Arbëreshi Marathonak

Kultura

Arbëreshi Marathonak

Nga: Arben Llalla Më: 20 qershor 2024 Në ora: 18:40
Prof.Antonio Bellushi dhe Arben Llalla

Ai rend si Marathonak, rend kudo që ndodhet gjaku i shprish i arbërit. Mban ligjerata në çdo qendër të madhe të bashkësive të diasporës shqiptare në botë. Është i thjeshtë, një prift i një kishe arbëreshe në Kozencë. Këndon kudo që vete për arbërin, sot në Greqi, dje ishte në Australi tek shqiptarët e ish-Jugosllavis, nesër vallë në Nju-Jork, Prishtin, Tiranë!

E ky Marathonak që rend me vite të tëra e nuk ndjenë lodhje është papa Antonio Bellushi.

Prof.Antonio Bellushi është një emër i madh i gjakut të arbërit. I njohur e i nderuar në të gjithë botën shqiptare, i respektuar nga shumë figura të politikës në SH.B.A, Itali, Greqi, Shqipëri, Kosovë etj. Ai kërkon, studion, mbledh çdo copëz të kulturës mbarë botërore të arbërit dhe kur themi të arbërit kuptojmë shqiptare.

Me urat Antonio Bellushin jam njohur nga afër më 25 maj 2000, me rastin e prezantimit të librit të studiuesit dhe historianit Aristidh Kolës, me titull ‘’Antonio Bellushi dhe magjia e traditës popullore’’ kushtuar shkencëtarit, priftit dhe studiuesit Antonio Bellushit.

Atë mbrëmje kishte shumë të ftuar të kulturës greke dhe shqiptare, ku për fat të keq mungonte autori i veprës Aristidh Kola, i cili urgjentish u shtrua në spital i sëmurë rëndë. Me urat Bellushin kuvenduam dhe këmbyem adresat me njëri-tjetrin, dhe kështu ndërtuam një lidhje të ngushtë që vazhdon akoma edhe sot midis nesh.

I lindur më 1934, në katundin arbëresh Frashineto të rrethit të Kozencës. Pasi mbaroi gjimnazin dhe Liceun Klasik në Romë, studiojë më 1956-1962 në Universitetin e Gregorianë në Romë, dy vjet Filozofi dhe katër vjet Teologji.

Në Romë u njoh me prof.Ernest Koliqin, i cili i ndezi dashurinë për kulturën e të parëve shqiptare. Prof.Koliqi e ftoi urat Bellushin që të bashkëpunonte me revistën ‘’Shejzat’’. Në revistën ‘’Shejzat’’, Bellushi botoi shkrimet e para rreth studimeve për arbërorët në Greqi.

Më 1963-1965, prift Bellushi punoi në një katund arbëresh, në Shën Sofia Epiros në Kalabri, dhe bashkë me priftin Jani Kaparrelli botuan revistën ‘’Dita jonë’’. Më vonë do të dërgohej të punonte në katundin tjetër arbëresh, në Shën Kostandin Arberesh. Në vitin 1966, papa Bellushi themeloi revistën ‘’Vatra jonë’’ e cila u botua për katër vjet rreshtë dhe në të punonin tre mësues dhe një mjek, dhe shkruanin për ngjarjen e katundit Shën Kostandinit.

Ipeshkëvi e dërgon në vitin 1973, në katundin arbëresh, Falconara Albanese si famullar. Më tej dërgohet të punojë prift në Kozencë për t’u predikuar për arbëreshët, dhe atje vazhdon të punojë edhe sot.

Në vitin 1980, themeloi revistën kulturore italo-greko-shqiptare ‘’Lidhja’’ e cila botohet çdo gjashtë muaj dhe është bërë një organ lidhjesh shpirtërore e kulturore, me Shqipërinë, Kosovë, FYROM, Malin e zi, Greqinë, dhe të gjithë shqiptarët në Diasporë. Revista ‘’Lidhja’’ është vazhduesja e revistës ‘’Vatra Jonë’’ e cila është organ i Qëndrës Kulturore ‘’Gjergj Kasrioti’’ në Kozencë.

Në janar të vitit 1994, me dekret, të Kryetarit të Republikës së Shqipërisë Prof.Dr.Sali Berisha, u miratua dhënia e nështetësisë shqiptare Prof.Antonio Bellushit.

Dhe më 29 janar 1994, sekretari i përgjithshëm i Kryesisë së Shqipërisë, Dr.Kolec Topalli i dhuroi pasaportën shqiptare urat Bellushit.

Më pas ushtari arbëresh besnik Antonio Bellushi, vrapoi me pasaportin në dorë, për tu bekuar tek komandanti legjendar Gjergj Kastrioti Skënderbeg. Kështu mbas pesë qindvjetësh, ushtari i parë besnik arbëresh ishte qytetar i Shqipërisë.

Shumë herë famullari Bellushi u ka shkruar qeverive të Shqipërisë dhe Italisë, për hapjen e mësimit e gjuhës shqipe në Katundet që banohen nga arbëreshët në Itali. Dhe papa Bellushi do të ndihej i lumtur kur Kuvendi Popullor Italian zyrtarizoi ligjin për ‘’Përdorimin e gjuhëve të pakicave historike’’ më 15 dhjetor 1999. Kjo ishte një dhuratë e madhe, që gëzoi pa masë arbëreshët në Itali.

Dhe sot arbëreshët përdorin gjuhën shqipe në Liturgjinë hyjnore bizantike në kishë dhe në shkresat zyrtare në Katundet që banohen nga ata. Kështu zogu arbër këndon çdo mëngjes shqip në folenë arbëreshe në Itali.

Bellushi Marathonak

Antonio Bellushi arbëresh besnik

Marathonak i mëmës Arbëri

me libra në çant e zjarr në zemër

shpërndan shpresën e gjakut të shprish

Për Kosovën zemra vajton

dhembjen e saj ai na kujton

N’Amerik, Kanada, Australi

vrapo, vrapo papa Bellushi

Knues i arbërit është ai

qiriun e De Radës

mban ndezur në Itali

Si zog shtegëtar fluturon në botë

gjithmon ri papa Bellushi.

(Arben Llalla)

Vlersime që janë bërë prof.Antonio Bellushit

-Në shtator të vitit 1989, Këshilli i qytetit të Detroitit në SH.B.A e nderon Prof.Antonio Bellushin, për veprimtarinë e tij studiuese kultutore dhe me këtë rast u shtrua një darkë e madhe në restorantin ‘’Meritage’’ me këngë dhe valle shqiptare.

-Kryeministri italian Xhulio Andreoti në nëntor të vitit 1990 do ta nderonte studiuesin, poetin, gazetarin Antonio Bellushin me çmimin ‘’Premio Della Cultura’’ të vitit 1990.

-Shoqata Kombëtare Mbarëshqiptare ‘’Ismail Qemal-Vlora’’ më 9 maj 1995 i dhuron z.Antonio Bellushit çmimin Kulturor Kombëtar ‘’Ismail Qemal-Vlora’’. Me këtë rast në Biblotekën e qytetit të Vlorës u organizua veprimtaria kulturore për 15 vjetorin e themelimit të revistës italo-greko-shqiptare ‘’Lidhja’’(1980-1995).

-Më 15 maj 1995, Akademia e Shkencave të Shqipërisë në Tiranë i dha titullin e nderit Prof.Antonio Bellushit ‘’Doctor Honoris Cauza’’ për ndihmesën e veçantë për mbledhjen, sistemimin, studimin dhe botimin e entologjisë dhe folklorit të arbëve në Itali dhe Greqi. Ky ishte i pari çmim që dhurohej nga Akademia e Shkencave të Tiranës, dhe papa Antonio Bellushi është ‘’Doktori i Parë Nderi,,.

-Lidhja shqiptaro-amerikane e Nju-Jorkut, e ka bërë Antonio Bellushin ‘’Antar nderi’’.

Urat Antonio Bellushi në mes të refugjarëve shqiptar

Famullari i kishës arbëreshe në Kozencë urat Antonio Bellushi më 13 korrik 1990 do të gjendej në Brindizi, për tu shtërnguar duart bijëve të shqipes që çanë muret e ambasadave të huaja në Shqipëri. Ai kuvendoi me ta duke rregjistruar këto lidhje të arbërit dhe botuar në revistën ‘’Lidhja’’. Çdo shqiptar i tregonte papa Bellushit për vrasjet, burgimet, internimet, për varfërinë dhe vuajtjet e popullit nga regjimi diktatorial komunist i kohës. Urat Bellushi do të qëndronte në kampin e refugjatëve në Brindizi bashkë me arbëreshët e tjerë duke ndihmuar me ushqime, veshje dhe ndihmë shëndetësore deri sa trimat e thyerjes së murit të diktaturës të niseshin me tren në vendet e tjera të europës demokratike. Por papa Bellushi nuk do të ndahej lehtë nga brigjet e Brindizit, në muajnë mars 1991, mijëra shqiptar do të hypnin në anijet duke u nisur për një jetë më të mirë ekonomike në Itali. Antonio Bellushi do rendëte si marathomak në çdo çadër kampi për tu takuar me njerzit e halleve dhe interesuar për shëndetin e tyre. Në atë kohë gjendja psikologjike morale, shpirtërore ishte dramatike e refugjatëve shqiptarë që sapo kishin mbritur në Brindëzi. Ata njerës të ikur, dukeshin rrugëve të Italisë si të verbër, memecë, si një fëmijë i pa zhvilluar mirë. Çdo fshat arbëresh, në Shën Sofia Epiro, Shën Mitër Korone, Shën Kostandin Arbëresh, Shën Pal Arbëresh, Shën Vasil, Frashtin, Çivit, u bënë streha më e ngrohtë e këtyre njerëzve që kishin braktisur atdheun. Intelektualët arbëresh të prefekturës së Kozencës u interesuan që shumë shqiptarë të punësoheshin përgjithmon në këtë prefekturë që banohet nga arbëreshët.

Papa Bellushi do të mblidhte mbresa të bukura, por edhe të dhimëshme për atë kohë të vështirë që po kalonte populli shqiptar dhe Shqipëria. Revista ‘’Lidhja’’ u bë zëri i halleve të refugjatëve, u bë lidhësja më e mirë midis arbëreshëve dhe shqipëtarëve të ardhur me anijet refugjate. Në redaksinë e revistës ‘’Lidhja’’ mbrinin për ditë letra falenderimi nga shqiptarët, mirënjohje për ndihmën që dhanë papa Bellushi me arbëreshët e tjerë atë kohë të vështirë.

Vizitat në Kosova dhe në Diasporën shqiptare në botë

Kosova një tragjedi e dhimëshme e popullit shqiptar, e cila filloi nga shekuj e më parëshëm, nuk mund të rrinte pa prekur shpirtin dhe zemrën e urat Antonio Bellushit.

Për herë të parë urat Antnio Bellushi e vizitoi Kosovën më 1970, i shoqëruar nga Prof.Janura. Në Kosovë papa Bellushi u takua me shumë intelektualë të cilët bashkë ndërtuan një urë lidhëse dhe çështja e Kosovës në revistën ‘’Lidhja’’ do të kishte faqen e saj në çdo numër botimi.

Më pas do të vizitonte Kosovën më 1977,1980,1982,1983,1985 e më tej, duke marë pjesë në çdo Seminar të Gjuhës dhe Kulturës Shqiptare, si dhe në Kuvendin e Ffolkloristëve në vitin 1986.

Revista italo-greko-shqiptare ‘’Lidhja’’ që nga viti 1981, hapi rubrikën ‘’Jeta Kosovare’’ në të cilën u botuan shkrimet e akademikut Esad Mekullit, të prof.Shefqet Plluna, poezi të Ali Podrimja, Mark Krasniqit, Ibrahim Kadriu e shumë e shumë të tjerëve.

Në prill të vitit 1989, arbëreshët e Kalabrisë, zhvillluan në Kozencë një manifestim në favor të të drejtave të shqiptarëve në ish-Jugosllavinë. Manifestimi filloi me meshën e mbajtur në lutje për Kosovën nga prifti Antonio Bellushi në kishën e ‘’Shën Shpëtimtarit’’. Më pas u vazhdua nëpër rrugët kryesore të Kozencës, dhe qëndruan në sheshin e Plebishtit ku ndodhet përmendorja e Gjergj Kastriotit Skanderbeg. Në këtë manifestim u mbajtën ligjerata nga intelektualët arbëreshë, ku dënonin dhunën që ushtronte policia serbe kundra popullatës shqiptare në Kosovë. Manifestimi në atë kohë u transpetua direkt nga RAI. Njerës të ditur y6arbëreshë u kanë shkruajtur shumë herë letra kryetarëve të shteteve të mëdha të botës si; SH.BA, Rusisë, Anglisë, Italisë, O.K.B, Vadikanit, Francës. Për dhembjen e shqiptarëve të Kosovës. Ata u bënin thirrje që të ndërhyjej për ndalimin e dhunës në ish-Jugosllavi.

Kështu arbëreshët e Italisë jepnin ndihmën e tyre për çështjen kombëtare të Kosovës.

Për herë të parë urat Antonio Bellushi do të shkonte në vatrat e mërgimtarëve shqiptarë në SH.B.A, dhe Kanada më 1989. Ku do të takohej me figura të njohura të diasporës shqiptare si, Antonio Athanasi, Ekrem Bardha, Baba Rexhepi i Teqes në Detroit, Dr.Rexhep Krasniqi, At.Artur Liolin, Kongresmenin arbëresh-amerikan Joseph Dioguardi dhe mijëra kurbetlinjë të tjerë. Papa Bellushi vizitoi dhe varrin e Dr.Mitropolitit Fan Nolit, ku më pas mbajti edhe një meshë në kishën e ‘’Shën Gjergjit’’ në Boston.

Në prill të 1990, prifti Bellushi do të bënte vizitën e dytë në SH.B.A, i ftuar nga Kongresmeni arbëresho-amerikan Joseph Diguardi, kryetar i Lidhjes shqiptaro-amerikane të Nju-Jorkut. Për të marë pjesë në Kuvendin madhështor të organizuar në Sheritar Center të New-York City, ku merrnin pjesë shumë figura të njohura të Kosovës dhe të Diasporës, midis tyre, Rexhep Qosja, Ibrahim Ruguva, Veton Surroi, Shkelzen Maliqi, Idriz Ajeti, Tom Berisha, Halil Matoshi, Antonio Athanasi, Ekrem Bardha, Joseph Dioguardi, At Artur Liolin etj. Rreth 2600 mijë shqiptarë të ardhur nga ish-Jugosllavia, Europa, SH.B.A, Australia, Kanadaja, Zerlanda e Re etj. Ishin të gjithë të bashkuar për çështjen e Kosovës.

Në atë Kuvend u mbajtën ligjeratatë ndryshme për të drejtat e shqiptarëve në Kosovë, me temë ‘’Liri për Kosovën’’. Aty folën dhe Senatorët amerikan Lary Preshler, Alfons D’Amato, Frenk Lotenberg, Kongresmenët Tom Lantosh, Joseph Dioguardi, të cilët në fjalën e tyre mbështetën kërkesat e drejta të shqiptarëve në ish-Jugosllavi.

Studiuesi, poeti, gazetari Antonio Bellushi do të shkonte deri në Australinë e

largët për të takuar dhe kuvenduar me shqiptarët e mërguar nga Kosova, Mali i zi, FYROM.

Mëmë-Atdhe

Unë të thërras; Atdhe!

Po ti më harrove

Edhe sot

Që je komb,

I pavarur dhe i lirë!

Unë të kërkoj; Mëmë-dhe!

Po mollëzat e tu të pjekura

I ke të zbrazta

Vetëm për mua

Unë të këndoj; More!

Ka pes shekuj!

Verë e dimër

Po Besa e Kuqe

Që ty të gëzon

Mua më pengon!

Po fjala e Trimit

Që ty lë lartëson,

Mallin mua ma vret!

Mëmë-Atdhe, ku më je?

(Antonio Bellushi)

Knuesi dhe i ndershmi papa Antonio Bellushi dhe revista ‘’Lidhja’’ do njiheshin dhe lidheshin ngushtë edhe me arvanitët e Greqisë. Takimet e shumta do të bënte papa Bellushi me studiuesin Aristidh Kolën, Jorgo Gjeru, Jorgo Mihën, me Mitropolitin e Korinthit Panteleimos, Dr.Jorgo Haxhisotiriu, Thanasis Moraitis, Marko Dragumi, Keti Papanika etj.

Urat Bellushi do të vizitonte Greqinë çdo vit duke bërë një punë madhështore për traditat, gjuhën, zakonet e arvanitasve(arbërorët). Ai ka një njohje të gjerë për historinë, kulturën, gjuhën, botimet në terrësi të arvanitëve(arbërorëve), dhe puna e studiuesit Bellushi njihet botërisht në këtë fushë.

Në përfundim të kësaj përmbledhje të shkurtër mbi veprimtarinë kulturore-shkencore të prof.Antonio Bellushit, duhet thënë se ai është një studiues i vërtetë. Që me punën e tij shkencore na ka sjellë dëshmi të elementëve të kulturës së vjetër shqiptare në Itali, Greqi, Zara etj. Rezultatet e punës shkencore së urat Bellushit i ka botuar në libra si dhe në revistën që drejton ‘’Lidhja’’. Papa Antonio Bellushi nuk është vetëm një studiues i shquar, por ai është dhe një zog lajmëtar, një knues i bashkimit të shpirtrave të shqiptarëve. Me udhëtimet e tij në vendet që jetonë diaspora shqiptare, ai ka ngritur zërin që shqiptarët kudo që ndodhen të kenë një zë të vetëm për çështjet madhore kombëtare.

Çdo shqiptar mundë të shfrytëzojë bibliotekën e urat Antonio Bellushit në faqen e internetit, www.bibliotecabellusci.it dhe www.lidhja.6go.net.

Vërej Më 19 Qershor 2024 ndërrojë jetë at Antonio Bellushi, i lindur në Frashineto të Kalabrisë 1934)

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat