Tregimi i gjyshit

Kultura

Tregimi i gjyshit

Agim Deshnica Nga Agim Deshnica Më 14 qershor 2024 Në ora: 17:25
Foto ilustrim

Në kohë të lashta, një karvan i gjatë i nisur nga Teherani me deve e kuaj të ngarkuar me mallra e me njerëz të nxirë nga dielli, pas një shtegtimi të lodhshëm nëpër shkretëtirën e Kara-kumit, shpesh me tufane rëre, u ndal në Samarkand. Në qendër të qytetit zhurmonte pazari me dyqane e tenda. Mbi të ngriheshin lart xhami me disa minare. Afër tyre, nën hijen e hurmave, nga çesmat me gurë të latuar rridhte me gurgullimë ujë i pastër e i ftohtë. Buzë rrugëve me kalldrëm zbardhnin shtëpi me oborre e puse, me kopshte e lulishte.

Me karvanin udhëtonte edhe një djalosh. Kur nata ra, ai u shtri e fjeti tok me të tjerët pranë dengjeve me mallra. Tani, kur dukeshin përpara malet mbi Andizhan, atij s’po i durohej të arrinte sa më parë në shtëpi e të çmallej me njerëzit e vet. Për ata ai kishte ngarkuar dy kuaj me sende me vlerë nga Irani.

Të nesërmen, kur dielli i zjarrtë do të ulej drejt perëndimit, karvani i çlodhur do të nisej për të bërë pjesën e fundit të udhëtimit. Pas një nate e një dite, vargu i udhëtarëve mbi deve e kuaj, me fyej e daulle, me këngë e thirrje, do të hynte nën portën e lartë të Andizhanit. Ata që gjatë tërë rrugës ishin marrë me shah, me shenja e fjalë, do t’i mbyllnin ndeshjet me piskama e sokëllima.

Udhëtari ynë u zgjua nga rrezet e para të diellit. Afër pazarit, te një çesmë me tre sylynjarë, lau duart e fytyrën, hëngri mëngjesin, piu ujë dhe zuri vend nën hijen e palmave. Kur dreka po qasej, u ngrit dhe eci përmes turmës, që dyndej në pazar. Prekte paratë në gji dhe mendohej. Papritur hunda i kapi një erë të këndshme qoftesh, kukurreci dhe mishi të pjekur.

Qoftexhinjtë thërrisnin:

- Hajde, qofte me pilaf! Të mira e të lira!

- Kukurrec, kukurrec taze me piper!

- Bozë meli, bozë meli, akull, akull e ftohtë!

Zërat ngriheshin lart dhe përziheshin njëri me tjetrin. Era e qofteve, e kukurrecit, e mishit të pjekur dhe lëngjet e tyre sajonin një kënaqësi të thellë dhe tundim të paduruar. Djalit i shkrepi befas një dëshirë. Iu afrua një qoftexhiu nën hijen e një tende të bardhë dhe nxori nga hejbetë një copë bukë. Me lëvizje të ngadalëshme, e kaloi copën e bukës mbi avullin që lëshonin qoftet sipër zgarës. Iu duk sikur feta e bukës ndryshoi ngjyrë dhe u zbut, ndaj deshi të largohej, që ta hante shpejt. Por, qoftexhiu me feste të bardhë e kishte parë. E kapi prej mënge e i thirri:

- Ku shkon!? Tund paratë këtu!

- Lëshomë! Ç’para kërkon nga unë zotrote!?

- Paratë, të thashë! Avulli që ta rregji bukën është i qofteve të mia! Hajde, paguamë pesë groshë dhe thyej qafën!

- Hej, thirri mendjes! Mos të ka rënë dielli në kokë!?

Sherri u fry dhe shpërtheu kacafytja. U mblodh mileti, ia behu edhe xhandari dhe çështja vajti te kadiu.

- Më vodhi avullin ky, kadi efendi! Dua të ma paguajë!

- Si ta vodhi?

- Me copën e bukës...

- E kujt ishte buka?

- E tij ishte!

- Ashtu, hë?

Kadiu iu kthye djalit:

- Po ti ç’thua?

- Unë nuk i vodha gjë, mora vetëm pak nga avulli, që fluturonte në qiell!

- Mirë! Sa para kërkon nga djali ti, or qoftexhi?

- Pesë groshë.

Kadiu iu kthye sërish të pandehurit:

- A ke me vete pesë groshë, djalë?

- Kam, si urdhëron!

- Nxirre një pesëshe dhe hidhe lart!

Djali ashtu bëri. Paraja u ngrit në ajër, mandej u rrëzua në dyshemenë e gurtë. Pasi u rrotullua disa herë, duke tingëlluar, ndaloi dhe heshti.

- Merre prapë dhe fute në xhep! - i tha djalit kadiu dhe iu drejtua qoftexhiut: - Fute në trastën tënde ajrin tek kaloi monedha, or ti, dhe je i paguar për ç’kërkon! - Ai goditi me çekiç mbi tryezë dhe e shikoi qoftexhiun i ngrysur: - Hiqmu nga sytë tani, hileqar, - i bërtiti, - sa s’kam dhënë urdhër të ta hyjnë me shkopinj kurrizit!

Të gjithë në sallë u kënaqën me drejtësinë e kadiut të zgjuar dhe ia shkrepën gazit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat