Ndre Gega i Perlatit

Kultura

Ndre Gega i Perlatit

Nga: Alfred Duka Më: 9 korrik 2024 Në ora: 08:28
Alfred Duka

- Or Ndre Gega, - thirri dikush në oborr të shtëpisë.

- Hajde, iu përgjigj Ndreu dhe me të shpejtë doli në derë.

- Hajde, or Gjergj, mirëse të pru zoti!

Nuk kishte raki, as kafe.

- Jemi tu e pi një kafe elbi, or Gjergj se për zotin as kafe të mirë e as raki nuk gjindet në këtë derë. Na ka mbulue halli, skamja, goja mshele, as njeh kënd, as të njeh kush, as ke pa, as të kanë pa, as për mort, as për dasëm, as për kurrë nji send.

Duke qenë se Ndreut i mbahej goja dhe fjalët i nxirrte me vështirësi, shtoji edhe urrejtjen që i vlonte përbrenda, duke i përskuqun fjalët, por edhe vetë ishte bërë spec i kuq. Si për ta qetësuar veten, i shkarkohej zjarrit me mashna, për ta kërkuar fajtorin në shpuzën e pafajshme të oxhakut duke rrotulluar mashnën tu shpuzitë gacat para mbrapa, të cilat nxirrnin kurora shkëndijash në mbrojtje të qetësisë së tyre të pafajshme.

Pasi drodhën nga një cigare në kuti të duhanit të njëri - tjetrit, e u pyetën për hallin që i kishte mbulue, ja priti Gjergji:

- Ndre, ky hall është për derë, kush ma shumë e kush ma pak po bëhemi të gjithë njësoj. Rrafsh. Por ka edhe ma keq, shokët tu janë tu i "çue ke dajat" krejt dhe e kanë ba gati edhe një shami të kuqe për ty (riti i shkuarjes së fëmijëve tek dajat e tyre). Këto fjalë m’i ka thanë një mik që nuk flet kot, e nuk i lëshon fjalët veresie. Pashë zotin rrudhe gjuhën, se ti i ke kcye të gjashtëdhjetat e nuk del ma gjallë prej Spaçi. Për si e kanë nis këta, ty ta kanë vonu, o miku im. Lekë Duka, që bani vitin në hapsane, nuk i sheh ma robtë e shtëpisë së vet, Gjokën e Blinit, thanë se e kanë ngatërrue me një "radio marrëse e dhanëse", po ban vitin në hapsanë. E kishte fshehur në një zgavër të një lisi, po duan me thanë. Se me kë merrej vesht hajde e gjeje këtë mesele. E kanë zanë tu fol me të huajt andej nga Tjegullat e Prosekut. Me amerikant thanë. Një zot e di se cila është e vërteta, por ai është në burg. Lek Legisi bice e bani vitin në hapsanë. Doçtë, i kanë mbledh në shtatë e më shatëdhjetë, u banë gjashtë vetë të një shtëpie në birucë. Për zotin më thanë se kanë shti mrenë ene Palin, atë profesorin e historisë ka nja një javë në Tiranë. Veç Mhilli ka met. Kësaj pune nuk asht tu i dhanë kush ma dum or miku im. Mhilli, ça nuk ka ba për këtë hyqymet, e nga ana tjetër, krejt robt e shtëpisë n'hapsanë, me vllazën e nipa ku i kanë zanë. Njani prej djemve të Ndoit, tu u tut se po e shtinë edhe atë në burg, është arratis me gjasë ka nja një muaj në Jugosllavi, po dun me thanë. Mbaje mend kur kanë për ta pru si dac në thes. Janë pallavra dushku llafet nalt e poshtë se kjo parti është prish me Jugosllavinë, për zotin qesin e bjen rob e të arratisun përditë. Merr e nep. Se si ia ka marrë mendja me u arratisë, unë dum nuk i jap. Janë tu ju dek për bukë mrenë kalamajtë edhe gratë e shtëpisë për atë kishë. Asnji hyqymet nuk ka shti në hapsanë krejt robt e shtëpisë. Kurrë nuk ka ba vaki. Kurrëkush nuk asht tu i dhanë dum ma kësaj partie. E kush ishte ma i urtë e i pa fjalë se ai Marku i Përndojit? Ai si mos me qanë i asaj shpie. Ka dashtë me shemb minieren thanë. Ai memze thoshte "a mujte", këta thonë ça nuk e thotë kush! Në fisin tand hala nuk kanë fillue, se për zotin kur t’ia nisin ka për tu zhbi dynjaja. Krejt ju, e Dukajt në u mledhshin kambë për kambë, e nju shtifshin në hapsanë, nuk thotë kush se ju kanë ra në qafë, se ju jini të dalë mensh, or miku im. Se ju për atë kishë me këtë hyqymet nuk jeni asnja. Nuk e di për ata të Gjet Gjonit, që i met djali në Bosnje, e ja banë dëshmor. Se për të tjerët! A e njeh atë teshin e Pjetër Krosit? Një kalama i keq? Ai që foli pa i marrë leje kujt me Enverin, si me qanë tu fol me robt e shtëpisë? Janë tu prit sa të mbushi tetëmbëdhjetë vjeç, ene ke vendi. Dreqi e di se kush e mësoi atëherë! Qysh po e lanë pa e shti n’burg atë mistrec, masi i tha Enverit se "krejt janë tu rrejtë, masi ne nuk na ka dhanë kush asnjë pikë tamël, as kurrëgja". Pështoi se që kalama shtatë vjeç, po këta e kanë me terezi, or miku em, e nuk mërziten. Sa të mbushi moshën, e ke vendi. Bani çmos e mos ngatërroni kalamajtë si Doçte, se ti e Biba në rrazë të veshit e keni. Biba asht zot ruana, ai ka dalë mensh krejt. S’ka për të mujt me e pështue përherë Marku i Ndrecdedës. Ene ti pështove si pështove qatëherë me Gjolekën, po këta të sotmit, nuk kanë besë e fe kund. Këtu në këtë katundin tonë luro dreqi vetë, ene ditën, pa le ma natën. A e njef atë Pal Shytin? Ai që tallet me milet termal e tëposhtë. Një haramzade, që nuk ka punue kurrë. E kanë shti në punë me rujt depon e armatimit, mos me i dekë kalamajtë për bukë, mirëpo ai si shkonte ora njëmbëdhjetë e natës, ja rraste gjumit, që me qek e me e lëshu zhag deri në zallë se nuk i dilte gjumi. Delenxhiu. I kishin shkue për kontroll një nate ata te Dega e Mrenshme, qaty ka ora 2 mas mesnate. Ai në atë orë i kishte ba tre sahat gjume. I kishin marrë pushkën dhe e kishin pshtet për muri. More maskara, i kishin thanë, do të arrestojmë e ke për ti ba do vjet burg. Ju e dini, ju kishte thënë delenxhiu. Si ore e dimë ne për gjumin tand, a e di se çfare ka ndodhun në Kukës? Si fle gjumë? Dakord, dakord, jam me ju, por ama ene ju vini vak e pa vak (kohë pa kohë) për kontroll. Mirë, mirë se ta tregojmë ne i kishin thanë. E falën prej Prengës që asht sekretarë partie, se e kishin marrë taposhtë atë natë. Një sofër burra, në dy katunde, për një vit, kurrë nuk i kanë shti në hapasanë, veç sivjet. As turku, as Mbreti, as Italia e as kërkush nuk kanë ba si këta. Pritja sofrës së dytë. Ai atje në Tiranë, thotë me e shtërngue këtë "Luftën e klasave" deri në kikëzen e fundit, deri kur të na krejin krejt. Halli na ka mbulue, na mbyti buka e tallamoqit me drithë hibrid, pjek e pa pjek e për faqe të zezë, ene hec e bëzaj, hec e thuaj se buka asht e papjekun, hec e thuaj se asht me kashtë, anipse gjysma kashtë e gjysma baltë asht. Ai thotë Lufta e klasave. Unë se ku janë këto klasa nuk i jap dum. Ka për të shkue maca m’bishtit për zotin! Këtu e ndali të folmen Gjergji.

- Njëherë ti Gjergj, mirëserdhe, - i tha Ndreu! - Unë për veti, pasi ndijva se Ai në Tiranë shtiu mrenë gjysmën e ministrave, masi e tradhtuen, e filloi tu i pushkatue nja e nga nja, më shkoj mendja se nuk asht tu i ra ma ndërmend për ne kësaj ane, por nuk paskam ditë gja. Me sa shoh se si po shkojnë punët, s’kanë për të pas biruca për ne, veç na shtifshin ka pesëmbëdhjetë vetë. Biba em ka dalë mensh krejt. Masi i hoqën "triskën e Frontit", si e di ene ti ma, hasi me një shoq, e ai pa të keq i tha Bibës, pasi e pa tu u kollit si qen:

- Lene duhanin, or Bibë, se të mbyti krejt për zotin me sa po shoh!’

- Nuk lihet duhani në mort, or Ndue, a i ke ment në krye a jo, - ia ktheu Biba. Ndoi si i ndiu këto fjalë, iku turraqit pa i thanë as tungjatjeta, mbasi e kuptoj se me mort, Biba kishte parasysh këtë hyqymet dhe nuk dëshironte me dalë nesër dëshmitarë. Biba si Biba !

- Atë ditën e mbledhjes së tre katundeve, kur i hoqën "triskën e Frontit", Biba ka lanë nam tu u tallë me ata të delegumit, - e mori fjalën prapë Gjergji.

- Kush ishte aty, thamë me veti se janë tu e marrë tëposhtë lidh kambësh e duersh. Atë ditë nuk e muarën, por me e fal nuk e falin. Jua lëshoi më të randë shumë. I ka fjalët e randa Biba, për atë kishë. A e mban mend se si u tha në mbledhje të frontit kur ja hoqën triskën e Frontit?

- Merreni ju, tha, as jua kërkon ma qyky Bibë. "Unë kam hall se kam për të gjet tatën tem pa kalb toka, se ai nuk e ka pas asnjë ditë këtë triskën e Frontit, pasi unë e kam pas do vjet, e s’asht hall kjo punë, mue të paktën me kalb toka kollaj, po për tatën tem si i bahet halli"?

Pasi Gjergji doli përjashta, Ndreu e përcolli deri në fund të oborrit, që ishte i rrethuar me një gardh me thupra. Hyri brenda i tronditur, duke përbluar fjalë për fjalë ato që i tha Gjergji, i cili megjithëse asht dashamirë dhe njiheshin që fëmijë, prapë se prapë, nuk se ja kishte lexuar mendjen mirë. Ai, a kishte ardhur me mentë e veta, apo e kishin çue kush me m’i thanë këto fjalë, të cilat të rreshtuara ashtu, kurrë nuk i kishte biseduar me të, e vunë në dyshim të madh.

Pasi erdhi darka, u shtri me fjetë dhe e solli edhe një herë të gjithë bisedën nëpër tru. Aty nga mesi i natës, meqenëse për gjumë as që bëhej fjalë, iu krijua një bindje se nuk ishte e largët dita kur do ta arrestonin. Zbardhja e ditës pothuajse e gjeti pa vënë gjumë në sy.

- Përse nuk ke fjet mbramë or plak, e pyeti e shoqja. A të ka dhëmb kund?

- Kur dreqin u banë doktoreshë mori, - ia ktheu Ndreu.

- Doktor, as doktorreshë që të njeh si unë nuk ka në këtë dynja, or plak, - ja priti aty për aty e shoqja.

- Hallet e katundit, oj plakë po më lanë pa gjumë, - shpotiti Ndreu.

- Për katund, mos të pshtoftë tuni (kryet), mirë ka thanë ai shoqi jonë. Ti nuk je për hallet e shtëpise tande, e ti thue katundi?…

- Tu ja lujt me sy hunit je me sa po më shohin syte oj plakë, - e kërcënoi Ndreu.

E shoqja heshti. Pasi u kthye nga puna e kooperativës, i lodhur, i pangrënë, i pafjetur, edhe dreka, ashtu për faqe të zezë siç ishte, nuk po i hahej. Doli në oborr, pasi nuk po i rrihej brenda. I kishte ba dy ditë turbullt...

Sytë i zunë dy vetura njëra pas tjetrës, që po e ngrinin shtëllungën e pluhurit, kthesave të Mullinit të Madh. Ishte e sigurtë se pa të arrestuar, nuk ktheheshin teposhtë. Mjerë ai që e ka rradhën sot, foli si me vete Ndreu. Kodra poshtë shtëpise së tij e pengonte, për të parë gjithë rrugën e kalldremit përgjatë pak më shumë se një km, por më pas dukej rruga deri sa humbiste afër minierës. Për çudinë e tij, makinat edhe pse patën kohë për ta bërë atë copë rrugë, që nuk shihej prej shtëpisë së tij dhe për t’u dukur matanë, autoveturat humbën. Nga dreqin shkuan? Sa do ngadalë, patën kohë për ta përshkuar atë copë rrugë!

Ndreu picërroi sytë. Dy autoveturat zi si terri, i ishin drejtue shtëpise së tij. Ajo udhë traktori, deri tek ai shkonte. Nuk kishin ka me shkue tjetër. Heu, pro dreqi i mallkue!

- Plakë!, - thirri i alarmuar Ndreu, - më bëj gati naj rraqe e të vishem se erdhën me më marrë.

- Kush dreqin do me të marrë ty, or plak, - ja priti e shoqja, - ti për Zotin nuk i duhesh gja kujt.

- A ndive? - të thashë, ato vetura për mua kanë ardhë, pasi nuk kanë se ku me shkue tjetër. Ato dreqën nuk hypin malit, deri këtu vijnë. U vesh shpejt e shpejt dhe u ba gati, tue sjellë ndërmend fjalë për fjalë ato që i kishte thënë Gjergji pardje. ..."E paskan çue për Zotin, i paska ditë krejt punët, ene Gjergji qenka lidh me këta dreqën"? Zot na ruaj! Ndreu e mblodhi veten dhe ndërkohë që veturat iu afruan derës së shtëpisë, doli jashtë, akoma pa i thirrur kush. Po kalonte nëper tru tridhjetë e kusur vjet të këtij hyqymeti dhe nuk ishte aspak i sigurtë, se cili prej burrave që kishte bisedue me to, do t’i dilte përballë në hetuesi. Hajde prite, Ndre Gega prite, po i fliste vetes.

*

Atë ditë, në mëngjes, në Komitetin Ekzekutiv të Mirditës kishte ardhur nga Tirana zëvendës ministri i shëndetsisë, për të parë gjendjen në spitalin e vogël të qytetit të Rrëshenit. Pasi kishte kryer kontrolle dhe inspektuar spitalin, befasisht i kishte thënë shefit të shëndetësisë së rrethit, se në planin e tij do të ishin edhe kontrolli dhe verifikimi i kushteve të higjenës në fshat, sipas porosive të partisë.

- Do të ecim rrugës së Lurës dhe do t’i caktoj unë shtëpitë që do të kontrollojmë, tha prerë zëvendës ministri.

- Shumë dakord shoku zëvendës minister, - iu pergjigj shefi i shëndetësisë, një mjek nga Tirana, që kishte për mbiemër emrin e një qyteti të vogël të Shqipërisë së mesme. Madje më mirë kështu tha me vete, që do të qëndronin së bashku, pasi do ja zinte në gojë problemin e transferimit të tij, meqenëse e kishte plotësuar afatin e qëndrimit. Kishte kalur pesë vjet në Mirditë dhe donte të afrohej te familja në Tiranë. Rrugës i shoqëronte edhe nënkryetari i Komitetit Ekzekutiv. Pasi ecën diku rreth pesëmbëdhjetë kilometra, zv. ministrit i zunë sytë një shtëpi njëkatëshe, të vetmuar, të cilën nuk po e shquante dot, në ishte me mure guri, apo tulle të vendosur në krye të një ngastre toke, rreth katër a pesë ha, si shalë turku, që varej në të dy krahët, të sapo mbjellur me pemë të reja, ndërsa shtëpia rrinte si mbi samar.

- Nëse shkon rruga deri atje tek ajo shtëpi e vetmuar, aty do të vemi. Po më duket një pozicion interesant, - i tha zv. ministri, shefit të shëndetësisë. Ky i fundit i zënë ngushtë, pasi nuk i dinte nëse kishte rrugë apo jo, pyeti nënkryetarin e Komitetit që e kishte në krah, në sediljen e pasme, i sigurtë se ai duhej ta dinte me siguri, pasi ishte vendali.

- Po, shoku zv. minister, veçse duhet të kalojmë këtë prruan dhe vemi në vend, - foli vetë nënkryetari, për të mos bërë telefonin e prishur brenda makinës.

- Dakord, atje do të shkojmë, - tha zv. ministri dhe me vete mendonte se e acaronte shumë ky paratitulli zëvendës, i cili megjithëse kishte vite që e mbante si një xhaketë të vjetër, prapë nuk po mësohej me të, apo më saktë kishte ca kohë, pasi në fillim ngrefosej si pallua, por më pas, sikur po e bezdiste. Shoku zëvendës, shoku zëvendës, zëvendës… dhe me këto mendime në kokë iu afruan shtëpisë që kishte piketuar vetë për kontroll. Shtëpia nuk ishte e ndërtuar as me gurë, as me tullë, por me ca si dërrasa të palatuara, të lyer me gëlqere që kishte rënë në më shumë vende se sa kishte mbetur në këto dërrasa. Çatia me tjegulla të vjetra, të lugëta ishte përkulur nga vitet dhe dukej se do t’i zinte njerëzit brenda saj nga çasti në çast. Zbritën nga makinat, hapën një si lesë me thupra që luante rolin e portës së oborrit dhe thirrën: “O i zoti i shtëpisë”. Ndreu, vërejti se nga makinat dualën pesë persona dhe për çudinë e tij, asnjëri prej tyre nuk ishte polic. Duhet të jenë në makinë, mendoi, pasi nuk shquante dot se sa njerëz të tjerë kishte brenda tyre. Këta të arrestojnë edhe pa policë mor aman, - pati kohë të mendonte.

- Mmmmirëseredhët! - e ngriti zërin Ndreu, për t’iu dhënë me kuptue, se nuk kishte frikë fare dhe ndërkohë bëri disa hapa në drejtim të tyre.

- Gati jam, - thirri përsëri… Nnnnre Geeega jam… tha duke përsëritur disa herë bashtingëlloret, pasi edhe i paemocionuar i mbahej goja, sidomos gërma e parë e emrit të tij, e mundonte pa masë. Në përpjekje për ta shqiptuar gjuha i mbetej jashtë ndërmjet dhëmbëve dhe bënte lëvizje të shpejta të kokës lart - poshtë duke mbyllur njëkohësisht sytë dhe ngushtuar kraharorin, a thua se po përmbyllte me vibrato ca nota akute. Por e nxori më në fund. Zgjati dorën të parit të tyre dhe instikitivisht afroi edhe dorën tjetër, mbi shpinën e dorës së zv. ministrit, si për t’i dhënë me kuptue se ishte gati për ta lidhur (arrestuar) dhe nuk i shkonte në mendje për të bërë rezistencë.

Këtë gjest, i paftuari, e lexoj si dorështrënguarje pasi e shoqëroi edhe vetë me të njëjtin gjest, duke ia dhënë dorën Ndreut dhe vënë tjetrën mbi të. Mbetën për pak çaste dorë mbi dorë shtërnguar të dy, sy në sy, ku asnjëri nuk po e merrte vesh tjetrin. Pas këtij veprimi, Ndreu u ba jerm, nuk po kuptonte asgjë, kjo sjellje nuk kishte asnjë lidhje me ato që kishte parë në raste arrestimesh. Çfarë dreqin janë këta, po thoshte me vete.

- Ky është zëvendës ministri i shëndetësisë, - bëri prezantimin nën kryetari i Komitetit si vendas që ishte, ndërsa ky është shefi i seksionit të shëndetësisë së rrethit shoku Mahmut. Ndërsa ky është…Ndreu u zbardh. Nuk po dëgjonte më asgjë nga sa po i thuhej. Këta po tallen me mua mendoi aty për aty, por këtë poshtërim nuk kam për ta lënë ta çojnë deri në fund.

- Qyky Ndre asht ba gati me ardhë me ju, ene ju nuk keni përse talleni me mu këtu në oborr të shtëpisë teme, - guxoj fort Ndreu.

Zv. ministri, pa nga nënkryetari, si për t’i kërkuar ndihmë në përkthim, pasi nuk po e kuptonte të zotin e shtëpisë dhe bëri një si hap anash, si për t’u lënë vend bashkëbiseduesëve që ia dinin gjuhën njëri - tjetrit.

- O shoku Ndre, të thashë se kush është ky shoku është zëvendës ministër, - ndërhyri nënkryetari duke u drejtuar nga zëvendësi.

- Ne kemi ardhur për të parë nivelin e higjenës në fshatin tuaj dhe të kapi lapsi ty për ta bërë këtë kontroll. Kaq është kjo punë. Ti se ça je tu thanë nuk po të marrim vesht.

- Aha, pa për kontroll pastërtie paski ardh ju? Ejha, po kollaj krejt asht kjo punë, or burra, unë thashë se për çfarë jeni mundue deri këtu?

- Ne do të kontrollojmë posaçërisht banjon e shtëpisë, apo si i thonë ndryshe VC, -ndërhyri zëvendës ministri.

- Dakord, more burra, - u qetësua Ndreu.

- Atëherë na pri, - e mori fjalën nënkryetari, duke menduar se VC ishte brenda shtëpisë.

- Hajdeni mas meje! - ju tha Ndreu dhe vijoj rrugën drejt fundit të livadhit që përfundonte në një të rrëpirtë me dushqe, e cila binte thikë në përrua. Pasi i tërhoqi zhag një copë, nënkryetari u mërzit dhe tha;

- Ku po na çon, mor burrë? - Qenka shumë larg shtëpisë!, - u ankua më shumë se u habit zëvendësi, pasi bënë nja treqind metra rrugë.

- I mbajmë larg shpisë, shoku ministër. I mbajmë larg prej pastërtisë, - e mori veten Ndreu, duke hyrë dalëngadalë në habitatin e cinizmit të vet, për të cilin ishte mjeshtër i vërtetë.

Në fund të livadhit, ku fillonte rrëpira ndaluan, Ndreu aty kishte vendosur horizontalisht një dru dy krahësh të trashë, ashtu siç e kishte prerë në pyll, pak më sipër shtëpisë, bashkimi i të cilit ishte ngulur në livadh dhe krahët e tij mbaheshin nga dy drunj të tjerë të ngulur në fillim të rrëpirës të mbushur me dushqe, edhe ato të bigëzuar në krye të tyre, të cilët mbanin horizontalisht fundin e krahëve të dykrahëshit. Që të tre drujtë së bashku, përbenin VC e Ndreut.

- Çfarë është kjo? - pyeti zëvendës ministri.

- Kjo asht nevojtorja në fjalë e shtëpise sime, - iu përgjigj Ndreu, me solemnitet gati gatitu me kokën lart, a thua se po dëshmonte për një akt heroizmi të padëgjuar kurrë. Pasi zgjati kokën për të parë, poshtë drurit dykrahësh si për të vërtetuar çfarë tha i zoti i shtëpisë tha:

- Po këtu nuk ka dalur njëri jashtë?

- Nuk dalim, - tha Ndreu.

- Si nuk dilni? - u habit zëvendës ministri.

- Nuk dalim jo, - e siguroi Ndreu.

- Sa kohë ka që e keni ndërtuar?

- U banë do vjet besa, - iu përgjigj Ndreu.

- Po si u bënë disa vjet dhe këtu nuk ka dalur njëri jashtë, ku delni jashtë ju? - e tensionoi pak zërin zëvendësi.

- Nuk dalim fare shoku ministër, - ia priti Ndreu.

- Si? Prej sa pjesëtarësh përbehet familja juaj? - pyeti zëvëndësi, tani plotësisht i acaraur, pasi i zoti i shtëpisë dukej se po tallej ashiqare.

- Gjashtë vetë jemi, - u pergjigj Ndreu.

- At’herë, si? - vijoi zëvendës ministri.

- U banë do vjet që nuk dalim jashtë fare, shoku Ministër, gja me hangër nuk kemi, kështu që nuk dalim hiç, ene kështu ma, me hangër jo!... ia priti Ndreu, duke i rrotulluar sytë nga nënkryetari, si për ta pyetur se a je tue kuptue gja ti të paktën, se ky jabanxhia nuk asht tue i dhanë dum.

Zv. Ministri u bë flakë i kuq, që e pa veten në këtë grackë të këtij fshatari të humbur e gagac dhe gati sa nuk bërtiti:

- Hajde e ikim!... - dhe nxitoj për tek makinat, pa e kthyer kokën pas...

Ndreu bëri adetin e fundit, pasi ngriti njërën dorë lart me solemnitet të rëndë: udha e mbarë, e mirardhëshi apet... në kësi ziafetesh...

Asnjëri nuk e ktheu kokën pas, por vetëm përpara...

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat