Monografi e rrallë që përmes ideologut Ymer Berishës trajton luftën e drejtë të nacionalizmës shqiptare

Kultura

Monografi e rrallë që përmes ideologut Ymer Berishës trajton luftën e drejtë të nacionalizmës shqiptare

Nga: Dr. Qerim Lita - SHKUP Më: 11 korrik 2024 Në ora: 14:00
Foto ilustrim

Kapitullimi i Mbretërisë jugosllave dhe bashkimi i pjesës më të madhe të tokave shqiptare me Shqipërinë, u prit me një entuziazëm të lartë nga popullsia shqiptare, e cila këtë bashkim edhe pse erdhi si rrjedhojë e interesave strategjike të shteteve të Boshtit, e konsideronte si çlirim kombëtar. E gjithë kjo ishte si rrjedhojë e plotikës diskriminuese nga ana e e pushtuesit serb. Ky diskriminim kishte arritur deri në ato përmasa saqë te shqiptarët ishte krijuar bindja se cilido pushtues që të vij nuk mund të jetë më i egër se ai serb, apo siç thuhet në një dokument ushtarak jugosllav “le të vijë edhe dreqi i mallkuar, do të jetë më mirë se kështu”. Lidhur me këtë edhe nënprefekti i Gostivarit, Xhevat Kallajxhiu, i shkruante Qeverisë Shqiptare, se popullsia shqiptare në atë rreth derdh lot gëzimi që pati lumturinë të shpëtojë nga robëria e tmerrshme tridhjetëvjeçare, duke u shprehur: “Shyqir që ngjaftim këto ditë të bashkohemi me Shqipnin, pa dhe me vdekur tani jemi të gëzuar”.

Libri më i ri i Prof. Dr. Lush Culaj “Ymer Berisha, një mision i pa kryer”, hedhë dritë mbi veprimtarinë politike, kombëtare, arsimore dhe ushtarake të Profesor Ymer Berishës, i cili ishte ndër intelektualës dhe nacionalistët e parë shqiptar, i cili e kishte kuptuar karakterin e kësaj lufte dhe të ideologjisë komuniste jugosllave, e cila fytyrën e vërtetë e tregoi menjëherë pas ripushtimit të Kosovës dhe të Trevave Linbdore Shqiptare, kur vrau e masakroi në mënyrë të pamëshirshme dhjetra mira shqiptar të pafajshëm. Si pasojë e kësaj dhune, lindi rezistenca e Drenicës, në krye me Shaban Polluzhën pjesë e të cilës ishte edhe Ymer Berisha. Vendosja e administrimit ushtarak në Kosovë kishte për qëllim mohimin e të gjitha arritjeve dhe të drejtave të fituara përbrenda rrethanave të Luftës së Dytë Botërore.

Këtë qëllim e vulosi Kuvendi i Prizrenit, i korrikut korrik 1945, që “korrigjoi” vullnetin e shqiptarëve të shprehur në Konfe­rencën e Bujanit. Delegatët zgjodhën rrugën e kapitullimit duke vendosur që Kosova të mbetej pjesë e Jugosllavisë.

Ndoshta këto janë arsyet kryesore që sollën daljen e organizatave të reja politike me frymëzim antikomunist, pavarësisht se tashmë pothuajse ishte bërë vonë për gjithçka. Njëra ndër këto organizata, e cila zhvilloi veprimtari dhe e cila la gjurmë, ndonëse veprimtaria e saj ishte afat­shkurtër, ishte organizata politike-ushtarake “Besa Kom­bë­tare”, themeluar dhe udhëhequr nga Ymer Berisha. Dalja e tij në skenë nuk ishte e rastësishme. Ai ra në sy për dijen, organizimin, stra­tegjinë dhe largpamësinë e tij.

Realisht, në atë gjendje të tensionuar dhe pas gjithë atyre vrasjeve, ishte shumë e vështirë të pretendohej një gjë e tillë. Ishte pikë­risht vullneti i madh i Ymer Berishës me shokë dhe dëshira e madhe për liri që i shtynë të vazhdonin rezistencën. Lëvizja kryesisht udhëhiqej nga atdhetarë dhe intelektualë të shquar si Ymer Berisha, Halim Spahia, Gjon Serreçi, Azem Marana, Halim Orana, Ajet Gërguri, Hysni Rudi, Marie Shllaku e shumë të tjerë. Organizatat ishin kryesisht me karakter të djathtë, pro anglo-amerikane dhe programet e tyre politike kërkonin bashkimin e Kosovës dhe të Trevave Lindore me Shqipë­rinë. Berisha me bashkëmendimtarët e tij iu kundërvunë të keqes së madhe, e cila, mjerisht, nuk mundi të shmangej, pava­rësisht nga jetët eflijuara.

Nga ana tjetër, ndonëse lëvizja komuniste quhej “nacio­nal­çlirimtare” ajo mund të kishte gjithçka brenda vetes përveç çlirimit nacional. Mjafton të rishohim nga perspektiva e sotme se cila ishte “elita” e udhëheqësve të së ashtu­quajturës “Luftë Nacionalçlirimtare në Kosovë” dhe cili ishte niveli i tyre intelektual? Kjo “elitë” përbëhej nga: Fadil Hoxha, Mehmet Hoxha, Ali Shukriu, Sinan Hasani, Emin Duraku etj., që kryesisht kishin të mbaruar ndonjë shkollë fillestare apo Normale të Elbasanit.

Nga ana tjetër, elita e Lëvizjes Nacional-demokratike udhëhiqej nga personalitete të shquara, me arsim të lartë universitar në shtetet perëndimore, si: Ymer Be­risha, Marie Shllaku, Gjon Serreçi, Halim Spahia, Luan Gashi, Selman Riza, Ibrahim Kelmendi, Hysni Rudi dhe shumë të tjerë që, krahas përgatitjes profesionale akademike, kishin dhe reputacion të madh.

Autori, Prof. Dr. Lush Culaj, më të drejtë shtron pyetjën: Përse mbetet edhe sot i vështirë hulumtimi i personalitetit të Ymer Berishës? Duke dhenë përgjegje për faktin se në arkivat nuk kanë dosje për të, apo dokumentet për të janë fare simbolike. Përderisa për bashkëveprimtarët e tjerë, si për Marie Shllakun, Halim Spahinë, Ukë Sadikun, Gjon Serreçin etj., ka dosje nga zhvillimi i proceseve gjyqësore, Ymer Berisha nuk ishte pjesë e gjykimit, sepse ishte vrarë. Jeta dhe veprimtaria e tij mund të shihet vetëm nga deklaratat e të tjerëve në proceset gjyqësore.

Autori ka shfrytë­zu­ar dokumente arkivore edhe nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tira­në, ku, krahas disa informa­cioneve për Ymer Berishën, mora edhe informacione për rrethanat e përgjithshme. Materiali ndriçonte aspekte të qëndrimeve të shtetit shqiptar ndaj çështjes kombëtare.

Përveç kësaj, Lush Culaj, ka shfrytëzuar edhe një memori dokumentesh të ish shërbimeve sekrete jugosllave, UDB dhe OZNA, që ruhen në Arkivin e Jugosllavisë në Beograd dhe në Arkivin Shtetëror të Republikës së Maqedonisë në Shkup, pastaj dosjen prej 33 faqesh të një raporti të CIA-s, me të dhëna edhe për Ymer Berishën; dokumentet nga Arkivi i Londrës për periudhën në shqyrtim; si dhe shumë dokumente tjera me interes nga Arkivi i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Shqipërisë. Përveç kësaj, autori, ka shfrytëzuar edhe shumë artikuj nga shtypi i kohës, dhe studime të ndry­shme që flasin për Ymer Berishën dhe për ngjarje që ndër­lidhen me të.

Në kapitullin e parë: autori flet për Gjenalogjia e familjes Berisha, rrethanat politike-arsimore dhe veprimtaria në Shqipëri të Ymer Berishës, që më pas e pasqyron punën e tij tejet të sukseshme si profesor në Normalen “Sami Frashëri” të Prishtinës. Hulumtimi dhe studimi i personalitetit të Ymer Berishës nuk mund të jetë i plotë pa shtjellimin e rretha­nave shoqërore-politike që sollën te aktiviteti i tij nacional-demokratik. M’u për këtë arsye lexuesit i paraqitet situata nga Mbledhja e Mukjes, ku u bënë përpjekje për një unifikim të forcave për luftë kundër nazifashizmit, pastaj Lidhja e Dytë e Prizrenit, Kuvendi i Bujanit, kryengritja e Shaban Polluzhës, ripushtimi i Kosovës dhe Kuvendi i Prizrenit i korrikut 1945. Mendoj se këto pjesë e plotësojnë një mozaik të vogël të historisë të Kosovës gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe i ndihmojnë lexuesit që ta kuptojë më mirë se pse dolën në skenë Ymer Berisha me bashkëmendimtarë dhe bashkëluftëtarë, me lëvizjet e tyre antifashiste dhe anti­komuniste.

Në kapitullin e dytë autori fillimisht shtron themelimin e organizatës “Besa Kombëtare”, duke vazhduar me veprimtaria e NDSH-së dhe bashkëpunimin me “Besën Kombëtare”. Natyrisht autori e shtjellon kontributin e veçantë të profesorit në Kuvendin e Dobërdolit dhe goditjën e rëndë që mori organizata në Betejën e Çelisë së Siçevës të shtatorit 1945. Synim i veçantë i autorit ështe shtruarja me burime të rënësishme për qëndrimin e Britanisë Madhe ndaj shqiptarëve në fund të Luftës së Dytë Botërore. Promemoria e “Besës Kombëtare” dërguar shefit të misionit anglez në Shqipëri, gjeneralit Hadgson në tetor trë vitit1945, përbënte veprën kulmore të profesor Berishës.

Në kapitullin e tretë autori pasqyron Kongresin e Blinajës (Lipovicës) të 25 korrik 1946 ku profesor Berisha zgjidhët komandant i përgjithshëm për të gjitha viset shqiptare. Pikë shumë e fuqishme në këtë monografi të profesor Culajt është edhe trajtimi i veprimtarisë të korrierëve të Ymer Berishës-korrespodenca me bashkëluftëtarë si dhe vrasja e profesorit. Falë zotërimit të një numri të konsiderueshëm të materialeve arkivore nga arkiva të ndryshme, të pashfrytë­zuara deri tani, janë sqaruar edhe për opinionin shumë gjëra që kishin mbetur dilema, si p.sh. dilema që lidheshin me ditarin e Ymer Berishës etj. Nga dokumentacioni i arkivit të Beogradit u dëshmua se çanta me ditarin e profesorit kishte rënë në duar të sigurimit jugosllav.

Përmes dokumentacionit autori argumenton bindshëm bashkëpunimin e Tiranës zyrtare me Qeverinë e Beogradit për eleminimin e profesor Berishës si dhe shkrime nga shtypi jugosllav për përsonalitetin e profesor Berishës .Autori Culaj, ka sjellur për herë të parë shkrimet e Ymer Berishës si nxënës i Normales të Elbasanit, të cilat të mah­nitin për nivelin e lartë të një nxënësi të Normales.

Në fund të këtij kapitulli vijnë si një embëlsirë, shumë kujtime të veçanta nga përsonalitete të shquara për profesorin si dhe mirënjohjet dhe vlerësimet e merituara që i janë bërë me meritë profesorit.

Prof. Dr. Lush Culaj, konstaton më të drejtë se qëllimi i profesor Berishës për themelimin e organizatës ishte shumë i qartë dhe i ideuar mirë. Parapërgatitjet ishin më të hershme, por mbledhja themeluese u mbajt pas kapitullimit të Italisë, më 8 shtator 1943. Berisha ishte i vetëdijshëm që forcat nazi-fashiste po shkonin drejt hu­m­bjes, ndaj shqiptarët duhet të ishin të gatshëm të përballeshin me sfidat e reja të kohës. Profesori kishte ndikim të madh në Dukagjin, Llapushë dhe Drenicë.

Profesor Culaj konstaton përmes burimeve të ndryshme arkivore se profesori mbante lidhje me forcat anglo-amerikane përmes Krye­zive të Gjakovës, kolonel Sylejman Vuçiternës, Muha­rrem Bajraktarit, Pashuk Bibë Mirakës etj. I një rëndësie jetike sipas studiuesit Culaj, ishte raporti i 22 tetorit 1945, ku profesori e informonte gjeneralin Hadgson për situatën e rëndë politike në Ko­sovë. Qëllimi ishte që Britanisë së Madhe t’ia ofronte një informacion reale mbi gjendjën e shqiptarëve. Lidhjet që mbaheshin ndërmjet organizatës “Besa Kom­bë­tare” dhe misionit anglez realizoheshin me sakrifica të mëdha, kryesisht përmes ambasadave dhe konsullatave që ndodheshin në Shkup e në Tiranë.

Edhe konstatimi i Culajt se në vitet 1945-1947 në radhët e LNDSH-së, pati shumë anëtarë dhe simpatizantë në të gjitha territoret e Kosovës, Trevave Lindore dhe Bujanocit me rrethinë është i drejtë. Se cili ishte reputacioni i profesor Berishës dëshmon fakti se ai në Kongresin e Lipovicës-Blinajës u emërua komandant i UPNDSH-së dhe kryetar i tërë Lë­vizjes Nacional-Demokratike. Ai përbënte strumbullarin e rezistencës antikomuniste. Përmes dokumentacionit arkivor profesor Culaj konstaton më të drejtë që edhe shteti komunist shqiptar ishte i interesuar po aq sa edhe shteti jugosllav për eliminimin e Ymer Berishës.

Autori i kësaj monografie studimore, Prof. Dr. Lush Culaj, me punën e tij të palodhshme hulumtuese dhe shkencore, gjithnjë me vështrim kritik, i nënshtrohet fakteve dhe ngjarjeve të kohës, të bazuar kryesisht në dokumentet arkivore, të cilat janë bazë për studimin e jetës të Ymer Berishës. Të dhënat e shumta arkivore, literatura e begat e shfrytëzuar dhe e konsultuar për veprimtarinë e profesorit, anketat e shumta me të njohurit e tij, i japin veprës një vlerë të veçantë.

Leximi i dorëshkrimit na sjell te konstatimi që duhet thënë se autori në këtë vepër ka bërë një punë të vlefshme studimeve të historiografisë shqiptare. Vepra në fjalë pa dyshim është fryt i punës së gjatë dhe të jashtëzakonshme të studiuesit dhe hulumtuesit Culaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat