, shprehin vispamjet e bukura të peizazheve te dukagjinit, me një kolorit intensiv, më të ciltër, me strukturë të theksuar të akordeve koloristike të së kuqes, oker dhe ngjyrës blu. Në këto tabllo autori i gërsheton të gjitha shqetësimet me pamjet idilike të imazheve dhe motiveve që në mënyrë të pandërprerë i ka trajtuar që nga faza e parë të krijimtarisë e deri në këtë të ciklit të fundit të abstraksionit.  Pra, këto punime në aspektin e dometheniës përmbajtësore koinsistojnë dhe janë vazhdimësi të cikleve më të hershme të opusit mjaftë të begatë të krijuesit Haxhi Kastrati.

Është pjesëmarrës i shumë ekspozitave të përbashkëta me karakter kombëtar dhe ndërkombëtar, duke filluar nga ato të organizuara nga Shoqata e Artistëve Figurativë të Kosovës, nga Sallonet Pranverore, ekspozitat vjeshtore e deri të ajo e Bienalit të vizatimit. Gjithashtu ka hapur edhe shumë ekspozita personale si në Kosovë ashtu edhe më gjerë.

Prishtinë, 15.07.2024

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat