​Bie me të madhe interesimi për lexim, autorët: Teknologjia konkurrenti më i fuqishëm i librit

Kultura

​Bie me të madhe interesimi për lexim, autorët: Teknologjia konkurrenti më i fuqishëm i librit

Më: 8 qershor 2024 Në ora: 10:58
Autoret dhe shtëpitë botuese tregojnë se me kalimin e kohës po bie kurioziteti i qytetarëve për të blerë dhe lexuar vepra.

Rënia e interesimit për të blerë dhe lexuar libra po konsiderohet se është trend në rritje. Derisa po vlerësohet se teknologjia është bërë “armiku”, më i madh i librit.

Autoret dhe shtëpitë botuese tregojnë se me kalimin e kohës po bie kurioziteti i qytetarëve për të blerë dhe lexuar vepra.

Në hapjen e edicionit të 24-të të Panairit të Librit, me moton “Përgjigjja është libri”, po marrin pjesë rreth 100 botues nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe diaspora, me rreth gjashtë mijë tituj, prej tyre dy mijë tituj të rinj.

Disa nga shtëpitë botuese dhe autorët ankohen për numrin e vogël të vizitorëve.

Dritë Ruhani nga shtëpia botuese “Morena”, tha se për dallim të panaireve që janë mbajtur viteve të kaluara, kësaj herë qarkullimi i qytetarëve ka qenë më i dobët.

Ajo tha se me rënien e interesimit për lexim, ka rënë dhe numri i autorëve që shkruajnë për fëmijë.

Ruhani: Ka shumë më pak vizitorë

"Hapja e panairit është shumë me rëndësi sepse këtu kanë mundësi si lexuesit të takohen e autorët apo autorët vetë t'i prezantojnë librat e tyre...Për dallim prej panaireve të viteve të kaluara ka qenë më dobët, ka pasur më pak...Ka shumë më pak vizitorë...Vetë interesimi për leximin e librave ka rënë me të madhe, saqë edhe vetë numri i autorëve, sidomos të autorëve të letërsisë për fëmijë është në shuarje", tha Ruhani.

Edhe autori i disa librave për fëmijë, Fatmir Gjestila derisa pohoi se trendi i rënies së numrit të lexuesve është në rënie, potencoi teknologjinë si konkurrentin më të fuqishëm të librit.

Ai theksoi se mësimdhënësit duhet të punojnë më shumë në këtë drejtim, në mënyrë që t’i zgjojnë fëmijëve dëshirën për të lexuar.

Gjestila: Konkurrenti më i fuqishëm i librit tani për tani është teknologjia

"Realisht dje pati pak vizitorë, fëmijë edhe më pak, edhe të rinj. Flas lexuesit e vegjël sepse këtu kam libra për fëmijë dhe të rinj. Sot ka pasur ardhje të fëmijëve të shkollave, duket se ata janë të organizuar, vijnë me mësuesit e tyre për të vizituar panairin...T'i afrojmë sa më shumë fëmijët te libri, kësisoj t'i largojmë nga fenomenet e tjera që në fakt jo vetëm këtu, por në mbarë botën janë shqetësuese...Konkurrenti më i fuqishëm i librit tani për tani është teknologjia...Unë nuk e shikoj teknologjinë, e shikoj si kundërshtar të cilin duhet ta mundim me përcjelljen e dëshirës së madhe për të lexuar te fëmijët. Për këtë them se askush më mirë se mësuesi nuk e bënë", theksoi Gjestila.

Po ashtu, edhe Florentina Hoti nga shtëpia botuese “Magjia e librit”, për KosovaPress u shpreh se fluksi i lexuesve ka rënë këtë vit.

Hoti: Elektronika ka ndikuar që fëmijët mos të lexojnë

"Panairi ka rëndësi çdoherë si çdo vit, sepse edhe ekspozohet tituj të rinj, edhe u jepet mundësi qytetarëve që t'i shohim më për së afërmi botimet. Sot është dita e dytë e panairit, ka rënie, fluksi ka rënë në krahasim me herët e kaluara, por zakonisht ditët e para nuk është i kënaqësh por po presim ditëve në vijim të kemi më shumë frekuentim...Elektronika ka ndikuar që fëmijët tash më shumë po shikojnë gjëra në telefon sesa po lexojnë", u shpreh Hoti.

Por pavarësisht këtij fakti, ende ka fëmijë të cilët e duan leximin. Liza Zeneli tregoi se nga janari i këtij viti deri më tani ka lexuar rreth 50 libra.

“Uma dhe përgjigja e të gjitha pyetjeve”, është titulli i librit për të cilin ajo tha se po e pëlqen më shumë kohëve të fundit.

Zeneli tha se më shumë preferon ta lexojë një vepër sesa të luajë një lojë në telefon.

Zeneli: Unë gjatë këtij viti i kam lexuar 50 libra

"Sa i libra i ke lexuar gjatë këtij viti? Unë gjatë këtij viti i kam lexuar 50 libra. cili të ka pëlqyer më shumë? 'Uma dhe përgjigja e të gjitha pyetjeve'. Pse të ka pëlqyer ky libër më shumë? Sepse është më i miri. Pse? Sepse ka gjëra interesante. A e përdor Liza telefonin? Po, pak. A më shumë preferoni ta luani një lojë në telefon apo ta lexosh një libër? Ta lexoj një libër? Shoqet dhe shoqet me të cilët ti qëndron, a lexojnë edhe ata libra apo e përdorin më shumë telefonin? Ne vajzat në klasë më shumë lexojmë, ndërsa djemtë më shumë luajnë me telefona dhe fortnite...Ne duhet të lexojmë më shumë, sepse libri na jep interesim dhe na mëson gjëra të reja. Nuk të duhet të shikosh telefon apo Ipad shumë", tha Zeneli.

Edhe pesë vjeçarja, Daorsa Bunjaku tha se në panair ka blerë tre artikuj me imazhe.

Ajo u shpreh entuziaste që kur t’i mësojë shkronjat, do të jetë lexuese besnike e librave.

Bunjaku: I kam blerë 3 libra në panair

"Për çfarë ke ardhur sot këtu (në panair)? Kam ardhur në panair i librave, për t'i blerë këto libra. Sa libra i keni blerë sot? I kam blerë tri. Pse të pëlqejnë librat? Sepse janë më stikera dhe i dua shumë stikerat. Kur të rriteni edhe pak dhe t'i mësosh shkronjat a do të lexosh shumë libra? Po", tregoi Bunjaku.

Edicioni i 24-të i Panairit të Librit, organizuar nga Shoqata e Botuesve të Kosovës (SHBK), do të jetë i hapur deri më 9 qershor , në Pallatin e Rinisë në Prishtinë. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat