Për librin e Adem Lushajt mbi Manastirin e Deçanit

Kultura

Për librin e Adem Lushajt mbi Manastirin e Deçanit

Nga: Avni Spahiu, redaktor i librit Më: 10 korrik 2024 Në ora: 21:52
Avni Spahiu

Libri studimor i Adem Lushajt “Manastiri i Deçanit dhe Pronat Shoqërore” meriton të shihet në të paktën dy rrafshe të rëndësishme, nga që ai hedh dritë mbi historinë, përkatësinë, rolin dhe ndërlikimet historike, etnike dhe politike të një manastiri i cili, të paktën në të kaluarën e afërt është përdorur nga regjimi serb si një mjet për të shtrirë politikën e vet hegjemoniste dhe grabitëse ndaj shqiptarëve. Së dyti, është dëshmi se sa e nevojshme është të punohet me përkushtim në për ndriçimin e një teme të caktuar, fare pak të prekur nga historiografia shqiptare dhe se ç‘rëndësi kanë studime të tilla, për të sqaruar të vërtetën historike, sidomos në këtë rast, një çështje jetike për rajonin Deçanit, meqë rastet si ky janë të ngjashme edhe me anë të tjera të Kosovës lidhur me rolin e kishës serbe në shërbim të politikës së ditës të Serbisë.

Një studim i tillë do të ishte i mirëpritur sidomos para se të merrej vendim nga UNESCO për të inkorporuar kishat kosovare nën trashëgiminë serbe, si dhe, për më tepër, për t’u dalë në ndihmë politikanëve të Kosovës që në këtë aspekt të kenë materiale dhe fakte të mjaftueshme për të mbrojtur të vërtetën për manastiret dhe kishat serbe në Kosovë. Natyrisht, do t’i ndihmonte ata që të mbronin të vërtetën mbi këto objekte kulti para botës edhe me rastin e botimit të para disa vjetëve nga MPJ të së vërtetës mbështetur në mitet serbe mbi trashëgiminë kulturore të Kosovës në kuadër të kërkesës për pranim në UNESKO. Në atë përmbajtje, pala jonë ka pranuar fare hapur dhe pa hezitim se e tërë trashëgimia mesjetare e Kosovës i takon proveniencës serbe, bashkë me periudhën në vazhdim që pranohet si otomane lindore. Duke qenë se ky “arsyetim” nuk përmban edhe lashtësinë, në fakt, ky pamflet i MPJ paraqet një mohim të plotë të trashëgimisë shqiptare në Kosovë. Në këtë aspekt, një libër-studim i këtij lloji, siç është shkruar nga Adem Lushaj do të ishte më se i mirëseardhur dhe do të paraqiste një ndihmesë për të mësuar disa fakte të thjeshta dhe të pamohueshme lidhur me këtë çështje. Natyrisht, do të ndihmonte edhe Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, e cila në mungesë të fakteve dhe duke u mbështetur vetëm në vendimet e ligjit të regjimit të Millosheviçit i njeh Manastirit të Deçanit të drejtën për të përvetësuar një pasuri të konsiderueshme të territorit që i përket komunës së Deçanit.

Se politika kosovare ishte po aq e padenjë në Kosovën e pasluftës dëshmon edhe fakti se asnjëherë nuk është këmbëngulur që të gjitha ligjet e miratuara nga regjimi millosheviçian të shpallen të jashtëligjshme dhe diskriminuese me efekt retroaktiv, në mënyrë që rasteve si ky i Manastirit të Deçanit t’u hiqet baza ligjore mbi të cilën do të mund të merreshin vendime të prera si ai i Gjykatës Kushtetuese. Si rrjedhojë, problemi është rritur në një moment të tillë që sot paraqet një nga çështje kyçe të dialogut me Serbinë dhe kërkesës së ndërkombëtarëve për zbatimin e vendimit dhe të dorëzimit dhe bartjes së pronave dhe zgjerimin e territorit të Manastirit të Deçanit në dëm të interesave publike dhe private të Komunës së Deçanit.

Aspekte të tjera në libër janë vështruar dhe studiuar përmes analizash dhe argumentimesh lidhur me problematikën, argumentime juridike, historike, sociale dhe etnografike lidhur me të vërtetën mbi pronat dhe territorin e Manastirit, i cili jo vetëm që është kthyer në “mollë sherri” për Kosovën por edhe në ngadhënjim të padrejtësisë edhe një herë në dëm të shqiptarëve. Këto argumentime janë të bollshme dhe mbështetura nga të dhëna të dokumentuara që nga e kaluara deri më sot...

Rëndësia e këtij libri, pra është shumëdimensionale dhe paraqet në shembull se si duhet punuar në qasjen e aspekteve të ndryshme të ndriçimit të së vërtetës. Kjo është e nevojshme edhe si rikujtim për historianët tanë që të merren me këtë çështje të historisë së miteve serbe nga që me raste të tilla të ngjashme ballafaqohemi pothuajse çdo ditë kur Serbia çdo gjë nga e kaluara e Kosovës e quan dhe e trumbeton si serbe. Shpesh, ia arrin kësaj pikërisht për shkak të faktit se shqiptarët merren fare pak me sqarimin e së vërtetës historike lidhur me lashtësinë dhe praninë e shqiptarëve në mënyrë kontinuitive në këto troje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat