Kockat e Enverit në varr, shpirti i tij në pushtet...!

Kultura

Kockat e Enverit në varr, shpirti i tij në pushtet...!

Nga: Xhevat Mustafa Më: 17 qershor 2024 Në ora: 00:17
Autori Xhevat Mustafa

Botuar në “Rilindja Demokratike”, 15 qershor 1991, Libri “Në kërkim të Europës”, 2012, f.32

Ka pak informacion për kohën kur ishit me studime në Francë e me punë në Belgjikë. Në mos gaboj, ju nuk arritët të jepnit provimet as të vitit të parë, të mbaronit studimet e të merrnit diplomë? E.Hoxha: Populli ynë ka një shprehje të bukur” I riu si veriu”. Parisi, Brukseli të marramendin me bukurinë e rrëmujën e rrugëve, me femrat si kukulla e djemtë që kujdeseshin për veshjet e tualetin e tyre si femrat. Kështu që e merr me mend vetë, kam bërë edhe…ndonjë…paudhësi. Jam pernduar, por siç thotë populli “kur të vijnë mendtë, nuk i hanë as qentë” Të kalojmë tani tek 8 Nëntori 1941. Jugosllavët mburren se PKSH e kanë formuar ata. Ju e keni mohuar këtë, por ata vazhdojnë të ngulin këmbë se ishin “mamitë” e saj...? E.Hoxha: Ata edhe kanë, edhe nuk kanë të drejtë. Nuk mund të mohohen rroli dhe ndihmesa e Miladin Popoviçit dhe e Dushan Mugoshës në mbledhjen e 8 nëntorit 1941, në mbarëvajtjen e saj në hapat e parë e daljen time në krye…Përvoja e pasur e PKJ-së, personalisht e shokut Tito, na shërbeu shumë edhe në hartimin e dokumenteve që miratuam atë natë… Mund të na ndihmoni për të hedhur më shumë dritë mbi të vërtetën e vrasjes së Qemal Stafës? E.Hoxha: Ç’është e vërteta, unë e doja, por edhe e kisha zili. Edhe Nexhmija që e njihte më mirë, ma lavdëronte shumë, bile aq sa në ndonjë rast nisa të bëhem xheloz. Por kur mora vesh lajmin e vrasjes së tij u befasova shumë…Nuk desha ta besoj. Kisha qenë me të përpara pak orësh…Ndoshta na ka parë bashkë ndonjë spiun...? Kaq mund t’ju them për vrasjen e Qemalit. Ah, të mos harroj, kur mori lajmin, Nexhmija qau shumë...sa mezi e kam qetësuar... Po për mbledhjen apo kompromisin e Mukjes ç’mund të shtoni tani? E.Hoxha: Eh. Mukja është ngjarje delikate, prandaj çuam edhe Mustafa Gjinishin e Ymer Dishnicën. Ata ishin njerëz me kulturë, diplomatë të mirë, po... Pyetje : Ku dhe si gabuan atëherë? E.Hoxha: Mustafai e Ymeri ranë në ujdi me ”Ballin” për luftë të përbashkët kundër pushtuesve fashistë. Pyetje :Po për këtë, Partia Komuniste kishte bërë thirrje edhe më 8 nëntor 1941 edhe në Konferencën e Pezës. Pastaj edhe platforma që iu dha dy të deleguarve tuaj i përmbahej kësaj vije apo jo? E.Hoxha: Ashtu është...Po aleanca jonë me “Ballin” nuk i pëlqeu Miladinit dhe Dushanit e pas këtyre edhe Titos... Mos vallë “vëllezërit jugosllavë” u trembën më shumë nga trakti që doli menjëherë mbas mbledhjes, ku ishte edhe kërkesa për bashkim të Shqipërisë me Kosovën dhe Çamërinë? E.Hoxha: Nuk mund ta kundërshtoj plotësisht këtë. Në fund të fundit, jugosllavët më vunë përpara alternativës: o do të digjesha unë, o të sakrifikoja Ymerin dhe Mustafanë. Ti e merr me mend, po të digjesha unë, i prishja shumë punë edhe Jugosllavisë, edhe Shqipërisë... Pyetje : Dihet që gjatë luftës u arrit bashkimi ynë me Kosovën. Përse pas 29 nëntorit 1944, kjo u la për në kalendat greke? E.Hoxha: Pas luftës miqësia jonë me Jugosllavinë u trash shumë, aq sa në bënim be për kokën e Titos. Ishte bërë çështje ditësh shndërrimi ynë në republikën e shtatë të Jugosllavisë, që zgjidhte njëkohësisht edhe problemin e Kosovës. Kjo i pëlqente disave prej nesh... Pyetje : Po juve personalisht? E.Hoxha: Herë pro e herë kundër...Masja pulsin e përgjithshëm dhe shprehesha. Por kur u dogj Koçi, unë u shpreha me vendosmëri kundër bashkimit me Jugosllavinë. E bëra këtë edhe për të shpëtuar kokën time, edhe sepse ma zgjati dorën për mbrojtje Stalini. BS ishte shumë më i fuqishëm se Jugosllavia... Nuk u erdhi keq që u prish gjithë ajo miqësi me Titon? E.Hoxha: Në zemër, po..., por gjeta forca në vetvete dhe e gëlltita dozën e fortë të hidhërimit e mërzisë...! I ka politika këto... Pyetje : Po me BS përse u prishëm më 1960? E.Hoxha: Sepse ai u lidh me Perëndimin. U prishëm me sllavët e u lidhëm me Kinën e largët, përse kështu? E.Hoxha: Kjo ishte si grindjet e zakonshme të çifteve që dashurohen. Ndahen për një kohë, po me mendje e zemër janë gjithnjë me njëri-tjetrin. Dhe preferuam të jetojmë të vetëm, të izoluar hermetikisht nga bota, në varfëri të tejskajshme, me tollona e rradhë qysh nga mesnata... Si do ta quani këtë gabim, faj apo krim? E.Hoxha: Një gabim taktik, tepër të zakonshëm në politikë dhe qeverisje... Mos harroni si vend e si popull na ka kushtuar shumë shtrenjtë? Na u nxinë jeta dhe Shqipëria... E.Hoxha: Mua personalisht e familjes sime aspak! Duke qenë udhëheqësi kryesor i partisë dhe i shtetit, si ju ka dalë koha të shkruani gjithë këto vepra? E.Hoxha: Nuk i kam kot e vetëm për rroga gjithë ata që gazetarë e shkrimtarë në Institutin e Nexhmijes... Po floriri si është për ju? E.Hoxha: Më i shtrenjtë se gjithçka. Meqenëse erdhi fjala tek floriri, mund të hidhni ndonjë rreze drite për të ndriçuar enigmën e thesarit tonë? E.Hoxha: Në vitet e para të çlirimit më raportonin vazhdimisht për kuti apo qypa me flori që u merreshin pasanikëve dhe se kishim një thesar të pasur si shtet. U bëmë edhe më të pasur edhe nga floriri që merrnim nga Rubiku...Kjo natyrisht më gëzonte shumë. Gjithë ajo pasuri ishte e shtetit dhe do të na shërbente shumë shpejt a vonë. Kisha të drejtë të gëzohesha më shumë edhe për faktin se në fund të fundit “shteti isha unë”... Për sa kohë keni qenë ju në krye të partisë, janë zbuluar dhe shpartalluar shumë grupe armiqësore, antiparti, me akuzën e qenies së tyre “agjentë të UDB-së e KGB-së..., për të cilën viktimat e juaja dhe familiarë të tyre kanë thënë e shkruar se po “digjen” për të mbuluar me gjethe fiqsh qenien tuaj si “krye agjenti i Titos dhe i Jugosllavisë në Shqipëri...?”. Si e shpjegoni këtë? E.Hoxha: Se partia ka qenë vigjilente dhe e fortë. Dhe besoj e keni të qartë, kur them partia nënkuptoj veten. Shumë nga ata që keni dënuar i keni pasur shokë të ngushtë ideali e bashkëluftëtarë të afërt. Për cilët ju ka ardhur keq më tepër? E.Hoxha: Për asnjërin. Si mund të ndjenja keqardhje për ata që guxonin të mendonin apo të vepronin në kundërshtim me planet e mia operative apo strategjike afatgjata. Pastaj, po të mos i ndëshkoja rëndë komplotistët, do të më asgjësonin ata mua. Për këtë kam pasur parasysh edhe përvojën e pasur të Stalinit dhe Hitlerit. Por, ma kanë lehtësuar punën edhe ata vetë! Për të zënë vendin tim, i hëngrën kokat dhe i bënë varrin njeri-tjetrit... Si e keni përjetuar dhe e interpretoni vetëvrasjen e Mehmet Shehut, për shumë vite “krahu juaj i djathtë”? E. Hoxha: Natyrisht, nuk ndjeva as hidhërim e as pendesë! Vras...,më fal, vetëvrasja e Mehmet Shehut mund të shpjegohet vetëm me atë shprehjen e mençur popullore “koka bën, koka pëson!” Unë akoma gjallë e ai dhe Ramizi mendonin dhe kacafyteshin si gjela se kush do të zinte vendin tim...!? Po atje në botën tjetër ç ‘marrëdhënie ke më viktimat e tua? Po hakmerren ndaj teje shpirtrat e tyre? E.Hoxha: Aspak. Çuditërisht më rrinë shumë larg. Ndoshta i ka zënë tmerri qysh kur ishin gjallë. Si e pritët lajmin e krijimit të PD-së dhe bashkë me të edhe të opozitës? E.Hoxha: Nuk hëngra e nuk mbylla sy atë natë. Sikur të isha gjallë, do të kisha lëshuar tanket kundër studentëve për t’i shtypur si mizat. E lexoni shtypin opozitar? E.Hoxha: Nga titujt deri në fjalën e fundit. Ç’ndjenja provoni nga ato që shkruajnë kundër jush? E.Hoxha: Vetë nuk kam ç’ tu bëj atyre gazetarëve kokëshkretë, por ua lë amanet Ramizit, Gramozit, Aranitit, Sulos, Nexhmijes...e njerëzve të tjerë besnikë. Si i pritët ngjarjet e 20 shkurtit, rrëzimin e monumenteve tuaja dhe djegien masive të veprave tuaja në disa qytete? E.Hoxha: Nuk ia fal kurrë Ramizit. Më vjen keq që nuk e eliminova qysh në Plenumin e IV të qershorit 1974. Ç’ mendim keni për shokun Ramiz Alia? E.Hoxha: E kam pasur një nga nxënësit e mi më të zellshëm e bashkëpunëtorin më të ngushtë. Nuk i kam mbajtur asnjë të fshehtë: në të mira e të liga. Vitet e fundit, siç e dini e kam mbajtur pranë në krahun tim. Në cilin krah konkretisht? E.Hoxha: Kuptohet, në të majtin se në të djathtin kisha Nexhmijen. A e keni kuptuar se ai, herë vetëm e herë me ndihmën e Nexhmijes, jua ka futur sa krahu shumë herë për qëllime të tij të pista e të liga, me synim të parë për t’iu zënë vendin, pas vdekjes suaj...? E.Hoxha : Natyrisht e kam kuptuar...Të jem i sinqertë kam mbyllur një sy e një vesh...Sepse i kam nxjerrë plot gështenja nga zjarri me duart e tij...I ndërrronte "lëkurët" dhe buzëqeshjet si gjarpri...! A ka pasur ndonjë çast kur ke ndjerë keqardhje dhe pendesë për gjëmat që i ke shkaktuar për rreth 44 vjet Shqipërisë dhe shqiptarëve, duke i lënë më të varfrit në Evropë? E.Hoxha: Asnjë e asnjëherë! Më duhej të mendoja në çdo çast vetëm për vetveten dhe familjen time, që të qeverisja dhe jetoja si mbret...Populli kishte trutë e vet e të mendonte me ato për vete e familje...! Keni dëshirë t’i përcillni ndonjë mesazh popullit? E.Hoxha: Po, të mos kujtojë se kam vdekur. Trupin e kam në varr, po dy duart jashtë...!

Një sqarim: kjo intervistë e shkruar dhe botuar 33 vjet më parë është ideuar dhe përgatitur pa pasur në dispozicion “thesarin arkivor” të sotëm për monstruozitetet dhe perversitetet e Enver Hoxhës. Por, edhe me frikën e hakmarrjes nga enveristët dhe sigurimsat, që ishin me kope të panumërta e si të tërbuara, në mes qershor 1991...! Gjithsesi, në pjesën më të madhe të çështjeve, i ka qëndruar kohës dhe ruan një dozë të fortë aktualiteti!

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat