Libër me vlerë për vlerat e shumë librave

Kultura

Libër me vlerë për vlerat e shumë librave

Nga: Rizah Sheqiri Më: 13 korrik 2024 Në ora: 09:38
Rizah Sheqiri

Përmbledhja më e re autorit Shefqet Dibrani “Vëzhgime letrare mbi poezinë e sotme shqipe 3”, është një libër me vështrime kritike i shkruar me përkushtim e dashuri për librat me poezi të shumë autorëve shqiptarë gjithandej trojeve shqiptare dhe në mërgatë.

Shefqet Dibrani, përveç si poet dhe publicist, ka arritur me krijuar profilin e tij edhe si studiues e kritik letrar. Ai më mirë se kushdo tjetër i ka bërë një studim të veçantë romanit “MALËSORJA” të shkrimtarit nga më të shquarit në letërsinë bashkkohore shqipe Nazmi Rrahmani, në dy vëllime voluminoze: “MALËSORJA, romani monumental i Kosvës” dhe “KARAKTERI dhe ARKETIPI në romanin “MALËSORJA” të Nazmi Rrahmanit”. Përveç këtij studimi, autori më herët ka botuar vëllimin me kritika letrare “Libra dhe mbresa”, në të cilin janë përfshirë 130 shkrime për libra e periodik shqiptarë.

Poashtu ka botuar një tjetër vëllim “SHOSHITJE LETRARE”, studime dhe kritikë letrare për libra dhe autorë nga Kosova Lindore, pastaj librin “ARTI I KRITIKËS”, bashkautor me Musa Jupollin, si dhe ka përgatitur librat për krijimtarinë letrare të Musa Jupollit dhe të Arif Molliqit.

Shefqet Dibrani, viteve të fundit kryesisht është marrë me kritikë dhe studime letrare rreth poezisë së sotme shqipe. Si rezultat i kësaj pune përkushtuese kohë më parë botoi edhe vëllimin e tretë “VËZHGIME LETRARE MBI POEZINË E SOTME SHQIPE 3”, duke e profilizuar edhe më tej angazhimin e tij në fushën e kritikës letrare.

Ky libër është vazhdimësi e serisë së librave të kësaj natyre me vështrime dhe kritikë letrare për poezinë shqipe. Autoret dhe autorët e trajtuar në këtë përmbledhje kryesisht janë poet e poetesha, krijimtarinë e tyre Sh. Dibrani e ka përcjellur me përkushtim duke mbuluar edhe hapësirën shqiptare dhe ata në mërgim, duke i përfshirë edhe disa nga emrat e poetëve arbëreshë në Itali. Gjithësesi ky libër me studime, përshtypje e kritika letrare, i respekton autoret dhe autorët dhe krijimtarinë e tyre poetike në përgjithësi.

Në vëllimin “VËZHGIME LETRARE MBI POEZINË E SOTME SHQIPE 3” janë trajtuar veprat poetike të këtyre autorëve: Rozi Theohari, Gjekë Marinaj, Sabit Rrustemi, Erina Rrahmani, Ibrahim Kadriu, Rizah Sheqiri, Prend Buzhala, Sevdije Rexhepi, Musa Jupolli & Mentor Thaqi, Fatmir Terziu, Ajete Pavataj, Baki Ymeri, Mirela Sula, Isak Ahmeti, Giuseppe Schirò Di Maggio, Shpend Sollaku Noé, Mario Bellizzi, Miradije Ramiqi, Xheladin Mjeku, Izet Abdyli, Nerxhivane Sejdiu-Ferati, Vasil Tabaku, Skënder Sherifi, Lekë Mrijaj, Avni Çunaku, Vera Istrefaj, Arben Çokaj, Shqipe Hasani, Dardan Berisha, Gani Qarri, Nehat Jahiu, Sylë Bajrami dhe Avni Neziri.

Të gjitha shkrimet kritike të përfshira në vëllimin “VËZHGIME LETRARE MBI POEZINË E SOTME SHQIPE 3”, padyshim paraqesin një pasqyrë reale të zhvillimit të poezisë dhe të vetë autorëve të trajtuar. Këtë e ka thënë edhe vet autori në parathënie të librit ku shprehet se qasjet “kritike e studimore, janë bërë me seriozitetin e të mundshmes, i vetëdijshëm se asnjë vlerësim kritik nuk arrin për t’i shtjelluar të gjitha vlerat që i posedon vepra e caktuar letrare, prandaj edhe këto përpjekje, sado profesionale, duhet të kuptohen si vrojtime e këndvështrime personale”.

Pra, përmbledhja më e re me kritikë letrare e autorit Shefqet Dibrani “VËZHGIME LETRARE MBI POEZINË E SOTME SHQIPE 3”, është një libër i shkruar me pasion, me dashuri dhe me mjeshtri nga një kritik e vrojtues tashmë i rryer i vlerave letrare e poetike.

Në këtë përmbledhje në mënyrë të thukët trajtohen shumë autore e autorë dhe përmbledhjet e tyre me poezi. Ky libër jo vetëm do t’i kënaqë lexuesit e rëndomtë që e duan vëshrimin letrar, por gjithësesi ky libër me përmbajtjen e pasur do t’i ndihmoj shumë studiuesit e sotëm dhe ata të ardhshëm të poezisë sonë duke evidentuar e trajtuar me kompetencë gjithë ato vlera letrare e poetike që krijohen jo vetëm në trojet e të folmes së gjuhës shqipe por gjithandej në botë nga poete e poetë shqiptarë të cilët me krijimet e tyre padyshim e pasurojnë poezinë tonë në përgjithësi.

Libri ka 310 faqe dhe është botim i Shtëpisë Botuese “Faik Konica”, në Prishtinë 2024.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat