​Biblioteka Kombëtare ofron qasje për personat me aftësi të kufizuara

Kultura

​Biblioteka Kombëtare ofron qasje për personat me aftësi të kufizuara

Më: 21 qershor 2024 Në ora: 12:24
Tashmë kjo kategori do të ketë mundësi të qaset në zyre, në hapësirat ekspozuese, në amfiteatrin kryesor dhe në dy salla të leximit.

Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani” nga sot ka filluar të ofrojë qasje infrastrukturore për persona me aftësi të kufizuara, me organizatën “HANDIKOS” që ka përuruar hapësirat ku është ofruar qasja.

Tashmë kjo kategori do të ketë mundësi të qaset në zyre, në hapësirat ekspozuese, në amfiteatrin kryesor dhe në dy salla të leximit.

Drejtori i organizatës joqeveritare "HANDIKOS", Afrim Maliqi tha se një ndër sfidat kryesore e personave me aftësi të kufizuara është qasja.

Maliqi theksoi se edhe pse objekti i Bibliotekës Kombëtare është i vjetër, ka mundur të rregullohet kohë më parë në mënyrë që të krijohet ambient i përshtatshëm për të gjitha kategoritë e shoqërisë.

Duke folur për Udhëzimin Administrativ për qasje, Maliqi theksoi po të respektohej me kohë ky udhëzim, sot Kosova do të kishte ambient të qasshëm për të gjithë.

Maliqi: Ndër sfidat kryesore të personave me aftësi të kufizuara është qasja

"Një ndër sfidat kryesore me të cilën ballafaqohen personat me aftësi të kufizuara është qasja apo qasshmëria. Kjo bazohet edhe në hulumtimet që kemi bërë ne por edhe organizatat tjera partnere. Në këtë rast është zgjedhur Biblioteka Kombëtare që të krijojë kushte dhe të krijojë hapësira të qasshme për të gjithë që nënkupton edhe për studentët me aftësi të kufizuara. Një gjë që është me rëndësi është se edhe pse është objekt i vjetër që sa dekada, ka mundur të rregullohet dhe ka mundur t'i përshtatet nevojave me çfarëdo kufizimi që kanë ata dhe të krijohet ambient i përshtatshëm si për të gjithë të tjerët. E them kështu se sa herë që bisedojë me institucionet, shumica arsyetohen se është objekti i vjetër dhe nuk ka mundësi apo krijohet buxhet, mirëpo ky është një shembull se mund të rregullohet edhe në objekt të vjetër. Nëse flasim për objekt të ri, qysh në vitin 2007 kur ka hyrë në fuqi udhëzimi administrativ për qasje, po të ishte respektuar ky udhëzim administrativ sot Kosova në përgjithësi do të ishte ndryshe, do të kishte një ambient të qasshëm për të gjithë", deklaroi ai.

Krijimit të qasjes për persona me aftësi të kufizuara në Bibliotekën Kombëtare i është gëzuar edhe studenti Eldin Gashi.

Ai tha se edhe pse nuk është përdorues i karrocës, pjerrinat e vendosura do t’i mundësojnë atij qasje më të lehtë në bibliotekë.

Gashi: Pjerrinat do të ma bëjnë shumë të lehte qasjen në objekt

"Gjatë këtij viti jam bërë edhe student dhe ndoshta do të më bie më shpesh të vizitojë Bibliotekën Kombëtare e shumë më të lehtë do ta kem të qasem në objekt. Ndoshta nuk jam përdorues i karrocës por eci me vështirësi edhe në të njëjtën kohë pjerrinat do të ma bëjnë shumë të lehtë qasjen në objekt", tha ai.

Kurse, Alban Morina nga organizata "Trashëgimia Kulturore pa Kufij" theksoi se në Bibliotekën Kombëtare tanimë është ofruar qasje në hapësirat administrative dhe se ky projekt është financuar nga Ministria e Kulturës.

Morina: Projekti është financuar prej Ministrisë së Kulturës

"Projekti është financuar prej Ministrisë së Kulturës dhe ka pasur për qëllim qe të krijojë qasje të personave me aftësi të kufizuara në objektet e trashëgimisë kulturore. Gjitha këto punime që i keni parë sot në Bibliotekën Kombëtare janë vetëm një pjesë e vogël e projektit dhe projekti ka filluar me takime, me vizita në objektet e trashëgimisë kulturore edhe çfarë është më e rëndësishmja ka kulmuar me publikimin e këtij doracaku që do të shërbejë të gjitha OJQ-ve ose kompanive private që të bëjnë ndërhyrje në saje të trashëgimisë kulturore", tha ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat